Toleranca jonë fetare i pengon disa!

       

Nëqoftëse ka diçka për të cilën shqiptarët mund të mburren, kjo është, pa as dyshimin më të vogël, toleranca jonë fetare, ose më mirë të themi bashkëjetesa dhe harmonia ndërmjet të gjitha feve në vend. Dhe këto nuk janë pak. Por 4! Në pamje të parë janë veçse dy: të krishterët dhe mohamedanët, të cilët ndahen në sunitë, bektashinj, katolikë, dhe ortodoksë. Protestantët dhe Dëshmitarët e Jehovas janë shumë pak për tu përfshirë në këtë listë.

          Që jemi kaq tolerantë ose moskokëçarës ndaj fesë së tjetrit, të cilin e konsiderojmë si të barabartë me veten, pavarësisht se kujt Perëndie apo Profeti i falet, kjo është meritë në rradhë të parë e Rilindasve tanë të lavdishëm, duke filluar nga Vaso Pasha me shokë.  Ata u bënë copë për të krijuar një Shqipëri të mosvarme dhe të begatë. Dhe nuk kishte sesi ata të ngjallnin dasitë fetare!

       I dyti, dhe nuk duhet të kemi frikë ta pohojmë, ka qënë Enver Hoxha, që i mbylli të gjitha kultet fetare në vend dhe nxiti ateizmin, laicizmin dhe martesat e përziera. Qoftë ato të toskëve me gegët, por po ashtu edhe ato midis të krishterëve dhe myslimanëve!

       Por duhet po ashtu të pranojmë se jo të gjithë janë të lumtur nga shembulli dhe praktika jonë. Fqinjët tanë do të kishin dëshiruar shumë që shqiptarët të merrnin thikat dhe hanxharët dhe të vriteshin me njëri – tjetrin për atë Krisht dhe Muhamet!

        Por edhe të tjerë larg kufijve tanë na kundrojnë sa me mëri, aq edhe me zili, për këtë lloj harmonie ndërfetare. E pazakontë në botë. Disa madje e shohin këtë harmoni edhe si rrezik kryesor për tezat e tyre nacionaliste dhe fashiste.

       Sipas këtyre të fundit nuk mund të ekzistojë asnjë bashkëpunim apo mirëkuptim midis myslimanëve dhe të krishterëve. Ata mbështeten në këtë qëndrim edhe nga pohimi i fillozofit francez, Volter, se feja është kulturë! Disa të tjerë mbështeten te Kurani, I cili sipas tyre, thotë që myslimanët nuk duhet të zënë për shok asnjë të krishter!  Prandaj sipas këtyre fanatikëve fetarë dy kultura të ndryshme nuk mund të bashkëjetojnë kurrsesi në të njëjtin vend!

         Madje disa nga këto parti fashiste, që po mbijnë tani si kërpudhat pas shiut anë e mbanë Europës, po e mbështesin programin e tyre elektoral sa në ndalimin e emigracionit, por po aq edhe në dëbimin e të gjithë banorëve me origjinë myslimane nga vendi i tyre. Edhe kur këta të fundit kanë marrë nënshtetësinë apo edhe kanë lindur në Europë!

      Edhe presidenti amerikan, Trump, u ndaloi psh dhënien e vizave banorëve të 7 vendeve myslimane gjatë mandatit të tij të parë!

       E keqja është se edhe brenda vendit tonë ka rryma dhe korrente që përpiqen t’i hedhin benzinë zjarrit. Disa prej tyre kërkojnë psh të ndajnë kombin shqiptar në dy apo në tre pjesë. Si psh ndërmjet shqiptarëve dhe kosovarëve apo edhe ndërmjet toskëve, gegëve dhe kosovarëve. Janë hedhur madje edhe ide të bashkimit të Gegërisë me Kosovën sapo të gjendet një kohë e përshtatshme!

        Disa të tjerë qëndrojnë në “frontin” fetar. Meqë nuk dalin dot haptas kundër bashkëkombasve të tyre në Shqipëri, e hedhin helmin me djallëzi në përkatësinë etnike të shqiptarëve të Kosovës.

        Duke pasur kaq armiq apo keqdashës Brenda dhe jashtë vendit është me rëndësi që kundër këtyre dasive etniko/fetare të luftohet me vendosmëri. Nga intelektualët në rradhë të parë, por edhe nga klasa politike dhe mbarë shteti shqiptar.

        Se nga një shkëndijë e vogël ngandonjëherë lind një zjarr i madh. Si gjatë kësaj vere në Shqipëri! Dhe që një fatkeqësi e tillë të mos ngjasë, vendi ka nevojë për një shtet të fortë dhe autoritar, që të mos u lejë fushë të lirë fanatikëve fetarë të çdo besimi qofshin!

        Shqiptarët sot nuk kanë nevojë as “të kthehen në fenë e të parëve”, siç predikojnë disa. Por as të lejojnë pushtimin e sheshit kombëtar nga disa të tjerë.

        Se dihet dhe është provuar historikisht dhe shkencërisht se: sa më e fortë ndjenja fetare, aq më e dobët ajo kombëtare.

        Në Greqi apo Serbi kanë një fe. Dhe fare lehtë ata mund ta barazojnë fenë me kombësinë. Nëe Greqi psh është përhapur një përrallë sikur kur filloi revolucioni I tyre kundër pushtuesit turk, kishat e gjithë vendit u ranë këmbanave. Gjasme sikur kishim një planifikim që ishte ngjizur në kisha!

      Ndryshe kasapi i Bosnjës, Mlladiç, që u varros para pak ditësh me nderime ushtarake dhe qeveritare në Serbi, është shprehur hapur se ai po luftonte kundër myslimanëve për të mbrojtur krishtërimin! Sikur të ishim përsëri në kohën e Kryqëzatave të viteve 1100!

       Por kemi edhe shembullin e Libanit ku popullsia është e ndarë mes 4 apo 5 rrymash fetare, druzë, maronitë, shitë etj etj. Dhe nga një Zvicër e LIndjes së Mesme siç ka qënë deri para vitit  2000 është kthyer sot në një ferr të vërtetë për banorët e tij.

      Prandaj duhet ta ruajmë me çdo mënyrë harmoninë tons fetare si kusht i mbrojtjes së Shqipërisë. Ndryshe më ka rënë në sy për keq këto ditë përdorimi i mikrofonit të protestave nga disa fetarë të rrjedhur. Që flisnin për Zotin e tyre sikuar sapo të kishin pirë kafe me të.

     Ekziston një kusht i domosdoshëm: Që harmonia jonë ndërfetare të vazhdojë, secili duhet ta mbajë fenë brenda shtëpisë së vet. Nxjerrja e saj në pazar përbën një rrezik të madh për unitetin tonë mbarëpopullor dhe tregon veçse vënien e fesë mbi kombin. Një rrezik ky madhor.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment