Protestuesit duhet të shpalosin një program dhe qeveri alternative

        Boll më me danga dunga në bulevard. “Nesër më shumë”, “poshtë komunizmi” etj etj. Ka ardhur dhe po kalon koha e një kapërcimi cilësor ndër drejtuesit e protestës. Për një frymë dhe strategji të re. Që të ngjallë shpresë dhe otimizëm te mbarë populli shqiptar. Ndryshe protesta do shuhet dhe do fiket dalëngadalë.

         Është koha që manifestimet të kalojë nga ajo që nuk duan, në atë se çfarë do bëjnë! Pra ka ardhur koha që protesta të dalë me një program të vetin dhe me një qeveri alternative. Me emra konkretë. Me njerëz të njohur në publik dhe me reputacion. Që nuk janë përlyer në këto 36 vjet shkapërderdhje dhe grabitje.

        Ata që janë në krye të protestës duhet të ulen dhe të shkruajnë një program të ri ekonomik, ideologjik dhe kombëtar.Që nuk duhet të jetë edhe aq i vështirë për tu hartuar.  Le të lexojnë pak po të duan edhe programet e rilindasve tanë të shquar, duke filluar nga Sami Frashëri, Jani Vreto, Çajupi, Fan Noli etj etj që ëndërronin për një Shqipëri të mosvarme dhe të begatë!

       Dhe që njëkohësisht tu përgjigjen edhe disa pyetjeve të thjeshta. Si psh:

  1. Çfarë do të bëjnë ata ndryshe nga sa ka ngjarë këto 36 vjet?!
  2. Si do sillen ata me pronën e përbashkët, atë komunale dhe atë individuale ?!
  3. Çfarë qëndrimi do mbajnë ndaj drejtësisë që nuk jep llogari asgjëkundi?!
  4. Çfarë vendi do zejë në programin e tyre integrimi në një Europë që po rrëshket çdo ditë e më shumë drejt ekstremit të djathtë ?
  5. Cilat do të jenë prioritetet e tyre në lëmin e bashkimit kombëtar ?!
  6. Si do ta luftojnë korrupsionin e tejpërhapur dhe krimin e organizuar ?!
  7. Dhe me cilët njerëz do e vëjnë në jetë këtë program nëse nesër fitojnë zgjedhjet ?! Etj etj.

Ka ardhur koha që të kalohet tani në gjëra konkrete dhe të prekshme. Boll më me ëndrra se do fusin në burg Berishën dhe Ramën! Boll më të përdoren edhe si vegla nga ata që e shkatërruan këtë vend me themel.

        Njerëz të ndershëm, të aftë dhe atdhetarë ka plot. Që kanë mbetur anash se nuk kanë dashur të përlyen në llumin 36 vjeçar. Në korrupsionin e pafund, në vjedhjet dhe grabitjen e pasurive kombëtare, në kthyerjen në lëpitkë të ambasadorëve të huaj etj etj. Pra këta njerëz duhen kërkuar. Pa rënë në karikaturën e Sazan Gurëve apo Pilinxhave!

      Pra duhet një ndryshim prej 180 gradësh në strategjinë e protestës. Nuk mund të vazhdohet më kështu. Me shpresën se Shqipëria bëhet mund dhe duhet të dalin në protesta në mbarë Shqipërinë 1 milion veta. Vetëm kështu zhduken nga skena e Shqipërisë Berishat, Ramat, Shkëlzenët, Ulajt, Kastratët dhe zengjinët e tjerë hajdutë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment