A i keni ndjekur lajmet më të fundit? Të këtyre dy ditëve?! Arrestimin e atij Ergysit në Tiranë dhe shokut të tij të “aferave” në Francë apo edhe për Cincon që “vepronte”në Belgjikë dhe Itali?!
Të gjithë këta ishin bërë tejet të pasur. Jetonin si sheikë, me avionë privatë, kështjella, apartamente, orë prej 200 000 mijë eurosh, miliona në bankë etj etj.
Dhe janë vetëm maja e ajsbergut. Ajo që është zbuluar deri më sot. Se ka edhe plot “marifetxhinj” të tjerë që nuk janë zbuluar ende. Se thuhet se kanë edhe lidhje të forta politike. Disa me Edi Ramën, disa me Sali Berishën dhe disa të tjerë, më të zgjuarit, me të dy !
A i keni parë grataçielat që po ngrihen në Tiranë ?! Resortet anë e mbanë vendit?! Hotele të shtrenjta, plazhe të zaptuar, pyje të privatizuar (sikur të jemi në kohën e Robin Hud-it) etj etj. Por asnjë fabrikë apo uzinë. Asnjë për be !
Disa gojë të këqija madje thonë që sheh më shumë vetura lluksoze në Tiranë, se në Hamburg ! Si spjegohet ?! Ndryshe edhe euro po e humbet çdo ditë e më shumë vlerën e saj ! Aq të mëdha janë prurjet jo vetëm të emigrantëve dhe turistëve të huaj, por sidomos nga hyrjet e parave të pista nga krimi shqiptar i shtrirë sot anë e mbanë botës.
Ndërkohë 2 nga zëvendësit më të afërt të kryeministrit, Ahmetaj dhe Balluku, kërkohen nga SPAK-u. Po ashtu një ish- kryeministër dhe kryetar parlamenti si dhe kryetari i bashkisë së kryeqytetit gjenden nën arrest në pritje të gjykimit. Të gjithë të akuzuar për korrupsion. Pra për futje duarsh në arkën e shtetit ose marifete të tjera me tendera, shitblerje etj etj.
Dikur andej nga fillimet e viteve ’90 bisedonja shpesh herë me një mikun tim, publicit i njohur (R.P.) dhe i thosha: « Çfarë bëhet kështu mos jahu » ?! Ishte koha kur nuk kishte më as drita, as ujë, as rend dhe as … shtet. Dhe ai më përgjigjej rëndë rëndë :”Kështu është bërë edhe Amerika” !
Tani edhe unë besoj se jo vetëm Amerika, por edhe një pjesë e mirë e botës është bërë, ashtu siç po bëhet Shqipëria sot !
Atëhere çfarë duhet bërë, si duhet vepruar ?! Për mua duhet pranuar gjendja kështu siç është. Se nuk ka rrugë tjetër. Dhe nëse ka, ajo do të jetë me të përpjeta dhe tatëpjeta të dhimbshme. Jo se kjo rruga, ku ka 35 vite që po ecim, është fushë me lule, (në fakt është e mbushur me rrodhe dhe gjëmba), por se kjo duket se i shkon më shumë për shtat natyrës së shqiptarëve.
Por ka disa « budallenj » në bulevardin e Tiranës, që mund t’i quash edhe naivë apo idealista, që nuk janë dakort me këtë. Ata po na kërkojnë sot një Shqipëri të Re ! Të ndryshme nga kjo e 36 viteve të shkuara ! Madje disa prej tyre madje bëjnë thirrje edhe për « Revolucion » !
Një Shqipëri ku populli është zot i pasurive të veta. Një vend ku kromi, nafta, toka, pylli, lumi, bregdeti, bjeshkët etj etj të jenë pronë publike dhe jo private. Një Shqipëri me një arsim cilësor, me një shëndetësi humane dhe për të gjithë, një drejtësi që bën vërtet drejtësi, në një shoqëri të barabartë, pa krime, pa vrasje, pa imoralitet etj etj.
Më duket se këto protesta, pas atyre të studentëve në dhjetor të vitit 1990, shprehin zhgënjimin e dytë të madh për shqiptarët gjatë këtyre 100 viteve të fundit. U zhgënjyen tmerrësisht nga sistemi diktatorial komunist. Nga shtypja dhe varfëria. Por duruan duke parë se pavarësisht të gjithave vendi po përparonte në të gjitha fushat e jetës : Industri, bujqësi, kulturë, art, shkencë.
Por kishte edhe plot gjëra të zeza. Sigurimi i Shtetit bënte kërdinë duke përgjuar çdokënd se çfarë thoshte. Kush ishte i kënaqur dhe kush i pakënaqur. Derisa atij sistemi i erdhi fundi i tejet merituar.
U shpresua se me “demokracinë” Shqipëria do bëhej një vend i pasur, i lirë dhe i përparuar. Por u kthyem 100 vjet prapa. Sidomos gjatë viteve 1991 – 1997, kur gjithçka u shkatërrua dhe u rrënua!
Vetë ekzistenca për shumicën e popullsisë u bë problematike. Zgjidhja e vetme mbeti emigracioni. Largimi drej vëndeve të pasura dhe të qytetëruara perëndimore.
Si pasojë lindi edhe krimi. E filluan skafistët që i nxirrnin njerëzit në anën tjetër të Adriatikut. Pastaj filloi edhe nxjerrja e vajzave, herë me mashtrime dhe herë me dhunë dhe forcë, si prostituta rrugëve të Europës. Jeta u bë e pasigurt si nga ana ekonomike, por edhe nga ana e sigurisë dhe rendit. Vendin e Sigurimit të lemerishëm e zuri mafia e përbindshme.
Shteti nuk dukej gjëkundi. Berisha thoshte : « Lëmëni mua të sundoj, dhe unë ju lë të bëni si të doni ! ». Filloi edhe droga. U ngrit edhe « Republika e pavarur e Lazaratit ».
Pas tyre nisi korrupsioni dhe etja për para. Me çdo kusht, mënyrë dhe pisllik! Filloi nga koka dhe vazhdoi te këmbët. Nga një vend që prodhonte gjithçka që i duhej për të mbijetuar, Shqipëria u kthye në një vend që prodhonte vetëm krim dhe drogë.
Dhe ja ku kemi arrirë sot. Saqë ata në protesta kërkojnë edhe futjen e Berishës dhe Ramës në burg. Për shitjen dhe nxjerrjen e Shqipërisë në ankand. Sikur të ishte një skllave e kohërave moderne!
Ndërkohë që Berisha pritet të marrë pjesë së shpejti në kongresin e republikanëve në Uashington dhe Rama në atë të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel!
Atëhere me Protestën apo me Ramën dhe Salën?!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment