Kur ia hap varrin vetes

Deri para pak kohësh Edi Rama i kishte punët shumë mirë. Brenda vendit kishte autoritet dhe i dëgjohej fjala me respekt. Jashtë vendit e prisnin si i barabarti mes të barabartëve. Askund nuk i shiheshin kundërshtarë. Berisha vazhdonte të cilësohej si « non grata ». Zgjedhjet i fitonte me lehtësi.

Por papritur gjithçka u prish dhe vajti për dreq. Shkak u bë një tërheqje zvarrë e një banori të zonës së Zvërnecit nga një farë policie private, ndërkohë që policia e shtetit rrinte dhe shikonte!

Në fakt pakënaqësitë ndaj stilit të tij të drejtimit kishin filluar të shtoheshin pak e nga pak. Por askush nuk fliste me zë të lartë. Vetë kryeministri java shtatë e ai tetë, do të gjendej në ndonjë avion për tu takuar me të mëdhenjtë e kësaj bote. Madje iku deri në Japoni për « të biseduar” edhe me kryeministren e atij vendi !

Duke u takuar me Merz, Macron, Starmer dhe deri me Trump, filloi t’i dukej vetja si i madh ndërmjet të mëdhenjve. Shqiptarët filloi të mos i konsideronte shumë. Dhe as t’i pyeste.  Mendimet e tij i dukeshin shumë të vyera.

Para Melonit binte në gjunjë me një farë teatralizmi.  Për të forcuar lidhjet personale me administratën amerikane e pa të udhës të prishte marrëdhëniet edhe me Erdoganin dhe i hodhi sytë nga Izraeli. Prandaj vajti deri në Jeruzalem ku mbajti edhe një fjalim për të vënë duart në kokë para Knesetit, parlamentit izraelit.

Politika e tij e brendshme ekonomike ishte një tjetër skandal më vete. Roli i shtetit në të u zerua. Gjithçka ua la në dorë oligarkëve. Strategjia e tij ekonomike kishte vetëm një emër : turizmi. Prandaj desh e ktheu gjithë vendin në një hotel/restorant gjigand. Asnjë fabrikë apo kombinat të përpunimit të lëndëve të para nuk ngriti gjatë këtyre 13 viteve në pushtet.

Por sidomos vajtja në Sazan e dyshes famoze Jared Kushner dhe Ivanka Trump ia luajti fare trurin. Nuk e la rastin t’i shpëtojë nga dora dhe iu ngjit atyre deri në jahtin e Rotçildëve ! Ata « ga » dhe ky « na »!

Bisedonte se çfarë mund të ndërtonte çifti i famshëm në ishullin e Sazanit dhe ujdhesën e Zvërnecit. Dhe që këto plane të realizoheshin sa më shpejt dhe pa asnjë pengesë, ndryshoi edhe disa ligje rreth pronave në bregdet apo bjeshkë, të njohura si ligji i investitorëve strategjikë. Që u jepte këtyre të fundit pushtet të pakufizuar në pasuritë bregdetare dhe atyre malore të vendit.

Asnjëherë nuk i shkoi ndërmend se çfarë mund të mendonin njerëzit për këto veprime. As që i kishte në hesap. Gjithçka mbetej në terr. Asnjë lloj informacioni. Shqiptarët gjithçka e mësonin nga shtypi i huaj apo nga vetë deklaratat e Ivankës dhe Kushnerit.

Mllefi pak nga pak nisi të shtohej. “Ndofta nuk jam edhe aq socialist i mirë” – mburrej ai para kryeministres italiane. Dhe në fakt kishte të drejtë. Nuk ishte fare socialist.

Deri sa erdhi dita që shqiptarët thanë: boll më. Kush është ky që vepron si Esat Pasha ?! Që sillet me Shqipërinë sikur ta ketë pronë të tij personale, që mund t’ia fali kujt të dojë ?!

Dhe njerëzit u grumbulluan poshtë zyrës së tij. « Shqipëria nuk është në shitje » – ishte thirrja e tyre kryesore. Dhe kërkonin futjen në burg të dy drejtuesve kryesorë të kësaj periudhe 36 vjeçare. « Rama në burg, Berisha në burg » !

Kryeministri u kap i papërgatitur. Vetëm këtë nuk e kishte menduar.Ai që 2 vjet më parë pritej si rockstar nga mërgimtarët sa në Greqi aq edhe në Itali, Ndërsa sot i ulurinin poshtë dritares së tij!

Nuk po kuptonte asgjë. Dhe iu desh kohë të ftillohej. Për herë të parë foli hapur dhe publikisht rreth projekteve të Sazanit dhe Zvërnecit,një muaj pas shpërthimit të protestave. Por ishte vonë. Zjarri kishte marrë hov dhe nuk kishte zjarrfikëse ta shuante.

Në ditët e para njerëzit mbushën plot e përplot bulevardin. Si për të treguar se sa e madhe ishte pakënaqësia ndaj ish piktorit dhe ish sportistit tash kryeministër.

Manifestime që tash vazhdojnë prej më shumë se 100 ditësh. Megjithëse jo me « yryshin » e parë. Ylli i tij u zvenit. Shtypi i huaj i bëri një jehonë të paparë këtyre protestave, të pagëzuara si “Revolucioni flamingo”. Se filloi vërtet si një lëvizje në mbrojtje të natyrës, për të përfunduar në një lëvizje kryekëput politike.

Aq poshtë i ka rënë reputacioni saqë edhe në avion, nga nuk i ndahet shpirti, do dalë edhe ndonjë qytetar i zakonshëm që ta telendisë dhe ta akuzojë se po shet vendin. Siç ngjau sot në avionin që po e çonte kryeministrin shqiptar të merrte pjesë në hapjen e një konsullate në Napoli.

Se pse duhej të ishte ai vetë në këtë ceremoni askush nuk e di. Kur fare mirë mund të shkonte edhe ministri i jashtm apo ambasadori shqiptar në Itali. Siç duket çdo udhëtim jashtë vendit i bën mirë. Se e qetëson.

Askush nuk e di tani se si do vejnë punët. Përkrahësit e Berishës e kanë ngritur kokën. Janë futur edhe midis protestuesve për ta devijuar protestën në një lloj mbështetjeje për « mujsharin » nga Viçidoli.

Ndryshe skandalet po i plasin në dorë njëri pas tjetrit. Qind për qind për faj të tij. Dy zëvëndëskryeministra, të zgjedhur nga ai personalisht, kërkohen nga SPAK-u si përvetësues të pasurisë publike.

Gjykatat tani që e kanë parë që po i rrëshket këmba, po përpiqen t’i japin edhe një të shtyrë tjetër. Duke kërkuar rritje pagash aq sa kanë qef vetë !

Edhe në mbledhje të administratës apo partisë së tij po i dalin gjithmonë e më shumë veta që e kundërshtojnë apo nuk e pyesin. Toka po i rrëshket nën këmbë, por nuk do ta japë veten. Dhe mbi të gjitha nuk do të japë dorëheqjen. Se kishte parashikuar të hynte në librat e historisë si fitimtar !

Edhe sa kohë do vazhdojë të mbesë në postin e kryeministrit?! Askush nuk e di. Ndofta as ai vetë. Por po e vëren se tani nuk po e ftojnë më në samitet ndërkombëtare, që i kishte aq shumë qef.

Mos të të hyptë vetja në qef – thonin shkodranët. Dhe atij i hypi vetja shumë në qef. Aq sa tani rënien do ta ketë shumë të dhimbshme. Dhe nuk ia ka fajin kush. Por veçse mendja e tij.

E filloi mirë para 13 vjetësh. Kishte ditur të ngjallte shpresë dhe besim te njerëzit. Por pak nga pak u shkëput nga hallet e tyre. Vetja filloi t’i përlqente aq shumë. Saqë nuk dëgjonte më askënd rreth e rrotull vetes. Të gjithë kishin filluar t’i dukeshin si miza dheu.

Por bota është me rrota – thonë shqiptarët. Dhe tani ai po e sheh veten, aty ku dikur kishte rrokullisur Berishën. Në shtyllën e turpit. Por turp i merituar.

Se u tregua tejet i lehtë. I papërgjegjshëm. I paaftë. Me një tendencë që t’i kapte dora veç njerëz të korruptuar. Nuk pranonte që nuk pranonte të qeveriste me seriozitet dhe dorë të fortë. T’i vinte pikat mbi « i » ! Veç i la gjërat të ecnin në rrjedhën e tyre. « Unë jam mirë ! Ç’më duhen të tjerat » – ishte kumti që përcillte në çdo lëvizje dhe çdo hap ! Dhe ja tani. Edhe avionin aq të dashur nuk e merr dot më. Se do dëgjoi veç të shara. Që i meriton.

I prishi marrëdhëniet edhe me Albin Kurtin dhe Kosovën.  Se mbante anën e Vuçiçit. Çfarë të shkruash më shumë ?! Është për të të ardhur keq se si përfundoi kështu. Se nuk ishte i keq dhe i zi si Berisha. Se bëri edhe disa punë të mira. Por në fund e bëri si lopa. E derdhi kovën. Tani le t’i mbajë personalisht përgjegjësitë e gabimeve të veta. Që nuk janë pak. Deri edhe me pasoja për mbarëvajtjen e vendit.

Shumë i djathtë, shumë liberal, shumë kozmopolit, shumë i dashuruar pas vetes. Aq sa tani askush nuk e di si do përfundojë. A do ta mbyllë dot mandatin e 4-t apo do të detyrohet të dorëhiqet?! Turpi është i tij.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment