Edhe Berisha, edhe Rama në krah të protestës?!

          Dje ndodhi një ndryshim i papritur dhe i paparashikuar. Për herë të parë kryeministri i vendit u shpreh me nota pozitive për protestën! “Gjithçka që ka ndodhur ka gërryer shtratin e lumit të qeverisjes dhe raportit të qytetarit me qeverisjen, por në këtë vorbull këta që do të dalin më të fortë janë qeveria dhe qytetarët, sepse qeverisja do të përmirësohet dhe jo thjeshtë sepse duhet të përmirësohet ndryshe nuk ka pse vijon. Ka qenë një dhuratë kjo që ka ndodhur pasi nuk kemi pasur një opozitë të na sfidojë realisht, por e ka bërë protesta”, tha ai!

       Pasi i pati sharë dhe quajtur sorra dhe korba, agjentë të Iranit, të grekut, të Vetvendosjes; të islamistëve nga Maqedonia etj etj, tani ai duket se u kthjellua dhe vendosi të ndryshonte taktikë.

        Sa të përplaset me protestuesit a nuk do të ishte më e dobishme t’i merrte me të mirë ata?! Ja pra: protesta do e nxitka qeverinë që tani e tutje të punojë më mirë! Të ketë më shumë parasysh interesat e qytetarëve dhe të vendit! Sepse opozita nuk paska qënë e aftë.  A ka më mirë se kaq?!

       Ndërsa Berisha që prej kohësh ka ndjekur një taktikë tjetër. Ai ka bërë çfarë ka pasur në dorë që te njerëzit të krijohej përshtypja se ishte ai që fshihej pas kësaj lëvizjeje. Se protesta mbështetej nga të gjithë demokratët etj etj.

        Pavarësisht se manifestuesit që nga dita e parë dhe deri më sot kanë kërkuar futjen në burg si të Ramës, ashtu edhe të Berishës. Se ata, protestuesit, kërkojnë një Shqipëri të Re, krejt e ndryshme nga Shqipëria që kanë ndërtuar Berisha, Nano, Meta dhe Rama gjatë këtyre 36 vjetëve. Por Berisha duket se ka aftësinë që të mos dëgjojë ato që nuk i shkojnë për shtat!

         Edhe socialistëve u interesonte ta mbështesnin këtë rrëfenjë  të Berishës. Pra që ishte ai që qëndronte pas protestave. Duke pasur parasysh se shumica e shqiptarëve e urrejnë atë, ata mendonin se protesta do të sfumohej në rast se njerëzit bindeshin se ishte Berisha pas tyre.

       Siç shihet sot protesta nuk ka më asnjë kundërshtar. Lajm I madh dhe i shumëdëshiruar ky.  Të gjithë janë bërë me të! Por me synimin e vetëm që ajo, protesta, të mos ndryshojë asgjë. Sidomos që Berisha dhe Rama të mbeten aty ku janë!

       Po a ishte ky qëllimi i protestës?! A do të pajtohen sot manifestuesit me Ramën?!  Kjo duket se është thjesht e pamundur. Se protestuesit kanë një vizion tjetër. Ata kërkojnë një Shqipëri të Re dhe të përparuar. Ata nuk duan më që t’i gënjejnë me hyrjen e Shqipërinë në Europë, por kërkojnë që Shqipërinë ta bëjnë Europë.

      Ata duan një shëndetësi humane, një arsim cilësor, një administratë të pa korruptuar, një kapitalizëm me fytyrë Njeriu, zgjedhje të ndershme ku të jetë populli që zgjedh kandidat deputetin që do dhe jo kryetarët e partive, pensione dinjitoze etj etj!

     Shkurt ata kërkojnë një Shqipëri krejt të ndryshme nga kjo e këtyre viteve. A do e realizojnë dot ata këtë Shqipëri të drejtë, të barabartë, të qashtër dhe të begatë për të gjithë?!

    Pa dashur të bëj avokatin e djallit them se është e pamundur. E keqja ka hyrë shumë thellë në shpirtin e shqiptarit dhe të mbarë shoqërisë. Aq sa është e pamundur sot ta shkulësh.

     ”Jini realistë, kërkoni të pamundurën”. Kjo ishte kërkesa e rinisë studentore franceze në vitin 1968! Afërsisht 60 vjet më parë. Ndofta edhe protestuesit sot duhet të jenë realistë dhe të kërkojnë të pamundurën! Largimin një herë e mirë nga skena politike të Berishës dhe Ramës!  Ku i dihet?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment