Kur e bën veten të të zënë me gurë

Kështu po ngjet tani edhe me Edi Ramën. Ai tashmë e ka humbur autoritetin dhe vezullimin e tij të mëparshëm. Aq sa duket sikur është rikthyer përsëri koha kur njerëzit thonin : »Të gjitha fajet i ka Saliu » !

Dhe tani duket se të gjitha fajet i ka Rama. Aq sa tani atë po e akuzojnë edhe për ato që ka , por edhe për ato që s’ka. Psh po e akuzojnë për autokrat dhe autoritar. Rama çdo gjë mund të jetë, vetëm autoritar jo. Përkundrazi ai është liberal në kulm. Nuk ka kërkesë llogarie, nuk e lufton korrupsionin. Vë në krye, apo si zëvëndësa të tij veçse hajdutë me çizme, si Ahmetaj apo Balluku! I lë gjërat të rrjedhin në lumin e tyre, edhe fenomenet e mbrapshta, dhe nuk u bëhet digë atyre!

Tani edhe në mbledhjet që zhvillon me kryebashkiakët, ka që po i dalin haptazi kundër. Saqë është I detyruar t’i nxjerrë nga salla, për të rivendosur autoritetin e dërrmuar.

Në fund i doli edhe një birbo, andej nga Vunoi, që ishte duke mbledhur fiq. Ai kur pa se makinat e grupit shoqërues të kryeministrit, kishin parkuar në vend të ndaluar, u skandalizua!

« Po ç’bëhet kështu mor ti » ?! – uluriti ai. Neve, « njerëzve të thjeshtë », po t’i parkojmë makinat aty, hamë direkt gjobë, ndërsa makinat e kryeministrit as që duan t’ia dinë.

Siç duket ai ende nuk e ka kuptuar se ndërsa është e vërtetë që të gjithë janë të barabartë, disa janë më të barabartë se të tjerët ! Ndryshe dihet se makinat e policisë, ato të ambulancave apo edhe zjarrfikësit kanë të drejta, që i tejkalojnë ato të shumicës. Dhe kështu ngjan në të gjithë botën. Ndryshe bëhen të gjithë si këmbët e dhisë dhe nuk e merr vesh i pari të dytin !

Këto sulme ndaj kryeministrit filluan sidomos pas shpërthimit të protestave në bulevard. Si pasojë e veprimeve pa mend të tij. Ramës i kishte hypur aq shummë vetja në qef saqë kujtoi se u kthye në padronin e vendit dhe filloi të hartonte dhe përpilonte edhe ligje që i mundësonin të falte apo të jepte me qira edhe territore të tëra të vendit. Njëkohësisht të gjitha projektet apo planet e tij i mbante larg syrit të njerëzve.

Epo kur takohesh çdo javë me të mëdhenjtë e kësaj bote, pa dyshim që fillon të të duket edhe vetja jote si i barabartë me ta. Sikur i di dhe i njeh më mirë punët e kësaj bote.

Dhe prandaj tani ai po dëgjon në bulevard sharje që as që i kishte menduar ndonjëherë se do i ndodhnin. Aq shumë e ka humbur vezullimin dhe autoritetin  tij të mëparshëm, saqë duket se tani të gjithë kanë filluar ta zënë me gurë. Edhe brenda PS-së, disa po e shohin veten si kandidatura të mundshëm për ta zëvëndësuar. Kur ai të jetë i detyruar të japë dorëheqjen.

Se nuk mund të vazhdohet gjithmonë kështu. Me njerëz para bulevardit që kërkojnë çdo mbrëmje largimin e tij. Dhe vjen një kohë që nervat nuk të mbajnë më. Dhe thua : « Kështu duan ata ?! Po iki dhe do ta shohim se si do venë punët »!

Sepse deri më tani Rama pritej si i barabarti ndërmjet të barabartëve edhe nga udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe më tej. Aq sa java shtatë dhe ai tetë do të ishte në avion për të marrë pjesë në ndonjë samit ndërkombëtar, për luftën, paqen, klimën, tregtinë etj etj.

Por sot që të gjithë po e shohin që i ka rrëshqitur këmba, nuk duket se po e ftojnë më në takime të tilla. Jo vetëm se është kohë pushimesh, por se nuk po e konsiderojnë më si sundimtarin absolut të këtij vendi që quhet Shqipëri !

Dhe dihet se kur të rrëshqet këmba të tjerët të japin të shtyrën. Kështu po ngjan sot edhe me Edi Ramën. Dhe mirë t’i bëhet se e meriton. Se nuk ka dashur kurrë të ndërtojë një shtet efikas, me rend, shëndetësi, ekonomi, arsim, dhe drejtësi si duhet. I ka lënë gjërat zvarrë se nuk ka dashur as të marrë përgjegjësi mbi vete dhe as të përplaset me oligarkët .

Ai vetë ishte mirë. Ishte i lumtur.Çfarë i duheshin të tjerat dhe të tjerët?! Dhe ja rezultati! Saqë sot ngjan si Berisha nr 2. Një udhëheqës i mbaruar, i konsumuar, që nuk ka se ç’të ofrojë më. Që me një fjalë e ka mbyllur ciklin!

Kjo ngjarje duhet të bëhet mësim edhe për të tjerët. Për ata që do vinë pas. Dhe siç thonë latinët :“Sic transit gloria mundi”. Kështu merr fund lavdia!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment