Të ikë Rama. Dakord. Por kush të vijë?!

      Pa asnjë dyshim që Rama e ka mbyllur ciklin. Ai duhet të largohet. Me të mirë apo me të keq. Arsyet se pse ai duhet të largohet janë kryesisht katër. E para : I paaftë. E dyta : I paditur. E treta : I papërgjegjshëm. Dhe e fundit: edhe si shitës i trojeve kombëtare dhe pasurive publike.

     Mendoj se nuk ka nevojë t’i shtjellojmë gjërë e gjatë dhe njëra pas tjetrës këto mangësi dhe të meta uluritëse. Është e qartë se shumica e shqiptarëve nuk e duan më. Gjithmonë ka pasur njerëz që nuk e kanë dashur Ramën. Sidomos ata të lidhur me atë malokun e Viçidolit. Por si tani asnjëherë.

     Por sot mendoj se nuk e do as edhe shumica e të “vetëve”, ata që kanë votuar për të para një viti e gjysëm. E bëri baltë me ata të mëdhenjtë e globit. Iu ngjit atyre pas këpucës, saqë nuk kishte takim ndërkombëtar që ai nuk do të merrte pjesë. U kthye pak nga pak si bufoni i sallës.

      Dhe nuk përtonte të bënte gjithçka që të binte në sy dhe t’i tërhiqte vëmendjen Makronit, Marz-it, Stramer-it dhe Trump-it kur mundte. Deri sa vajti puna te Sazani dhe Zvërneci. Te Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Iu ngjit edhe atyre deri në jahtin e Rotçildëve ! Pra u tregua vërtet një njeri pa dinjitet.

      Por problem i madh tani mbetet se kush mund ta zëvëndësojë. Jo sot por ndofta pas 3, 6 muajsh, një viti apo deri më 2029-tën?! Në Partinë Socialiste nuk ka asnjë të aftë. Janë të gjithë ku thërret qameti. Ku intelektuali më i madh mbetet Taulant Balla!

        Mos o Zot sikur ndonjëri të sjellë tani ndërmend Berishën. Ai ka qënë fakeqësia më e madhe kombëtare që kur Shqipëria është pavarësuar dhe bërë shtet. Ka pasur edhe të tjerë që kanë bërë krime, kanë vrarë edhe të pafajshëm! Por ata kanë bërë edhe disa punë të mira. Ndërsa S.B. veçse ka shkatërruar, vjedhur dhe shitur një vend të tërë.

          Në kohën e tij hyri krimi, droga, korrupsioni, prostitucioni, grabitja e vajzave dhe dërgimi i tyre për prostituta në Itali. U kthye analfabetizmi dhe gjakmarrja. U ngrit edhe “Republika e Pavarur e Lazaratit”! Në kohën e tij bandat e reja të andartëve grekë na vranë disa ushtarë në Peshkëpi, në jug të vendit. Aq poshtë ra Shqipëria, aq shumë u shkatërrua vendi, sa presidenti i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, deklaroi pa pikë turpi se “Shqipërinë e pushtoj edhe me një skuadër gjuetarësh”!

        Në kohën e tij erdhën edhe ushtritë e huaja në vend për të vënë rregull gjatë vitit të mbrapshtë 1997. Atëhere kur u lejuan të mbinin edhe firmat piramidale me Vefa, Gjallica dhe kompani. Dhe nuk po flas këtu fare për Gërdecin apo 21 janarin. Se ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron!

        Pra mënxyra nga Viçidoli me gjithë shpurën e tij Noka,  Këlliçi dhe kompani janë të përjashtuar edhe ata përfundimisht. Duke hequr këtu vetëm ata që ende marrin hak deri në brez të shtatë !

      Në një artikull të para pak ditëve shkruajta se protesta duhet të bëjë tani një hop cilësor përpara/ Të shpallë një program dhe një qeveri hije. Të tregojë se çfarë do të bëjë ajo ndryshe nga sa ka ngjarë këto 36 vjet !

       Dhe pikërish këtu qëndron edhe problem. Më 1991-shin patëm studentët që u ngritën kundër sistemi diktatorial. Me ata u bashkuan edhe shumica e inteligjencës kombëtare. Duke filluar nga Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Ylli Popa, Dritëro Agolli etj etj.

         Dhe ishte inteligjencë e rëndë. Që i dëgjohej fjala dhe zëri. Sot duket se nuk kemi as student të hajrit dhe as inteligjencë, që ta meritojë këtë emër. Vendin e tyre e kanë zënë biznesmenët me gangsterët.  Njerëzit e korruptuar si mjekët, gjyqtarët, profesorët etj etj që mendojnë vetëm për tu pasuruar. Vendin e idealeve e ka zënë babëzia materiale.

         Duket sikur askush nuk mendon për vendin. Por secili vetëm për xhepin e tij. Madje idealistët shihen si me përçmim dhe tallje. “Doli ky ta shpëtojë Shqipërinë ! ».

       Por Shqipëria duhet shpëtuar se është duke lënguar në shtratin e vdekjes. Rrezikojmë të shuhemi si vend dhe si popullsi. Është mirë që shqiptarët të pyesin dhe të mësojnë nga çifutët se çfarë do të thotë të jesh pa atdhe ! Atdheu është në fakt streha e përbashkët e një populli.

       E po atëhere si do bëhet për të dëbuar dhe zëvëndësuar Ramën dhe gjithë klasën politike që ka sunduar këto 36 vjet ?! Protestat ngjallën në fillim një shpresë të madhe se mund ta kryenin këtë mision.  Por ato tash kanë dështuar si në ide edhe në formë. Çdo lloj budallai del dhe merr tani mikrofonin për të përsëritur atë që është thënë deri më sot të paktën 100 herë. Pastaj fillojnë shëtitjet pa kokë në boulevard. Dhe ky është qari i Ramës. Asnjë gjemb nuk i hyn atij në këmbë nga njerëzit që bërtasin poshtë zyrës së tij prej afro 120 ditësh.

        Duhet të kuptohet mire diçka ; –  Se pa dalë dikush në krye protesta do të dështojë. Por ky “dikush” nuk duhet të jetë ndonjë sharlatan, siç dalin shumë gjatë kohërave të tilla. Duhet të jetë një person, një njeri i njohur në të gjithë vendin. Le të jetë publicist, artist, ekonomist, inxhinjer, shkrimtar etj etj.

         Arben Kola me shokët e tij nuk e bën dot diçka të tillë. Ai mund të jetë shumë i mirë si burizan, por asgjë më shumë. Udhëheqësi i protestës të jetë një njeri me vlera të spikatura dhe mendime të vyera.  Që nuk duhet të mendojë se si të ngelet sa më gjatë në pushtet, siç ka ngjarë me Berishën dhe Ramën. Por që duhet të ketë si synim rivënien e vendit në shina. Kthimin e Shqipërisë në një vend sovran dhe krenar, që nuk i lëpihet më asnjë ambasadori të huaj. Që vë në rradhë të parë interesat e vendit dhe të kombit. E doni më troç ?! Një Albin Kurti numër 2!

        Ky njeri, ky « Mesi » (jo futbollisti, por shpëtimtari i vendit) duhet të dalë në krye të protestës. T’i mbledhi shqiptarët pas vetes dhe tu ngjallë shpresën, se sidoqoftë Shqipëria mund të bëhet.

       Gjetja e këtij njeriu duhet të jetë synimi i protestuesve sot. Prandaj ata duhe të afrojnë pranë vetes njerëz me ide dhe reputacion. Dhe t’i propozojnë këtij njeriu daljen në krye të protestës.

      « Një njeri, një program minimal, një qeveri hije deri në zgjedhjet e ardhshme » : – kjo duhet të jetë mantra e protestës sot. Që të gjithë të pakënaqurit, të gjithë të dëshpëruarit të grumbullohen rreth këtij njeriu. E vetmja zgjidhje dhe e vetmja shpresë mbetet shpallja e një Alternative politike, ekonomike dhe kombëtare.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment