Diçka shihet qartë : asnjëherë si deri më sot Partia Socialiste nuk ka qënë nën një presion të tillë. Sigurisht që ajo ishte në « grykën e pushkës » së PD-së, sidomos gjatë viteve 1992 – 1996. Jo vetëm që socialistët i hoqën atëhere të gjithë nga puna, por qënia në këtë parti konsiderohej pothuajse si krim.
Por ndryshe nga atëhere, kur PS-ja shtypej nga regjimi i komunistit/ demokrat S.B., sot PS-së e keqja po i vjen nga vetja, nga njerëzit e zakonshëm dhe ngandonjëherë edhe nga anëtarët e saj. Si psh ata të Çorovodës që në mënyrë demonstrative dogjën teserat e anëtarësisë.
Dhe kjo dukuri ngjan për herë të parë në historinë 35 vjeçare të kësaj partie. Atë duket sikur e kanë vënë në shtyllën e turpit dhe po i gjuajnë me çfarë u vjen për dore !
Në fakt prej më shumë se 12 vitesh, që nga viti 2013 e deri para 4 muajsh, PD-ja e ka sulmuar pa pushim PS-në, në gjithçka që ajo ndërmerrte. Por sulmet e saj i ngjanin pickimeve të miskonjës në lëkurën e trashë të elefantit ! Se PS-ja as nuk donte t’ia dinte nga ato.
Aq më shumë që edhe udhëheqësi i përjetshëm i PD-së ishte shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe !
Por tani PS-së po i vjen e keqja nga brenda. Nga anëtarët dhe simpatizantët e saj. Jo se ata kanë ndërmarrë veprime konkrete kundër partisë së tyre, por sepse edhe heshtja e tyre flet shumë.
Dhe nuk ka qëlluar kurrë që kundër PS-së dhe qeverisë së saj të mbahen protesta prej më shumë se 115 ditësh pa ndërprerje ! Ka pasë organizuar protesta edhe PD-ja, qoftë me Berishën, qoftë me Bashën, duke i rënë edhe qark kryeministrisë, por ato më shumë se protesta dukeshin si një spektakël cirku.
Sot situata është ndryshe. Fare ndryshe. Reputacioni i PS-së e udhëhequr nga liberali i djathtë kozmopolit Edi Rama ka rënë pothuajse përtokë. Skandalet e shkaktuara kryesisht prej zgjedhjeve të njerëzve dhe qëndrimeve të tij personale e kanë shkatërruar rëndëshëm imazhin e saj.
Gjithçka nisi si pa u ndjerë. Deri sa shpërtheu. Ashtu si një vullkan që nuk ndihet në sipërfaqe, por që në brendi të tij grumbullon pa pushim llavë, derisa gjithçka shpërthen papritur! Kështu ka ngjarë edhe me shpërthimin e këtyre protestave që kërkojnë sot largimin e Ramës.
Partia Socialiste pak nga pak e ka humbur vezullimin dhe forcën e saj. Nga një parti profesorash, ajo u kthye në një parti pothuajse pa identitet dhe ideologji të spikatur. Vetë drejtuesi i saj i pohonte kryeministres italiane me shpoti dhe deri diku edhe me mburrje se : “ndoshta nuk jam socialist edhe aq i mirë » !
Rënia filloi që me zgjedhjet dhe marrja nga rruga të zyrtarëve të PS-së. Aq sa pak veta i njohin sot me emër deputetët e kësaj partie. Dhe mos flasim këtu për anëtarët e asamblesë së saj. Edi Ramës dukej se i mjaftonte vetja e tij dhe për të tjerët as që kishte nevojë!
Pa nivel, pa reputacion, pa aftësi, pa ndershmëri dhe përkushtim, sot në mëndje të mbesin vetëm emrat e Zegjinesë, Ballës, Klosit, asaj neomalësores që u largua dhe pak të tjerëve.
Aq sa tani partia është personalizuar aq shumë nën emrin e Ramës saqë asaj i shkon tërësisht thënia e Majakovskit 100 vjet më parë : « Kur themi partia, nënkuptojmë Leninin. Kur themi Lenin nënkuptojmë partinë » ! Kështu po ngjan sot edhe me partinë pa identitet të Edi Ramës.
Vetë Rama që kur mori pushtetin pr herë të parë në vitin 2013 u shpreh me arrogancën dhe papërgjegjshmërinë e tij karakteristike se ai nuk do hiqte nga puna asnjë demokrat.
Normalisht zyrtarët e shtetit nuk duhen larguar nga detyra sa herë që ndërrohen qeveritë. Por sidoqoftë pastrimet e militantëve në administratë janë të domosdoshme. Se ndryshe ngjet si tani me SPAK-un dhe drejtësinë !
Që merret, dhe mirë bën që merret, me Ahmetajn, Ballukun, Beqajn , Tahirin dhe së fundmi me Vlora Hysenin ! Plotësisht dakord ! Po me vrasjet në mes të ditës në bulevard ?! Po me hedhjet në erë në Gërdec pse nuk merret SPAK-u ?!
Sepse ata që janë aty kanë dalë nga « plepat » pra janë ushtarë të Berishës. Dhe si kudo në administratë. Prandaj ky i fundit është edhe më i mirinformuari rreth të gjitha aferave të tashme dhe të pritshme. Edhe më mirë se kryeministri !
Sot përkrahësit e partisë socialiste janë tulatur dhe shushatur. Akuzat për shitje të vendit, apo për korrupsion deri në nivelet më të larta të qeverisë i kanë ftohur ish-mbështetësit me partinë e tyre.
Sepse edhe vetë Rama nuk ka qënë asnjë ditë socialist. Që kur e mori pushtetin ai hodhi parullën : « përtej të majtës dhe së djathtës » ! Edhe emërimet e funksionarëve ose do i nxirrte nga thesi i hjdutëve dhe të korruptuarve ose do i zgjidhte nga rradhët e PD-së, duke filluar me Arta Markun, Dashnor Sulën, Ridvan Boden etj etj.
Se llogaria e tij ishte e thjeshtë. Këta socialistët budallenj i kam në xhep! Tani më duhet të mbledh vota edhe nga e djathta. Se në fakt Rama ka qënë thjesht një disident ekstremist i dalë nga rradhët e PD-së.
Prandaj socialistët sot janë të demoralizuar. Ata po e lënë dhe do ta lëjnë Ramën në fatin e tij. Askush nuk do të rrezikojë më për të. Ky është një fund i merituar për një drejtues të papërgjegjshëm, të paaftë dhe për më shumë kozmopolit dhe antiatdhetar.
PS-ja rrezikon shumë në zgjedhjet e ardhshme. Rrezikon së pari abstenimin. Përkrahësit e saj nuk do vrapojnë më në kutitë e votimit për të penguar Berishën të kthehet në pushtet. Madje këtij të fundit iu hoq edhe damka e “non grates”!
Prandaj tani ai me të tijtë është trimëruar dhe po i bën karshillik edhe qeverisë edhe parlamentit. Dhe ka të drejtë! Se reputacioni i PS-së ka rënë nën zero. Sidomos pas skandaleve me Ballukun, Hysenin apo allishverisheve për Sazanin, Zvërnecin, Rrjollin etj!
Ndonjë ditë të bukur ka mundësi që edhe atij t’i vijë ndonjë thirrje nga SPAK-u. Kështu ngjan kur të hyn vetja në qejf! Kur nuk di sr çfarë je dhe çfarë përfaqëson. Kur, siç shkruante edhe një gazetar zvicerano/kosovar, kujdesesh më shumë për ngjyrën e kravatës qëdo vësh, sesa për njerëzit që zgjedh në postet e larta të qeverisë!
Prandaj është në të mirën e socialistëve të vërtetë, nëse kanë mbetur ende të tillë, që ta largojnë Ramën sa më shpejt. Ndryshe faktura do të jetë edhe më e rëndë pas disa muajsh.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment