« Misioni ynë do të vazhdojë deri kur të mbarojë me vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit në oborrin e Europës së Bashkuar. …Por, nga ana tjetër, dihet botërisht se ajo (BE-ja) nuk është një derë që rri hapur në pafundësi, por hapet një herë në çdo brez dhe mbyllet papritur, pa pyetur dhe pa pritur më askënd » – kështu u shpreh Rama gjatë takimit që zhvilloi dje në Tiranë me përfaqësuesit e lartë të Partisë Socialiste.
E vërteta është se partitë politike në Shqipëri kanë 36 vjet që ua kanë sjellë shqiptarëve shpirtin në majë të hundës me atë « planin strategjik » të hyrjes në Europë ! Kjo taktikë u ka shërbyer në rradhë të parë, pikërisht atyre, zotërve të vendit, që të rrinë sa më gjatë në pushtet duke i ngopur njerëzit me lugë bosh ! Në këtë lojë kanë pjesën e tyre edhe europianët që për vite me rradhë na kanë thënë se « ne e paskemi vendin në Europë » !
Së pari dihet se ne jemi Europë si nga ana racore ashtu dhe ajo gjeografike si vullnet i Perëndisë apo i rastësisë. Dhe Brukseli, Londra, Berlini etj nuk kanë asnjë meritë këtu. Ndryshe, e vërteta është e vërtetë, nga ana kulturore ne nuk jemi Europë. Për shkak të fesë mbizotëruese myslimane në vend. Volteri jo më kot ka thënë se feja është kulturë. Dhe kjo është 100 për qind e vërtetë.
Që ne ngjajmë me një lloj kau balash e shikon edhe gjatë festave të Bajramit të Madh dhe atij të Vogël, kur sheshi i heroit tonë kombëtar « pushtohet » nga mijëra njerëz që falen aty sipas riteve myslimane me hoxhallarët në krye të sheshit. Aq sa vendi ngandonjëherë të ngjan me një Turqi të vogël. Dhe në fakt Turqia e Madhe, ajo e vërteta, po mbahet larg BE-së veçse për shkaqe fetare.
Ndofta Rama ka të drejtë kur thotë se ky mund të jetë shansi i fundit i Shqipërisë për tu bashkuar me familjen europiane. Se shihet se Europa po ndryshon dhe do ndryshojë edhe më rrënjësisht në 3 – 4 vitet e ardhshme. Partitë nacionaliste dhe fashiste atje po marrin tani një hov të paparë. Në Francë psh, vitin e ardhshëm pritet të vijë në pushtet partia nacionaliste e Marin Lë Pen, e cila është shprehur hapur kundër futjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian !
Po ashtu në Britani, Spanjë, Portugali, Gjermani, Hollandë, Austri etj partitë nacionaliste po synojnë çdo ditë e më shumë të marrin pushtetin. Dhe ardhja e tyre në pushtet do të thotë një « Jo » e prerë për Shqipërinë. Europa e sotme nuk është më ajo që ka qënë dje, dhe nesër nuk do të ngjajë fare me Europën e sotme !
Prandaj e mira e të mirave do të ishte që qeveritë shqiptare sa të dalldisin njerëzit me premtime koti, le të punojnë më mirë që ta bëjnë Shqipërinë Europë. Por një strategji e tillë i ngarkon ata me shumë përgjegjësi, që ata as nuk duan dhe as janë të aftë ta marrin përsipër. Është shumë më e lehtë t’i nanurisësh apo drogosh ata me këngën e « hyrjes në Europë » !
Por edhe njerëzit atje, në vendet e kontinentit të vjetër, po kërkojnë sot më shumë siguri dhe më pak emigracion.Kështu spjegohet edhe forcimi i partive të ekstremit të djathtë që premton t’i realizojë këto kërkesa. Ndryshe edhe në Europë, si në Shqipëri, njerëzit janë të pakënaqur nga sistemi i drejtësisë, që shpesh herë mbron fajtorët përkundër viktimave të tyre. Apo që hedh poshtë vullnetin e sovranit me anë të disa gjyqtarëve të zgjedhur në Gjykatat Kushtetuese.
U zgjatëm shumë në këtë temë për ta bërë të qartë se hyrja në BE, edhe sikur të ngjasë, nuk do të kthehet në eliksirin e shqiptarëve. Europa ka sot problemet e veta. Por Rama, si Berisha dikur, vazhdon t’i bjerë fyellit në një vrimë.
Edhe në fjalimin e tij të djeshëm, një pjesë të konsiderueshme të tij ai ia kishte kushtuar, siç thamë, anëtarësimit në Europë si dhe ngritjes dhe rënies së partive politike në botë, duke filluar nga Argjentina deri në Singapor !
Por ai « harroi » me këtë rast të bënte edhe bilancin e qeverisjes së tij ! “Harroi” po ashtu të përmëndte Ahmetajn, Beqajn, Ballukun dhe kompani. « Harroi » po ashtu të përmendte Zegjinenë dhe plot deputetë dhe ministra anonimë dhe të paaftë, me të cilët ka mbushur qeverinë dhe parlamentin ! Dhe nuk spjegoi se përse shqiptarët duhet tua shesin pasuritë e tyre kombëtere dhe publike oligarkëve vendas dhe miliarderëve të huaj?! Se vetëm kështu u ndërtoka kapitalizmi?!
Sot u mësua se qeveria shqiptare i ka dhënë edhe një kompanie turke për 99 vjet një tokë për të ndërtuar resorte dhe hotele turistike vetëm për 1 euro ! Ndërkohë që shumë shqiptarë prej vitesh nuk marrin dot tapitë për pronat e tyre që u takojnë sipas ligjit!
Protestat e dy muajve të fundit duket se ishin si një vullkan që e zgjuan Ramën nga deliri i madhështisë ku ishte fundosur. Dhe pavarësisht se ai po përbetohet se nuk do të largohet nga posti, këto protesta po dëshmojnë një pakënaqësi në rritje ndaj qeverisjes së tij.
Një qeverisje e papërgjegjshme dhe e paaftë për tu dhënë zgjidhje problemeve. Dhe që po ndjek edhe një strategji tejet të gabuar në fushën ekonomike. Me një kryeministër të mbyllur në zyrën e tij ku los me lapsa me ngjyra dhe topa basketbolli.
Që mendonte deri më sot se ai do të sundonte i patrazuar deri sa të donte. Kështu mendonte edhe Berisha 30 vjet më parë, para se « kali » ta hidhte dy herë me këmbë përpjetë ! Dhe kështu mendojnë të gjithë ata që kanë humbur lidhjet me popullin.
13 vjet ishte një kohë mëse e mjaftueshme për të bërë gjëra të mëdha për vendin. Por çfarë ka bërë Rama ?! Përveçse turizmit, rrugëve dhe urave për turistët e huaj ?!
A kanë sot shqiptarët dritë dhe ujë 24 orë në 24 ?! Një shëndetësi cilësore dhe siguri ushqimore ?! Çmime që të jenë në përputhje me të ardhurat e tyre ?! Rama nuk donte tu hynte këtyre sikleteve. Ai donte veç ta shijonte jetën. Prandaj java shtatë dhe ai tetë në avion ! Prandaj u mbështet vetëm te oligarkët.
Një sundim i papërgjegjshëm dhe i dorës së lehtë. Pa asnjë projekt për zhvillimin e vendit dhe rritjen e mirëqënies, duke përjashtuar këtu shitjen apo dhënien me qera të pasurive kombëtare !
Papërgjegjshmëri dhe paaftësi – kështu mund të përmblidhet me dy fjalë qeverisja e Ramës këto 13 vitet e fundit. Që ai dje u përpoq ta bënte të harrohej, duke përdorur lloj lloj sofizmash, por që nxorrën edhe më shumë në shesh paftësinë e tij për të bërë shtet.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment