Disa media të huaja kanë shkruar këto ditë se fitorja e partisë fashiste AfD është e lidhur, ndër të tjera, edhe me zhgënjimin e që kanë pësuar gjermano-lindorët përgjatë këtyre 36 viteve tranzicion. Se edhe në Gjermaninë Lindore fabrikat janë mbyllur ose janë lënë të shkreta! Ndërsa më cilësoret u trasferuan në Gjermaninë Perëndimore.
Drejtuesi i “AfD-së për landin Sachs Arnahlt, Ulrich Sigmund, gjatë fushatës zgjedhore i ra kryq e tërthor landit të tij, i hypur mbi një motor i prodhuar në kohën e Republikës Demokratike Gjermane, pra kur Gjermania ishte e ndarë më dysh. Ky motor thuhet se i ngjante shumë motorëve “Java”, aq shumë të përhapur në Shqipëri në kohën e diktaturës.
Po ashtu ka zëra që i lidhin protestat në Tiranë me partinë neomarksiste të Arlind Qorit. Nuk e di se sa e vërtetë është kjo, por thuhet se ku ka zë – nuk është pa gjë!
Shqiptarët 60 vjeç e sipër e kujtojnë ende kohën kur Shqipëria ishte e mbushur me uzina, fabrika, kombinate dhe ndërmarrje të çfarëdolloji! Dhe shohin edhe kohën e sotme kur vendi është kthyer veç në një restorant/hotel gjigand që i mban sytë nga turizmi dhe nuk prodhon më asgjë!
Në Shqipëri termi “Ostalgji” nuk është shumë i përhapur. Ndryshe nga sa ka ngjarë në Gjermaninë Lindore dhe në disa vende të tjera të ish “Kampit Socialist”! Kështu psh në ish vendet e dala nga Jugosllavia ekziston ende një nostalgji për periudhën e Titos. Para më shumë se një viti në zgjedhjet e organizuara në Rumani fitoi një përfaqësues i së majtës nostalgjike. Por zgjedhjet atje u anulluan me preteksin e ndërhyrjes ruse dhe ai që guxoi t’i dilte kundër elitës së tashme politiko/ekonomike përfundoi në burg!
Edhe sundimi 16 vjeçar I Orbanit në Hungari thuhet se ka të bëjë me nostalgjinë e kohës kur në vend kishte ligj dhe rregull dhe mafia shihej vetëm në kinema.
Për vete, termin “ostalgji”, (nostalgji për Lindjen ish-komuniste), e kam dëgjuar për herë të parë të përdorur gjatë një konference shtypi nga presidenti i Komisionit Europian në fillim vitet 2 000, Romano Prodi.
Po a ia vlen që shqiptarët të tregohen sot nostalgjikë të një kohe kur futeshe në burg edhe për një fjalë goje dhe kur duhet të çoheshe që me natë për të blerë një shishe qumësht?! Për kohën kur fshatarit jo vetëm nuk i lejohej të shpërngulej nga fshati në qytet, por as bukën nuk mund ta blinte në atje?! Dhe nuk po flas këtu për tollonat e mishit një herë në javë, kafes kur kishte, gjalpit etj etj.
Për mendimin tim nuk këtu ka vend për asnjë lloj nostalgjie. Ai regjim, në atë formë që ekzistonte, mos u ktheftë më kurrë në jetë të jetëve.
Por njerëzit janë qënie të çuditshme. Ata i harrojnë kollaj vuajtjet dhe shtrëngimet e një epoke dhe sjellin ndermend vetëm gjërat e mira të asaj kohe. Si psh përparimin e vendit në të gjitha fushat, rendin e sigurt, barazinë relative, shëndetësinë falas për të gjithë dhe një sistem arsimor të cilësisë së lartë! Kështu duket se ka ngjarë edhe me gjermano-lindorët, kështu me ish-jugosllavët, me shqiptarët, sidomos me ata që po protestojnë prej 100 ditësh në bulevard etj etj.
Megjithatë duhet pohuar se rendi demokratik perëndimor ka qënë mbështetur gjithmonë në dy kollona të forta. E para : ekonomia e tregut ! Dhe e dyta pluralizmi politik.
Është tashmë tërësisht e provuar se ekonomia e tregut krijon begati dhe i bën njerëzit të jetojnë në mirëqënie. Nëse ka edhe një shtet shpërndarës të pasurisë ! Shembulli i Kinës në këtë rast është shumë domethënës. Pa e ndryshuar sistemin politik, por vetëm duke shfrytëzuar të mirat e ekonomisë së tregut, Kina u kthye brenda 40 vitesh në një superfuqi që po rivalizon sot edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës !
Ndërsa shqiptarët nuk ditën të kalonin nga ekonomia e planifikuar në atë të tregut të lirë. Por shkatërruan dhe rrënuan gjithçka se do vinte « çeku i bardhë” t’i vinte gjërat në vend!
Edhe me pluralizmin politik nuk qullosëm gjë. Votat u vodhën masivisht duke filluar që nga viti 1996, kur zgjedhjet u organizuan nga Partia Demokratike dhe vazhdojnë të vidhen edhe sot ku më shumë e ku më pak.
Tani disa protestues, në fakt pjesa më e ngritur e tyre, kërkojnë një Shqipëri të Re, ku pasuritë publike të shfrytëzohen nga shteti. Pra që ato të mos jepen me koncesion, të privatizohen apo të fallen!
Në një farë mënyre duket se ata po kërkojnë një kthim 36 vite pas. Në atë kohë kur toka bujqësore, kromi, bakri, uji, lumi, lëndina, kullota, pylli, nafta etj etj ishin të përbashkëta dhe pasuria e nxjerrë prej tyre u takonte të gjithëve.
Po a mund të realizohet sot diçka e tillë?! Për mendimin tim kjo është krejtësisht e pamundur. Sidomos kur shihet se sot ka ende njerëz që po kërkojnë edhe tokat që dikur të parëve të tyre ua kishte falur xhaxhi Sulltani! Për shërbimet që ata i kishin bërë “Portës së Lartë”! Atëhere si mund t’ua marrësh sot pronat atyre që i kanë “fituar” gjatë këtyre 35 viteve?!
Prandaj “Ostalgjia” është diçka, tregon diçka, por realiteti është diçka krejt tjetër!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment