Protesta duhet të synojë tani cilësinë, jo sasinë

Nesër thuhet se do zhvillohet një tjetër protestë mbarëkombëtare, me pjesëmarrjen e  diasporës por ndofta edhe të studentëve që tani rinisin shkollën.

Pra parashihet të jetë një manifestim më i madh se këto ditët e fundit. Dhe me siguri që do të ketë edhe njerëz që vijnë kush e di nga ku, që do të marrin edhe mikrofonin për të shprehur bindjet, pikëpamjet apo dufin e tyre !

Një ritual ky që po përsëritet prej mbi 100 ditësh ! Po a nuk ka ardhur koha që diçka të ndryshojë ?! Ndofta edhe vetë strategjia e këtij tubimi që ka shkaktuar aq jehonë sa brenda edhe po aq jashtë vendit ?!

Edi Rama veçse këtë nuk e priste. Ai që ishte mësuar ta prisnin si ndonjë star rokenrolli në tubimet e tij me diasporën sa në Greqi, Itali etj. Ndërsa sot është dispora që vjen e manifeston kundër tij. Ose më mirë të themi kundër politikave të tij, sidomos në fushën e shfrytëzimit të pasurive kombëtare !

Protesta, e cila ditët e para e mbushi tej e përtej bulevardin « Dëshmorët e Kombit », sa i futi të drithmat gjithë klasës politike në vend, ka pasë disa parulla të jashtëzakonshme dhe me shumë jehonë në Shqipëri dhe në botë, siç janë ato : « Albania is not to sell », « Rama në burg – Berisha në burg », « Shqipëri e re », « Revolucion » etj. etj.

Shihet qartë se manifestuesit nuk janë fare të kënaqur nga mënyra se si është qeverisur vendi gjatë këtyre 36 viteve të fundit. Prandaj edhe kërkojnë një « Shqipëri të Re », pra një mënyrë tjetër drejtimi dhe qeverisjeje !

Gjë që nuk u vjen fare për shtat atyre që përfituan nga gjurulldia dhe korrupsioni i këtyre viteve ! U shit e gjithë Shqipëria, për tu pasuruar vetëm një grusht njerëzish !

Deri më tani drejtuesit e maskuar të protestës kanë pasur si synimin e tyre kryesor masivitetin e saj. Për t’i treguar gjithë botës mbarë se sa të pakënaqur janë shqiptarët, qoftë me Edi Ramën, por më në gjërësi me gjithë klasën politike që ka sunduar këto 35 vite nën emrin e bukur demokraci !

Por kam bindjen se tani ka ardhur koha që të hiqet dorë nga sasia dhe masiviteti i protestës dhe theksi të vihet te cilësia dhe programi i saj. Të mos mjaftohen vetëm me ato 5 pikat e shpallura që tregojnë se manifestuesit dinë se çfarë duan, por nuk dinë se çfarë do bëjnë pastaj.

Shqipëria nuk ka nevojë për një 1997 tjetër. Boll u shkatërrua, u cfilit dhe u rrënua gjatë periudhës 1991 – 1997.

Tani gjithçka duhet kryer me evolucion. Shkallë – shkallë. Revolucion tingëllon bukur, por ai shpesh herë shoqërohet edhe me gjak dhe anarshi. Drejtuesit e protestës, ata që së paku mbajnë mikrofonin, duhet tu spjegojnë sot njerëzve se çfarë kuptojnë ata me “Shqipëri të Re”?! Dhe si duan ta ndërtojnë këtë Shqipëri?!

Pra ka ardhur koha e shpalosjes së programeve. Boll më me shëtitje në rrugët e kryeqytetit. Tani protesta duhet të ngrihet në një shkallë të re. Më cilësore.

Ajo e kreu misionin e saj tronditës dhe maskëçjerrës. Ajo u tregoi pushtetarëve se Shqipëria, me pasuritë dhe bukuritë e saj nuk është në shitje. As te kapitali i huaj, as te ai vendas. Asgjë tani e tutje nuk do të jetë më si më parë.

Nuk duhet të harrojmë se kur shqiptarët humbën paratë e tyre më 1997 në piramidat financiare, të nxitura dhe lejuara nga Sali Berisha, ata u ngritën si një trup i vetëm. Sot që ata po xhvishen nga të gjitha pasuritë e tyre kombëtare, ata duhet të ngrihen përsëri. Pa dhunë dhe kallashnikovë, por duke mos qëndruar në kafe apo indiferentë për fatet e vendit të tyre.

Që në fund të fundit janë edhe fatet e fëmijëve të tyre ! Veçse nëse nuk kanë vendosur t’i « eksportojnë » edhe ata rrugëve të botës !

As Rama, as Berisha nuk kanë qënë dhe janë pronarë të pasurive të vendit. Dhe nëse kujtojnë se i kanë vënë shqiptarët në xhep, se I kanë trullosur me fjalët “demokraci” dhe “do hyjmë në Europë”, këta të fundit kanë mbi 100 ditë që po u tregojnë se shqiptarët janë zgjuar. Se ata dinë të protestojnë dhe të mbrojnë atë që është e tyre.

Edhe në mos u përgjigjshin fizikisht para ndonjë gjykate popullore për çfarë ata i kanë bërë vendit këto 36 vite, me siguri që do hynë në histori, që të dy, si shitësit dhe shkatërruesit e Atdheut. Afërsisht si Esat Pasha!

Atëhere si do u ngrika kjo Shqipëria e Re?! Nga kush?! Sepse në protestë marrin pjesë grupime të ndryshme, me synime dhe ideologji krejt të kundërta. 

Disa i bën bashkë zhgënjimi se si Shqipëria përfundoi kështu! Por disa të tjerë kanë synime shumë më praktike! Si psh të risjellin PD-në dhe Berishën në pushtet. Po a mund të ndërtohet “Shqipëria e Re” me varrmihësin dhe shkatërrimtarin e vendit?! Marrëzi e pafund.

Disa të tjera kanë synime fetare. Ngritjen dhe forcimin e myslimanizmit! Këta duan të na çojnë në kohën e Sulltan Hamitit. Apo të na kthejnë në mashë të përplasjeve të sotme ndërkombëtare !

Ka edhe majtistë, apo fanatikë të ish-diktatorit Enver Hoxha ! Po Shqipëria nuk ka më nevojë të rikthehet në vitin 1945. Me mbylljen e kufijve, me luftën e klasave etj etj.

Pra kjo koshere bletësh duhet qetësuar ! Dhe duhet bërë e qartë se si do ndërtohet kjo Shqipëri e Re. Si do i kthehen popullit pasuritë e grabitura, të privatizuara apo të shitura për 1 euro !

Në këtë mënyrë duke shpalosur hapur programin e « Shqipërisë së Re » dhe duke mbetur konsekuentë në kërkesën e burgosjes së 2 njerëzve që kanë sunduar së bashku vendin për 26 vjet nga 36 gjithsej, përkrahësit e Berishës, islamit dhe Enverit do të largohen vetëvetiu pak nga pak nga kjo protestë.

Ata po të duan le të dalin dhe të protestojnë kudo tjetër, por bulevardi u takon atyre që janë të zhgënjyer nga këto vite tranzicion. Jo atyre që kërkojnë zëvendësimin e një idhulli të tyre nga një idhull tjetër !

Nuk mundet më të vazhdohet kështu. O « Shqipëri e Re » o rikthim 30, 80 apo 600 vjet prapa !

Ka ardhur koha që ajo pjesë e manifestuesve, ajo pakicë që është e shqetësuar për fatet e vendit të transformohen tani në misionarë ! Në misionarë të « Shqipërisë së Re » ! Dhe të mos mjaftohen me marshimet në bulevard, por njëlloj si « Dëshmitarët e Jehovës » të trokasin derë më derë me një fletushkë apo broshurë në dorë për tu spjeguar njerëzve se si do të jetë kjo « Shqipëria e re », si do të ndërtohet dhe për tu kërkuar votën në zgjedhjet e ardhshme, qoftë lokale qoftë legjslative.

Ky duhet të jetë sot misioni i ri i protestuesve. Të mos e lejnë veten të gënjehen as nga Rama, as nga Berisha dhe as nga militantët e tyre!

Protesta  tashmë duhet të ketë një bosht, një qëllim, një program dhe një synim. Masiviteti duhet t’ia lëjë vendin cilësisë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment