Ka disa javë që një konflikt ndërinstitucional ka plasur në Shqipëri. Ai midis gjyqësorit dhe qeverisë. Gjithçka filloi kur sistemi i drejtësisë vendosi t’ia rriste pagat vetes. Se 900 000 mijë lekë në muaj u dukeshin fare pak. Afërsisht 10 herë e një mage mesatare në vend.
Për këtë “nismë” ata i drejtuan edhe një ultimatum parlamentit. Të merrej me këtë punë dhe ta firmoste deri më 31 korrik! Por duket se as parlamenti dhe as qeveria nuk e vunë ujët në zjarr. Madje kryeministri deklaroi se rrogat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk do ngrihen. Se boll i kanë kaq sa i kanë !
Pse Rama iu kundërvu, për herë të parë deri më sot, kupolës së drejtësisë ? Që të dukej dorë e fortë apo se ia kishte inatin për punën e Ballukut ?! Këtë askush nuk e di !
Atëhere pikërisht sot, e enjte 10 shtator, gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, e cilësoi situatën si të jashtëzakonshme, duke theksuar se bllokimi i pagave nuk është më thjesht një problem financiar, por prek funksionimin normal të gjykatave, pavarësinë e gjyqësorit dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese !
Domethënë po nuk na rritët pagat aq sa duam ne, keni prekur pavarësinë tonë dhe nuk po zbatoni as vendimin e Gjykatës Kushtetuese ! Bishti dhe sqepari !
Sadushi shkoi edhe më larg kur deklaroi se një vendim përfundimtar i Kushtetueses mund të kritikohet apo të mos pëlqehet, por nuk mund të lihet pa u zbatuar. “Kur ai është përfundimtar, nuk diskutohet më nëse pajtohemi me të, por diskutohet vetëm se si do të zbatohet”, u shpreh zyrtari i lartë i drejtësisë!.
“Në një shtet të së drejtës, organi shtetëror i nënshtrohet vendimit, jo vendimi vullnetit të organit shtetëror”, shtoi ai. Sadushi theksoi se e drejta e gjyqtarëve për pagë buron nga Kushtetuta dhe ligji dhe nuk mund të varet nga planifikimi buxhetor.
Në përfundim, kreu i Gjykatës së Lartë e vendosi debatin në një kuadër më të gjerë, atë të kulturës kushtetuese dhe integrimit europian.
Sipas tij, respektimi i vendimeve të gjykatave dhe ndarja e pushteteve janë tregues të funksionimit real të shtetit të së drejtës. “Shteti i së drejtës nuk matet me gatishmërinë për të zbatuar vendimet që na leverdisin, por me bindjen ndaj Kushtetutës, kur zbatimi është i vështirë”, tha përfaqësuesi i sistemit të drejtësisë.
Pak e çuditshme kjo oratori. « Unë ia ngrej pagën vetes së ashtu e gjykoj dhe qeveria nuk duhet të ma bëjë fjalën dy se shkelet pavarësia e gjyqësorit dhe prishen edhe planet e hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian » ! – kjo ishte me pak fjalë përmbajtja e fjalimit të përfqësueit të institucionit më të lartë gjyqësor në vend.
KJo ngjan në një kohë kur drejtësia është institucioni më i paaftë dhe i korruptuar. Kur dosjet aty kanë vite që nuk lëvizin nga vendi. Megjithë të ashtuquajturin « Vetting » që u ndërmorr ndaj disa gjykatësve dhe prokurorve që ishin bërë me pallate dhe vila !
Po le ta marrim shtruar : Kush është institucioni më i lartë në vend ?! Drejtësia apo Kuvendi që harton ligjet që drejtësia duhet t’i zbatojë ?! Parlamenti që zgjidhet një herë në 4 vjet nga « Sovrani » apo gjyqtarët dhe prokurorët që zgjedhin njëri-tjetrin përjetësisht ! Ky është problemi.
Edhe në kohën e diktaturës pohohej se Kuvendi Popullor ishte institucioni më i lartë në vend. Pavarësisht se në realitet ishte Partia e Punës që nuk pyeste njeri ! Por tani ky Sadushi la të kuptohet se ata vendosin vetë për veten dhe se po nuk u zbatua vendimi i tyre qeverinë do e presi e zeza! Pra do ta çojë çështjen deri në Strasburg të gjykohet nga kolegët e tij !
A nuk do ishte më mirë që qeveria tu thoshte gjyqtarëve se pa bërë punën për të cilën paguheni, jo vetëm që nuk do keni rritje rrogash, por edhe pagat që merrni deri më sot do ua përgjysmojmë ! Sikur të kishim një shtet të vërtetë.
E keqja është, dhe e keqe e madhe shumë, se vetë parlamenti ka vepruar po në të njëjtën mënyrë. Afro një vit më parë edhe deputetët ia ngritën rrogat vetes. Atëhere çfarë mund të presësh edhe nga ata ?!
Tani jemi tamam aty ku duhet të jemi. Kasta politike po jeton dhe po pasurohet në kurriz të njerëzve të varfër. Dhe majmet çdo ditë e më shumë sa nga shitja e pasurive kombëtare aq edhe nga borxhi që shteti merr për t’i paguar rrogat e majme « elitës » !
Se për pensionistët apo të papunët askush nuk merakoset. Ata nuk kanë të drejtë dhe as fuqi tua ngrenë rrogën vetes deri sa të mos vdesin për bukë!
Ka shumë gjëra që duhen rregulluar sot në Shqipëri. Aq sa mund të thuhet se gjatë këtyre 36 viteve 90 përqind e gjërave në vend janë bërë gabim dhe vetëm 10 për qind si duhet!
Prandaj edhe njerëzit janë të mllefosur si me kastën politike në përgjithësi, politikanët, gjyqtarët, mjekët, oligarkët,zyrtarët e lartë të administratën etj, por po ashtu edhe me Ramën, Berishën dhe kompani!
Pa diskutim që nuk mund të ecet më kështu. Me këtë papërgjegjshmëri, babëzi dhe arrogancë të pafund! “O na ngrini rrogat sa duam ne o bë nami deri në Strasburg » ! – thonë gjykatësit.
Kjo politikë, kjo praktikë, kjo sjellje dhe kjo qeverisje duhet të marrë fund. 36 vite janë shumë. Pak nga pak po barazohen me periudhën e komunizmit që krijoi një barazi të varfërisë. Ndërsa kjo periudha e tashme duket se ka krijuar pabarazinë më të madhe të mundshme në vend.
Njerëz me vila, jahte, aeroplana privatë, me dhjetra apartamente në emër të krushkut, baxhanakut etj etj. Si psh Balluku , ish-zëvëndëskryeministre, që po i zbulohen vilat njëra pas tjetrës. Të fshehura në gjithfarë lloj emra bedelësh!
Është e vërtetë që vendi sot ka nevojë për një Shqipëri të Re. Po ata që janë ngritur në protesta a do t’ia arrijnë dot të krijojnë një model të ri, të drejtë, të begatë dhe të barabartë ?! Nuk ka asnjë shans !
E vetmja gjë që mund të bëjnë është të risjellin Berishën 3 përsëri në pushtet ! Dhe kështu vazhdon loja e kungulleshkave deri në infinit. Një herë unë, një herë ti, një herë ai atje ! Me kusht që asgjë të mos ndryshojë !
Por gjyqtarët dhe prokurorët kanë nevojë urgjente sot tu ngrihen pagat. Dhe kjo është më kryesorja !
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment