Shumë analistë, gazetarë, intelektualë, studiues të situatës politike në vend u kapën të befasuar nga shpërthimi kaq i papritur dhe i fortë i protestave në kryeqytet. Aq sa u desh kohë që ata të kuptonin shkakun e vërtetë të tyre.
Në fillim u fol për mjedisin, për flamingot, për zonat e mbrojtura, pastaj pak nga pak shkaku u çvendos te politika e kryeministrit, te faljet apo dhëniet me koncesion të pasurive të vendit, pastaj u fol për arrogancën dhe mungesën e transparencës nga qeveria ndaj zgjedhësve të saj dhe kështu me rradhë.
Por askush nuk tha se kjo lëvizje, ishte si një kthim në vendin e vet të pendulit, të lavjerrësit, që në orët e mëdha të murit, rregullon ritmin e zembrekut të sahatit.
Pra ishte një kthim në vendin e duhur. Pas 36 vjetësh ecje përpara me varé në dorë dhe symbyllur. Njerëzit kishin grumbulluar shumë duf dhe mllef ndaj mënyrës se si politikanët kishin drejtuar vendin gjatë kësaj periudhe. Se si ata kishin privatizuar, dhënë me qera për 1 euro zonat më të bukura të vendit, apo falur naftën, kromin, linjitin etj etj disa oligarkëve vendas apo miliarderëve të huaj.
Shumica e njerëzve nuk e kanë kuptuar ende dhe sot e kësaj dite se për çfarë arsye u shkatërruan gjithë ato qindra, uzina, fabrika, kombinate, pemëtore dhe ullishtore që ishin ndërtuar me aq gjak dhe mund gjatë 45 viteve të sistemit diktatororial. Udhëzimet e kujt u ndoën dhe kujt iu bë qefi që Shqipëria përfundoi në një vend që nuk prodhon më asgjë!
Vetë ministri i jashtëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rubio, pohoi 2 ditë më parë se vendet që nuk prodhojnë më asgjë janë të destinuara të zhduken nga faqja e historisë. Dhe një nga këto vende sot është edhe Shqipëria. E kthyer tashmë në një mejhane gjigande për të pritur veçse turistët e huaj!
Kjo nuk u kuptua nga këta analistë dhe studiues. U mendua se vjedhjet, grabitjet, privatizimet, shkatërrimet – ishin tashmë pjesë e sistemit që ishte zgjedhur nga vetë populli dhe tani nuk mund të kishte më kthim prapa! Gabim i rëndë.
Se shumica e shqiptarëve, pavarësisht se heshtnin, ata shikonin, dëgjonin, mendonin dhe gjykonin. Dhe dukej se shumica prej tyre nuk ishin asfare dakort me veprimet e Ramës, Berishës, Metës, Nanos e kompani. Se ata kishin mendimin se mund të veprohej edhe më mirë, se mund të silleshin edhe më drejt me pronën e përbashkët dhe me gjithë Atdheun e tyre !
Ishte e vërtetë se korrupsioni, grabitja, vjedhjet, imoraliteti etj etj kishin marrë revan saqë dukej se askush nuk mund t’i ndalonte dot më. Të fortët e lagjeve ishin aty. Kritika ndaj formave se si u vendos sistemi i ekonomisë së tregut në vend konsiderohej thjesht si nostalgji komuniste !
“Ja sot jeni të lirë të shkoni ku të doni , të flisni mbarë e mbrapsht” – çfarë doni më shumë ?! Ishte reagimi ndaj atyre që shfaqnin pakënaqësi. Duroni edhe pak sa të hyjmë në Bashkimin Europian dhe hallet tuaja do të marrin fund një herë e mirë – deklaronin nga tribunat e mbushura me lule politikanët e majmur të këtyre 36 vjetëve.
Por njerëzit duket se kishin filluar të kuptonin se çfarë do të thoshte Atdhe, peshën dhe rëndësinë e tij. Po vërenin po ashtu se si disa parti fashiste po kërkojnë kthimin pas të të gjithë emigrantëve të ligjshëm dhe të paligjshëm ! Dhe kuptuan atëhere edhe shprehjen e të vjetërve të dikurshëm : se guri i rëndë peshon në vend të vet!
Prandaj nuk pranuan që edhe ajo që u kishte ngelur, që ua kishte faluar Zoti apo Natyra që para mijëra vjetësh, politikant ta nxirrnin në shitje. Dhe që ata të ngeleshin përfundimisht me gisht në gojë.
Nuk pranuan po ashtu që disa të përvetësonin gjithçka, atë që i takonte popullit mbarë, pa ngritur qoftë edhe një uzinë apo fabrikë të vetme në vend.
Por vetëm duke vjedhur, grabitur dhe shitur pasuritë e vendit, duke u bërë të pasur me tendera apo korrupsionin marramëndës. Shqiptarët vazhdonin të iknin dhe në vend të tyre politika sillte indianë, filipinas, pakistanezë! Me një fjalë asgjë nuk shkonte si duhej.
Prandaj edhe penduli, lavjerrësi u kthye mbrapsht. Jo për tu rikthyer në kohën e komunizmit diktatorial, por në një sistem të ekonomisë së tregut që të mendonte për të gjithë, në një kapitalizëm të drejtë, me fytyrë Njeriu.
Ata kërkojnë një sistem shëndetësor publik që tu shërbejë me përkushtim të gjithëve, që spitalet të kishin në përdorim aparaturat më modern të kohës. Kur nuk ke as nga ato çfarë të duhet Kanye West?! Po i duhej atyre që i kanë mbushur xhepat dhe që tani duan të zbaviten. Ta shijojnë këtë jetë të shkretë!
Manifestuesit kërkojnë po ashtu një arsim cilësor publik, ku diplomat të mos shiten dhe blihen. Ku Shqipëria të mos renditet e fundit në botë për sistemin e saj mizerabël arsimor. Me një fjalë protestuesit, të paktën shumica prej tyre, kërkojnë një shtet të fortë, të drejtë, që të mendojë si për ta ashtu edhe për mbarë Atdheun.
Njerëzit janë tronditur gjatë këtyre 36 vjetëve kur kanë vërejtur se mund të dalësh i pafajshëm në gjyq nëse paguan para! Apo mund të lirohesh nga burgu para kohe edhe kur ke vjedhur, edhe kur je marrë me drogë apo me prostitucion! Prandaj ata kërkojnë sot në boulevard një “Revolucion”, një Sistem dhe një Shqipëri të Re.
Kthimi i lavjerrësit në histori nuk ndodh për herë të parë. Kështu ka ngjarë psh në Francë gjatë Revolucionit të vitit 1789, kur mbretit Luigji i 16 ia prenë kokën në gijotinë. Pas tij u vendos triumvirati dhe pas tij në pushtet erdhi Napoleoni që e shpalli veten perandor. Më pas u rivendos përsëri monarkia dhe ajo periudhë u quajt “Restauration » ! Pra rivendosje, rivënie e gjërave në vend.
Edhe shumica e shqiptarëve sot në protestë po kërkojnë një revolucion dhe një sistem tjetër. Boll më me firmat piramidale, me vjedhjet e parreshtura të votave, me 1997-tën, me braktisjen e Atdheut.
Thjesht, dhe ndryshe nga politikanët mashtrues, të pacipë, hajdutë dhe gënjeshtarë, ata po kërkojnë që ta sjellin Europën në Shqipëri ! Jo do hyjmë në Bashkimin Europian, por do ta bëjmë Shqipërinë Europë! Një vend që di t’i mbrojë pasuritë e tij kombëtare, që është krenar për atë që është, që dëshiron zhvillim ekonomik në të gjitha fushat.
Por këtu ka një problem. Dhe madje të madh. Se protestuesit përfaqësojnë vetëm një pjesë të shoqërisë! Ata mund të kërkojnë çfarë të duan, por ekziston po ashtu një pjesë tjetër e popullsisë që nuk do më asnjë lloj ndryshimi. Se humbasin parajsën. Që nuk duan shtet të drejtë që të dënojë të korruptuarit, përfituesit dhe vjedhësit. Se ata me atë rrojnë!
Si mund t’i kërkosh sot një mjeku, një gjykatësi, një nëpunësi të administratës, një polici dhe madje edhe një pedagogu që ai të mos pranojë më para nën dorë për ta bërë mirë punën e tij?! Dhe nuk po flasim këtu për ata mijëra veta që janë bërë me vila duke u marrë me krime, drogë dhe prostitucion në Perëndim! Se e keqja ka hyrë thellë në shoqërinë shqiptare.
Pra ka dy shtresa, dy klasa që përplasen. Në një anë ata që janë pasuruar marramëndshëm me punë të pista gjatë këtyre 36 vjetëve dhe atyre që duan një Shqipëri të Re për të gjithë shqiptarët! Duel i vështirë ky. Kush do të fitojë?!
A do vazhdojë Shqipëria të zhytet në gropën thithëse që i kanë hapur politikanët dhe shtresat e pasuruara gjatë kësaj epoke apo do të arrijë të dalë nga llumi?! I fortë ai që mund t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment