Po sikur Rama të japë papritur dorëheqjen ?!

       Jo sot. As nesër. Por ndofta pas 3 apo 6 muajsh. Dhe tu thotë shqiptarëve se është mërzitur dhe lodhur me ta. Se gjithçka e ka bërë për të mirën e vendit etj etj. Por ata nuk e kanë kuptuar dhe as merituar ! Se nga Rama dhe psiqika e tij çfarë nuk pret !

         Sigurisht që të gjithë sharlatanët, bashibozukët dhe militantët e Berishës do të hidhen përpjetë nga gëzimi në këtë rast. Se ata mund të futen dhe të vjedhin përsëri nëpër dogana, administratë, gjykata, shëndetësi etj etj ; mund të ngrejnë edhe republika të tjera të pavarura të hashashit, siç ka qënë ajo e Lazaratit në Gjirokastër etj etj.

       Por për Shqipërinë si do bëhet: më mirë apo më keq në rast se Rama largohet papritur ?! Se nuk dihet se çfarë dimri vjen prapa. Sidomos në rast të një largimi « duke përplasur derën » ! Por edhe një largim duke lënë një trashëgimtar pas vetes nuk është zgjidhje. Se jo vetëm shumica e protestuesve, por me siguri edhe shumica e njerëzve, kërkojnë një Shqipëri ndryshe nga ajo e Ramës dhe Berishës. Pra një Shqipëri të Re. Dhe një trashëgimtar i Ramës nuk mund ta sjellë këtë ndryshim.

      Po le ta marrim me qetësi dhe me ngadalë. Çfarë mund të ngjasë në rast të largimit të kryeministrit aktual ? Disa thonë se duhen mbajtur zgjedhje të reja. Një vit e gjysëm pas atyre të fundit ! Dakord. Por zgjedhje midis kujt ?! Përsësri midis PS-së dhe PD-së ?! Çmenduri. Se ato zgjedhje do t’i fitojë përsëri PS-ja, kushdo qoftë në krye të saj. Se opozita nuk ngjall asnjë besim në shtresat kryesore të popullsisë. Kur dihet se edhe populli shqiptar është në përgjithësi i majtë!

       Dhe atëhere do zhvillojmë zgjedhje pas zgjedhjesh deri sa PS-ja të humbë. Siç ndodhi gjatë viteve 1991 – 1992 ?! Por tani nuk është më ajo kohë. Sot pothuajse gjthçka ka ndryshuar. Sot kemi një PD të vdekur, (jo si ajo e 92-shit) ! që udhëhiqet që nga fillimi i pluralizmit në vend, nga një plak gërrmuq. Ndërsa PS-ja sidoqoftë i ka ndërruar nja 4 apo 5 kryetarë partie !

     Partitë e vogla – thatë ju ?! Ku janë se nuk po duken ?! Apo po fshihen akoma brenda protestës ?!  A nuk duhet që ato të kishin dalë prej kohësh në shesh, me fytyrën e tyre. Se nesër mund të jetë shumë vonë. Një parti do punë që të bindë elektoratin. Se duhet të parashtrojë një program, të përhapë edhe disa ide të thjeshta, por që t’i bëjnë për vete zgjedhësit, duhet të ketë udhëheqës karizmatikë dhe kryesorja duhet të ngjallë një shpresë të madhe në popull se me ata në krye vendi do ecë shumë më mirë.

       Ku janë këto parti?! Pra ja iku Rama ! Si do i bëhet më pas?! Do hyjmë në një periudhë tjetër destabiliteti dhe rrëmuje?! Do të mbetemi pa qeveri dhe rend, por duke vrapuar nga një zgjedhje te tjetra?! Shumë pikëpyetje.

      A i njohin këto pikëpyetje dhe rreziqe organizatorët e protestës?! Tashmë të gjithë janë të bindur se Rama duhet të largohet. Se e ka mbushur dhe derdhur kupën. Por duket se askush nuk e di se çfarë dimri mund të vijë nga pas ?!

       E keqja është se nuk ke me kë ta diskutosh këtë mundësi. Se protesta është pa kokë. Aty janë mbledhur nga të gjitha llojet. Ka nga ata që akoma ulërijnë « Poshtë komunizmi », sikur të ishim përsëri në vitin 1991. Ndërkohë që Ramën mund ta akuzosh për çfarë të duash, por vetëm për komunist jo ! Miku i Melonit, Trump-it dhe Makronit komunist?! Çfarë veprimi prej komunisti ka kryer ai gjatë këtyre 13 viteve?! Apo se ka shitur dhe po shet gjithë bregdetin shqiptar?!

         Thjesht Rama ka vazhduar të ecë me besnikëri në gjurmët e Berishës, Nanos dhe Metës. Edhe sepse në Shqipëri sot nuk kemi dy parti me ideologji të ndryshme. Kemi thjesht dy grupime që ndeshen për pushtet, privilegje dhe para ! Që pothuajse asgjë nuk i ndan.

        Këtu, dashur pa dashur, kemi imituar dy partitë kryesore amerikane : atë demokrate dhe republikane ! Që kanë të njëjtën ideologji, ose nuk kanë fare, por që luftojnë veçse për pushtet.  Njëra që mbështetet tek të pasurit, te familja, nacionalizmi, rendi dhe feja ; tjetra te shtresat e varfëra dhe globalizmi.

         Atëhere si i bëhet ? Cila është zgjidhja? Që edhe mishi të pishet edhe helli të mos digjet! Ndryshe që edhe Rama të largohet, bashkë me të tijtë, edhe Shqipëria të mos digjet përsëri si në vitet 1991; 1992; 1997!

       Siç thamë edhe më sipër zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje. As Revolucioni!  Ndryshe duhet të dalë dikush, një udhëheqës shpirtëror, karizmatik, me autoritet dhe reputacion në popull, që të udhëheqë ndryshimin. Jo protestën! Se ajo është një mish-mash, që shpreh veçse pakënaqësinë e grumbulluar të njerëzve gjatë këtyre 35 viteve të fundit. Dhe asgjë më tepër.

     Pra duhet të dalë dikush që të thotë se çfarë është bërë mirë gjatë kësaj kohe dhe çfarë është bërë keq apo edhe shumë keq. Dhe se si ai do i korrigjojë këto gabime në rast se vjen në pushtet !

      Gjë që nuk është e sigurt. Se sot Shqipëria gjendet para një lufte të re klasash. Nga njëra anë janë ata që kanë përfituar dukshëm gjatë këtyre viteve, që janë bërë me vila dhe pasuri brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu edhe lumpen-proletariati, llumi i dalë nga populli, vjedhësit, drogmenët etj. është kundër çdo lloj ndryshimi dhe vendosjes së një shteti të drejtë dhe autoritar. Se ujku mjegull do!

      Përballë tyre ndodhen tani ata që duan një Shqipëri moderne, europiane, të përparuar, për të cilën të jenë krenarë të gjithë shqiptarët, Brenda dhe jashtë vendit. Që të mos i ketë shitur dhe privatizuar pasuritë e saj mbi dhe nëntokësore: bregdetin, luginat, naftën, kromin, bakrin etj. etj. Një vend ku të prodhohet, deri edhe çipa elektronikë, po qe nevoja. Një vend me arsim cilësor dhe shëndetësi humane! Ëndrra në beze?! Me shumë mundësi.

      Se Shqipëria duket sot sikur nuk do të bëhet dot më kurrë. Aq shumë është prishur dhe rrënuar gjatë këtyre 35 viteve. E keqja ka hyrë kaq thellë saqë ajo ngjan tani me një të sëmurë në vdekje klinike.

       Protestat janë të bukura, shpresëdhënëse, por ndofta shumë idealiste. Se jeta dhe realiteti janë krejt ndryshe. Me shumë gjasa do përfundojmë si vendet e Afrikës qëndrore. Në mos më keq. Që flenë mbi diamante, por vetë banorët atje janë të varfër sa s’bëhet më !

     Se e humbëm rastin, që nuk kthehet më kurrë, pikërisht në vitin 1992 ! Kur gjithë ekonomia duhej të ishte rivënë në shinat e ekonomisë së tregut, dhe jo rrafshuar, shkretuar, rrënuar.

     Tani Shqipërisë i ka mbetur vetëm mejhania. Të kthehet në një han gjigand për turistët e të gjitha llojeve. Në një vend ku pothuajse çdo gjë importohet. Dhe për sa kohë që protesta nuk jep zgjidhje, nuk tregon rrugën, por vetëm shpreh duf dhe pakënaqësi, ajo është kot.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment