Që kur mori pushtetin më 2013, Rama shpalli tezën e tij « përtej së majtës dhe së djathtës » ! Pra një rrugë e mesme ndërmjet të dyjave. Po ashtu gjatë një takimi me Melonin ai pohoi se nuk ishte edhe aq socialist i mirë !
Dhe politika e tij ekonomike, aty ku të majtët dallohen nga të djathtët, nuk ka qënë edhe aq socialiste. Ai është mbështetur kryesisht te oligarkët vendas duke u falur apo dhënë atyre me koncesion të gjitha pasuritë nën dhe mbitokësore të vendit.
Dhe duket se ai e ka zët edhe që ta quash socialist. Që kur u zgjodh në krye të asaj partie ai pati dëshirë t’ia ndërronte asaj edhe emrin, përveç ngjyrës së flamurit që nga rozë e ktheu në mavi ! Dhe Partinë Socialiste desh ta pagëzonte me emrin « Rilindja ». Aq sa në fillimet e tij, as nuk e përmëndte fare fjalën socialiste.
Pa asnjë dyshim që ai ka të drejtën e tij të jetë i majtë, i djathtë, i qëndrës lart apo edhe i qëndrës poshtë ! Por kur je socialist dhe për më shumë kryetar i një partie socialiste, je i detyruar tu përmbahesh disa parimeve dhe rregullave të veçanta. Por Rama nuk do t’ia dijë për to.
Në të vërtetë duhet të ekzistojë edhe një ndarje ndërmjet politikave të një kryetari të një partie socialiste dhe një kryeministri. Kryetari i partisë mendon për ideologjinë dhe zgjedhjet, kryeministri për popullin dhe shtetin !
Prandaj në këtë kuptim Rama vepron mirë që mban marrëdhënie të afërta edhe me kryetarët e qeverive të djathta në Europë apo Amerikë, por ndryshe ai është i detyruar të veprojë si i majtë brenda vendit të tij. Gjë të cilën Rama nuk e bën.
Kjo politikë e tij pothuajse e djathtë ra në sy sidomos këto muajt e fundit me çështjen e Sazanit dhe Zvërnecit si dhe me aprovimin me shpejtësi të një ligji mbi « investitorët strategjikë » që u mundësonte këtyre të fundit të shtinin në dorë tokat më të mira bregdetare apo malore të vendit !
Shumë parti të majta dhe ekologjike europiane kanë ngritur kohët e fundit me forcë zërin kundër këtyre politikave të Ramës, i cili donte t’ia dhuronte në fshehtësi ose t’ia jepte me qera për 99 vjet Sazanin dhe Zvërnecin familjarëve të presidentit amerikan Trump !
Disa prej tyre madje kanë ardhur edhe në Tiranë në mbështetje të protestusve që kërkojnë një Shqipëri të Re ! Po a mjafton me kaq ?! Vetë partitë socialiste europiane çfarë linje mbrojnë ?! Janë ato pro apo kundër koncesioneve ?! Kundër apo pro dhënies me qera të pasurive të vendit shumëkombësheve të huaja apo oligarkëve vendas?! Pikëpyetje e madhe.
Se është vënë re, sidomos pas vitit 1989, që edhe partitë socialiste europiane kanë rrëshqitur djathtas drejt qëndrës së skakierës politike. Ato nuk janë më të majta si dikur?!
Në vend të partive socialiste që luftonin për të drejtat e proletariatit dhe punonjësve në vendet e tyre, ato u kthyen në parti societale që merren tani më shumë me të drejtat e grupimeve LGBTQ+, emigrantëve, mjedisit etj etj.
Këto parti psh nuk e ngritën zërin fare kur fabrikat dhe uzinat në Francë, Gjermani, Itali etj u shpërngulën të gjitha drejt Kinës, me gjithë teknologjinë e tyre, duke lënë pa punë me qindra mijëra veta në vendet e tyre! Dhe është një president i djathtë amerikan që i pari e ngriti zërin me forcë kundër globalizmit që po e dobëson pa fund Perëndimin !
Sidoqoftë, tani po vihet re një lloj kthimi në origjinë edhe për partitë e majta europiane. Sepse në skenë kanë dalë tani parti të reja edhe më të majta se ato socialiste apo laburiste. Siç ka ngjarë në Britani me Korbyn, në Francë me Melenchon etj etj.
Po le të kthehemi te situata në Shqipëri. Më 29 qershor, politikania greke Vula Tsetsi (Voula Tsetsi), e cila është edhe sekretare e përgjithshme e grupit të të Gjelbërve/Aleanca e Lirë Evropiane (Greens/EFA) në Parlamentin Evropian dhe anëtare e kryesisë së Partisë së Gjelbër Evropiane, iu bashkua protestave të qytetarëve dhe aktivistëve në Tiranë.
Gjatë fjalës së saj lidhur me mbrojtjen e mjedisit dhe vendimet për pronat/investimet publike, ajo mbështeti kërkesat e protestuesve dhe u bëri thirrje edhe institucioneve të BE-së që të ndjekin me vëmendje situatën në Shqipëri.
Nga Italia, eurodeputetja e majtë radikale Ilaria Salis (anëtare e aleancës “Alleanza Verdi e Sinistra” iu është bashkuar po ashtu edhe ajo protestave në Tiranë.
Gjatë fjalës së saj para protestuesve, Salis deklaroi se Shqipëria po jep një shembull guximi për të gjithë Evropën dhe se “Evropa e vërtetë nuk është në Bruksel, por këtu në rrugët e Tiranës”, duke mbështetur në këtë mënyrë aktivistët dhe lëvizjet qytetare kundër oligarkisë dhe projekteve zhvillimore në zonat natyrore.
Përveç Ilaria Salis dhe Vula Tsetsi, protestave dhe zhvillimeve në Tiranë gjatë kësaj periudhe u janë bashkuar edhe politikanë dhe eurodeputetë të tjerë të së majtës dhe të Gjelbërve evropianë. Ja disa prej tyre : Cristina Guarda nga Italia. Eurodeputete nga aleanca “Alleanza Verdi e Sinistra” dhe pjesë e grupit të të Gjelbërve/Greens-EFA në Parlamentin Evropian.
Ajo mori pjesë drejtpërdrejt në protestat në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku bëri thirrje për respektimin e standardeve mjedisore dhe të drejtave të qytetarëve. Jutta Paulus nga Gjermania udhëtoi edhe ajo drejt Tiranës për të mbështetur kërkesat e aktivistëve dhe qytetarëve lidhur me kujdesin ndaj zonave të mbrojtura natyrore. Po ashtu në Tiranë vajti edhe eurodeputetja holndeze, Anna Strolenberg.
Dhe kështu pjesëmarrja e këtij grupi eurodeputetësh e shndërroi dashur pa dashur çështjen e protestave në Tiranë në një temë diskutimi edhe brenda grupeve parlamentare në Bruksel dhe Strasburg.
Po a mjafton me kaq ?! A nuk do të ishte më mirë që partitë e majta europiane, sidomos ajo pansocialiste, ta dëbonin përkohësisht Partinë Socialiste Shqiptare nga ky forum, për sa kohë që i djathti Rama mbetet në krye të saj?! Ky mund të ishte një mësim i mirë edhe për të gjithë socialistët shqiptarë në vend.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment