Edi Rama ka filluar të « lëvizë ». Duket se e ka kuptuar që e ka mbushur kupën. Që njerëzve u ka ardhur në majë të hundës me të. Me arrogancën dhe paaftësinë e tij. Me papërgjegjshmërinë me të cilën ka udhëhequr vendin këto 13 vite !
Duket se e ka kuptuar po ashtu se nuk ecet gjithë jetën, me parullën : »Unë jam më i mirë se Sala » ! Se ka parë që njerëzit i janë larguar kësaj gracke. Në bulevard çdo ditë kërkohet që si Rama, si Berisha, të përfundojnë në burg. Për gjithë të këqijat që i kanë shkaktuar këtij vendi në emër të “demokracisë”!
Për rrafshimin e atyre qindra fabrikave, uzinave dhe ndërmarrjeve prodhuese që ishin ngritur me aq djersë dhe mund gjatë 45 viteve të sistemit komunist. Për shkatërrimin me themel të shëndetësisë, arsimit, sistemit të mbrojtjes etj etj.
Për futjen në vend të krimit, drogës, prostitucionit, korrupsionit dhe shumë të këqijave të tjera. Dhe mbi të gjitha për nxjerrjen në ankand të vendit. Herë me parullën “Shqipëria 1 euro” dhe herë të tjera me atë të “investitorëve strategjikë”! Duke ia dorëzuar madje edhe pasuritë kombëtare oligarkëve vendas dhe miliarderëve të huaj.
Se këta të fundit janë të panginjur për të fituar sa më shumë. Në rangun ndërkombëtar u bë e njohur psh edhe përlarja nga Trump e 65 miliardë fuçive me naftë nga Venezuela pas arrestimit të diktatorit Maduro. Po ashtu në Ukrainë ku banka e investimeve dhe fondit të pensioneve « BlackRock » po përvetëson me mijëra hektarë tokë! Njëlloj si me Zvërnecin dhe Sazanin, që ende nuk dihet nëse kanë shpëtuar nga kthetrat e investuesve të huaj apo jo !
Dhe kështu këta kampionë të demokracisë, Berisha, Nano, Meta dhe Rama, i lanë shqiptarët me gisht në gojë. Me të vetmen mundësi mbijetese largimin në emigracion! Se grabitën, vodhën, shitën dhe dhanë me koncesion gjithçka që ishte publike dhe i takonte një populli të tërë !
Prandaj Rama ka filluar tani të na shkruajë hartime të reja me emra të bukur si “Besa », « PasqyrAlbania” etj etj. “Vijuam edhe sot punën intensive ”, shkruan sot Rama, duke renditur ndër prioritetet e qeverisë së tij kalendarizimin e “Pranisë Besnike”, mekanizmat e rinj të ndërveprimit qeveri-deputetë dhe ndryshimet ligjore për “PasqyrAlbania”. Po ashtu ai po flet tani flet edhe për një lidhje më të forta të qeverisë me qytetarët !
Rama u ka kërkuar drejtuesve politikë në qarqe të dalin më shumë në zonat e tyre elektorale. Bashkë me strukturat e PS-së, deputetët dhe kryetarët e bashkive, ata do të hartojnë një axhendë takimesh me qytetarët për të evidentuar shqetësimet, si ato individuale, ashtu edhe problematikat e komunitetit, që lidhen me rrugët, plehrat apo investimet.
Shqetësimet e mbledhura në terren do t’u përcillen ministrive përgjegjëse, ndërsa ndjekja institucionale e tyre deri në zgjidhje do t’i ngarkohet një zëvendësministri.
Në mbledhje u diskutua edhe për ndryshimet ligjore që kërkon platforma e re “Pasqyrë Albania”, e prezantuar nga Rama në Pogradec. Synimi është që në këtë platformë të grumbullohen dhe ndiqen ankesat e qytetarëve të cilat duhet të marrin përgjigje brenda dy javësh.
Platforma do të funksionojë përmes dy mekanizmave: “Flamingo Albania”, që do të mbledhë ankesat dhe shqetësimet e protestuesve dhe “Radar”, që do të gjurmojë rrugën e trajtimit të tyre nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.
Tani po shihet qartë se atë që nuk e kishte bërë për 13 vite me rradhë, Rama u kujtua ta bëjë tani. Dmth të bëjë shtet me ligje dhe rregulla të barabarta për të gjithë. Të luftojë korrupsionin në administratë si dhe në nivelet më të larta pranë tij! Të dëgjojë ankesat e qytetarëve etj etj.
Se po sheh se çdo ditë po i plasin në dorë skandale njëri pas tjetrit. Arrestime të ministrave dhe zv/kryeministrave, por po ashtu edhe të bosëve të krimit që thuhet se janë të lidhur me të. Po e ndjen se laku po i mblidhet. Dhe po përpiqet të shpëtojë.
Në shtator në Tiranë do kthehen edhe studentët. Dhe nuk i dihet puna me ta. Se me siguri edhe ata do i bashkohen protestave që po mbushin 100 ditë në bulevard duke kërkuar një Shqipëri të Re, një Shqipëri të ndryshme nga sa ka qënë këto 36 vite.
Protestat sikur asgjë tjetër të mos kenë bërë, duhen përshëndetur për çjerrjen e maskës së këtij regjimi hajdutësh dhe të korruptuarisht që fshihej pas emrit « demokraci » ! Dhe kjo nuk është pak. Është një fitore e madhe për ata që u shanë, u përgojuan, u mallkuan, u quajtën tradhtarë, të shitur te greku, serbi dhe Irani. I akuzuan si vegla të islamizmit apo të neomarksistëve. Që nuk e duan « parajsën » që kanë ndërtuar në këtë vend gjatë këtyre 36 viteve Berisha, Nano, Meta dhe Rama !
Sa më kujton kjo kohën e komunizmit, kur ata që nuk ishin me diktaturën personale dhe gjakatare të Enver Hoxhës persekutoheshin, ndiqeshin, burgoseshin apo internoheshin! Etiketoheshin si armiq të partisë dhe të popullit. Meqë nuk ishin dakort me mendimet e “vyera” të “komandantit” dhe “kryearkitektit”!
Megjithëse nuk është e njëjta kohë dhe nuk janë të njëjtat dënime dhe persekutime, prapëseprapë edhe ata që nuk janë sot dakord me mendimet dhe pikëpamjet e “Liderit Global” shihen me sy të keq. Aq sa pothuajse asnjë intelektual me peshë apo person publik (me pak përjashtime) nuk ka guxuar t’i bashkëngjitet kësaj proteste !
Por studentët janë frikë e madhe. Me një javë demonstrata andej nga viti 1990, ata e demaskuan regjimin deri sa vendosën pluralizmin në vend. Tani prej afro 100 ditësh vazhdojnë protestat në Tiranë, por Rama duket se nuk do të shkulet nga « istikami » !
Prandaj dridhet dhe përdridhet. Dhe na shpalos çdo javë nga një platformë të re. Madje pohon se protestat i kanë bërë mirë! Se ato kanë qënë më dobiprurëse dhe më të fuqishme edhe se sa ato të opozitës së vdekur!
Duket se pas 13 vitesh në pushtet tani u kthjellua ! Ja pra pse duhet që populli të mos hajë bar. Por të ngrihet të kërkojë të drejtat e veta, të kërkojë një Shqipëri të denjë, të përparuar dhe të begatë. Se ajo nuk është pronë as e politikanëve dhe as e oligarkëve, që të mund të sillen me të si të duan.
Se në fund të fundit Shqipëria mbetet streha e vetme e afro 4 milionë shqiptarëve, ku ata mund të fusin kokën në rast fortunash dhe tërmetësh politike në planetin tonë !
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment