Sot pothuajse të gjithë janë të bindur dhe e pranojnë se Shqipëria gjatë këtyre 35 vjetëve nuk zgjodhi rrugën e duhur në ecjen e saj drejt demokracisë. Kjo bindje është përforcuar edhe më shumë gjatë këtyre afro 100 ditë protestash. Çdokush kuptoi dhe pa se nuk ishte i vetmi i pakënaqur nga mënyra se si është udhëhequr vendi që nga viti 1991 !
Se ndërmjet komunizmit diktatorial dhe kapitalizmit të egër kishte edhe rrugë të tjera ! Por siç ngjan gjithmonë me shqiptarët, ne jemi të prirur të vrapojmë drejt zgjidhjeve më të dëmshme dhe më të rrezikshme.
Pa as diskutimin më të vogël ne duhet të dilnim nga kthetrat e komunizmit diktatorial, nga partia unike në pushtet, që kishte në dorë gjithçka, deri edhe jetët e njerëzve.
Por kjo dalje u shoqërua me shkatërrime të paimagjinueshme, me rrënimin total të shtetit, me mbylljen e të gjitha ndërmarrjeve prodhuese, që arritën kulmin me firmat piramidale në vitin 1997 !
Aq shumë është folur për këtë periudhë të mbrapshtë 1991 – 1997 saqë nuk ia vlen t’i përmendësh përsëri. Të gjithë e njohin atë periudhë kur nuk guxonin të dilnin as nga shtëpitë se kudo kërciste automatiku !
Ndryshe kush na e shtiu në vesh atë idenë se gjithçka që ishte ndërtuar me aq mund, gjak dhe sakrifica përgjatë 45 viteve të sistemit komunist duhej hedhur përtokë ?! Me siguri ata të « çekut të bardhë ».
Duhet thënë se edhe shqiptarët ishin mësuar disi keq. Sidomos me ndihmat që i vinin vendit në ato kohë nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe më pas edhe nga Kina. Dhe bëhej fjalë për miliarda dollarë.
Dhe shqiptarët besuan se mjaftonin të ndërronin drejtimin e timonit dhe ndihmat do të binin nga qielli. Por Perëndimi i zbriti me këmbë në tokë. « Ne të japim një herë një peshk, dhe pastaj të mësojmë se si zihet peshku » – ishte përgjigja ndaj atyre që rrinin dhe prisnin ndihmat me gojën hapur.
Ishte edhe dikush tjetër që sokëllinte nga maja e presidencës : « Do të varfërojmë shtetin dhe do pasurojmë individin » ! Dhe individi e kuptoi këtë klithmë si leje për të grabitur gjithçka që ishte publike, e përgjithshme dhe për ta kthyer në private dhe personale.
Dhe pasi gjithçka e shkatërrua dhe u rrënua, atëhere syri iu vu pasurive nën dhe mbi tokësore të vendit. Ata që erdhën në pushtet filluan të jepnin me koncesion gjithçka që u kalonte nëpërt duar : nafta, kromi, uji, pylli, bregdeti, bjeshkët etj etj.
U kuptua se gjithka ishte e shitshme. Mjafton të ndryshonje pak ligjet. Dhe kështu dolëm nga komunizmi diktatorial dhe ramë në kapitalizmin më të egër dhe të paparë!
Sot shumica e shqiptarëve faktikisht kanë ngelur me gisht në gojë. Gjithçka ka kaluar në duart e oligarkëve vendas dhe miliarderëve të huaj. Rasti i firmës shumëkombëshe “bankers” është dëshmitari më i mirë i kësaj katrahure.
Prej afro 20 vitesh ajo shfrytëzon naftën shqiptare pa derdhur asnjë qindarkë në arkën e shtetit. Se kontratat u lidhën siç deshte ajo. Kuptohet në këmbim të disa milionave nën dorë me të cilat ngrihen edhe sot grataçielat në Tiranë!
Disa grataçiela oligarkësh, por në kurriz të popullit i mbetur pa një shëndetësi humane dhe për të gjithë, pa një arsim cilësor, pa pensione të mjaftueshme dhe pa, pa, pa…
E pra gjithë kjo e keqe që pllakosi vendin erdhi nga dikush, ish komunist I flaktë, që sokolliste si i çmendur kundër komunizmit! Që e hoqi nga gërxhet dhe guvat dhe e solli në Tiranë! Dhe u vazhdua më pas edhe nga të gjithë pasuesit e tij si Nano, Meta dhe tani Rama. Madje ky i fundit po e ngre në një shkallë edhe më të lartë shitjen e pasurive të vendit!
Këta njerëz që dolën papritur në krye, u sollën me Shqipërinë sikuar ajo të ishte kthyer në pronë të tyre, lënë trashëgim nga Ramë Berisha, Thanas Nano apo Kristaq Rama!
Në fakt një qeveri është administratore e pasurive publike të vendit dhe jo pronare e tyre. Ku e gjetën të drejtën këta qeveritarë të shesin pasuritë qindravjeçare të vendit, që i takojnë një populli të tërë?!
Ky ishte gabimi! Ky është krimi i ngjarë ndaj shqiptarëve! Për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Se edhe pas 100 vjetësh pasardhësit e pronarëve të sotëm do të kërkojnë pronat e tyre të falura nga Berisha dhe Rama gjatë këtyre 35 vjetëve. Njëlloj si pasardhësit e bejlerëve dhe çifligarëve të dikurshëm që sot kërkojnë tokat që u ka falur xhaxhi Sulltani, për shërbimet e tyre ndaj Portës së Lartë!
E pra kishte edhe mënyra të tjera për të dalë nga komunizmi dhe për të instauruar sistemin kapitalist. Sepse një sistem kapitalist siç duhet është një dhuratë e rënë nga qielli për njerëzit. Me kusht që të jetë një kapitalizëm që të mendojë për të gjithë, dhe jo vetëm për një grusht oligarkësh pasunarë!
Ky lloj kapitalizmi quhet kapitalizëm me fytyrë Njeriu, socialdemokraci, ekonomi sociale e tregut etj etj. Sidoqoftë nga kapitalizmi shqiptarët mësuan dy gjëra: Së pari se çfarë është ekonomia e tregut! Dhe së dyti pluralizmin politik.
Koha dhe praktika ka provuar se ekonomia e tregut krijon pasuri, ndërsa pluralizmi partiak ndalon vendosjen e diktaturës dhe forcon demokracinë.Por, siç shkruam edhe më sipër, ka kapitalizëm dhe kapitalizëm. Ka kapitalizëm ku ti nuk ke të drejtë të shesësh apo të privatizosh pasurinë publike. Por mund të bëhesh pronari i 100 fabrikave dhe ndërmarrjeve nëse i ke ndërtuar me duart e tua!
Por në Shqipëri nuk është ndërtuar asgjë! Oligarkët shqiptarë janë pasuruar thjesht duke blerë dhe shitur në bashkëpunim me politikën. Dhe dukeiI ndarë fitimet përgjysëm. Në një ekonomi sociale tregu do të ishte e ndaluar që minierat e kromit, të hapura gjatë periudhës së socializmit, të binin në duart e privatëve. Njëlloj si nafta, bregdeti, kromi etj etj.
Shteti, nëse do të ishte shtet si duhet, këto pasuri mund t’ia kalonte edhe privatit për 10 ose 20 vjet. Por me kusht që 90 përqind e fitimit që do dilte nga shfrytëzimi i pasurive kombëtare të shkonte në arkën e shtetit dhe 10 përqindëshi i mbetur, pasi të ishin zbritur më parë të gjitha shpenzimet, të futej në xhepin e oligarkut! Çfarë të keqe do të kishte?!
Por po ngjan e kundërta: Oligarkëve u jepen me qira apo u falen të gjitha pasuritë e vendit në raportin 90 për qind për ta dhe 10 për qind për shtetin!
Ja pra se si mund të kalohej nga ekonomia shtetërore e komunizmit në ekonominë e tregut të lirë në kapitalizëm. Por nuk u veprua kështu. Përkundrazi u veprua krejtësisht ndryshe. Privatizime, koncesione, dhënie për 1 euro dhe për 99 vjet etj etj. Dhe po vazhdohet përsëri kështu.
Saqë Shqipëria nesër do të kthehet në pronë e 500 oligarkëve vendas dhe miliarderëve të huaj. Dhe kjo do të jetë tragjedia më e madhe e vendit. Edhe më e madhe se pushtimi turk.
Se kësaj rradhe shkatërrimi vjen prej nesh. Prej atyre që vetë i kemi zgjedhur të na qeverisin! Prandaj manifestuesit kanë shumë të drejtë kur protestojnë. Sepse asgjë nuk është bërë si duhet gjatë kësaj epoke! Madje gjithçka është bërë për së mbrapshti. Veçse për pasurimin e pamasë të një grushti njerëzish!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment