28 Nëntor 1912 – kur shpëtuam për një qime nga zhdukja si komb

-Nga Viron Gjymshana-

Këto ditë kur shqiptarët anë e mbanë Ballkanit dhe botës po festojnë 114 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit të tyre të lashtë, është me shumë rëndësi të lexosh se çfarë kanë shkruar për atë kohë dëshmitarët e gjallë të asaj dite. 

Ndër ta më kryesorët, që përshkruajnë gjendjen tragjike të Shqipërisë në prag të pavarësisë, kanë qënë së pari hoxha patriot Hafiz Ibrahim Dalliu si dhe Luigj Gurakuqi. I pari, dëshmitar i gjallë dhe pjesëmarrës aktiv gjatë atyre kohërave, ka botuar edhe një libër në vitin 1930 me titullin “Patriotizma në Tiranë”, ku dëfton se si shqiptarët shpëtuan për një qime nga asimilimi apo zhdukja si komb. Aty shkruhet edhe për rolin e xhon turqve, për Esat Pashën apo edhe për Turgut Pashën, që dogji dhe shkatërroi shumë qytete në Kosovë si dhe në Shqipërinë e Veriut dhe të Jugut etj etj.

I dyti, Luigj Gurakuqi, rrëfen se si u sollën turqit dhe Rusia në atë kohë ndaj shqiptarëve dhe rolin e Ismail Qemalit në ngritjen e flamurit në Vlorë.

Meqë për përmbajtjen e librit të Hafiz Ibrahim Dalliut kam shkruar vitin e kaluar, por edhe më parë, sot po u sjell shkrimin e Luigj Gurakuqit, botuar në librin prej 614 faqesh,”Bota Shqiptare”, i cili flet për historinë e lashtë të popullit shqiptar, duke filluar nga ilirët, arbërorët dhe deri para Luftës së Dytë Botërore, si dhe për zakonet dhe doket tona në shekuj.

Po aty flitet edhe për shqiptarët e “naltë” në botë,  si dhe për Kanunin e Lekë Dukagjinit, zanat e malave etj etj. Ky libër pa frikë mund të konsiderohet sot si “Enciklopedia e parë Shqiptare”, pasi siç e dëshmon edhe titulli, ky libër i plotë me mbi 600 faqe, rrok gjithë botën shqiptare ndër shekuj.

Po le të kundrojmë më mirë se çfarë ka shkruajtur asokohe Luigj Gurakuqi për ditën e lavdishme të 28 Nëntorit 1912. Këto shkrime si dhe afro 500 të tjera me tema politike, shkencore, ekonomike, fillozofike dhe fetare, mund t’i gjeni në këtë blog apo duke kërkuar me emrin tim në google.

Luigj Gurakuqi: 28 Nanduer 1912

Kur në prandverën e vjetit 1910,Shefqet Turgut Pasha, i dërguem prej Qeveris turke për të shtruem vilajetin e Kosovës, u vuni topat shqiptarëvet në grykën e Kaçanikut e u dha urdhrën ushtrivet të veta që të derdheshin rrebtësisht nëpër katunde dhe qytete, të digjshin pa mëshirë kulla dhe stane dhe t’u hidhshin litarin në qafë të gjith atyne, q’I tu bijshin në duer, Bajlozi (ambasadori – shënimi im) i Rusis në Stamboll, vojti dhe i rroku dorën Haki Pashës, qi atëhere ishte Veziri i Madh, e i paraqiti përgëzimet e veta mà të thellat e kënaqsin e qeveris së tij mà të plotë “për veprimin qytetnuer qi Turqija kishte nisun të zhvillonte në Ballkan, tue shtruem e tue futun nën urdhën shqiptarët, të cilët ishin treguem kurdoher armiq të qetsis e të përparimit”.

Për çdo njeri tjetër qi të mos ishte Haki Pasha, këto urime të paprituna e të papandehuna, duhet të kishin një kuptim të fshehët, të shkaktojshin frikë e dyshim e të tingllojshin si vajtimi I kukuvajkës ogurzezë, qi ndjell mort e të liga: çdo njeriut tjetër kto fjalë t’ àmbla e llastare do t’i çilshin syt, do t’i tregojshin rrezikun e t’a bàjshin me pamun gorrén e thellë, qi po i hapej përpara.

Por qeveria turke e atëhershme nuk deshi, mjerisht, me e kuptuem të vërtetën. Në vend qi të druhej nga miqsija e tepërme e Rusis, mori guximin mà të madh prej fjalëvet të Bajlozit e, tue treguem për ditë e mà fort egërsim e rrebtësi kundër popujve të vet, u hapi udhën dhe u dha rasën fqinjvet të Ballkanit për me zhvilluem mà lirisht ngatrrimet e veta në Shqipni e Maqedoni.

Kështu pra në sy të qeveris turke, e keq e mà keq,me lejën e bashkëpunimin e saj, u pregatit pak nga pak, nën kryesin dhe nën drejtimin e Rusis, Lidhja Ballkanike, e cila mandej në Tetuer 1912 i dha shkak asaj lufte së rrebët e mizore, qi mbaroi me mundjen dhe poshtnimin e Turqis n’Europë.

***

Të dalun pak ditë përpara prej njëj kryengritjeje së gjatë e së përgjakshme, të lodhun e të dobsuem prej mundimet e të vështirash, e të pandrequn ende me qeverin turke, e cila si mbas zakonit, nuk deshi të mbante dhe të kryente premtimet që u kishte bamun në Shkup, shqiptarët u zünë befas e u gjetën të papregatitun për luftën, qi po pëlsiste në kufijt e Atdheut të tyne. As ata veta, pra as ushtrit e Turqis, të pakta e të parregullueme, qi ndodheshin në vend, nuk mujtën tu bëjnë ball anmiqvet, qi po shpërthejshin për gjith anësh, e në pak ditë e sipër kamba e malazezvet, e Serbvet dhe e Grekvet, tue sjell vaj e mjerime, zjarr e vdekje tekdo që kalonte, shkeli malet e fushat t’ona e dhunoi emnin e vorret e të parvet t’onë.

Përpara këtij rreziku të shemtueshëm, përpara këtij kobi të tmerrshëm, qi si rrufé rrënuese zbrazej mbi krenat e shqiptarvet të mjerë, nuk kishte kohë për të humbun; duhej veprim e veprim i shpejtë, pse anmiqt t’onë të mbështetun prej disa qeverive, e kishin ngulur në mend qi tà shuejshin fare emnin e Shqipnis nga karta geografike e Europës.

Mbassi kuptohej se shqiptarët e mbrendshëm as me fuqi as me mjete të tjera nuk ishin të zotët me u përpjekun si duhej për shpëtimin e Atdheut në rrezik, këjo barrë u binte mà tepër atyne që ndodheshin jashtë; kështu pra një komite ti vogël u sajue për kët qëllim në gji të kolonis shqiptare të Bukureshtit, e disa njerz të vullndetshëm e guximtarë, pa vüm fare ré të liga e rreziqe, u lidhën me besë qi me u futun në Shqipni e aty me bàmun të gjitha sa duheshinpër shpëtimin e saj.

Ata shokë të lidhun në besë, të primun prej Ismajl Qemal Vlonës, shkuenpa humbun kohë në Vjenë e në Budapest e, mbasi gjetën atje pritje të mirë e premtime të ngushëllueshme e patën të gjitha ndihmat e mbështetjet e nevojshme, u nisën prej Trieshtës për në Durrës, ku zbritën më 20 tetuer 1912, domethanë 77 ditë përpara se ky qytet të zihej prej ushtrivet të Serbis. Si u ndalën për dy a tri dit në Durrës, prej kah lajmuen të gjitha vendet e Shqipnis ende të lira, për mbledhjen e përgjithshme qi do të bàhej, Ismajl Qemali dhe shokët e tij u nisën për në Vlonë, ku populli i priti me gëzim e enthuzjazëm të madh e u tregue gati për të bàmun të gjitha therorit, qi koha ngushtë e rreziku i afërm mund të kërkojshin.

Të lidhun e të bashkuem para rrezikut të zi, qi si shpata e Damokleut u varej mbi krye, shqiptarët nuk vonuen me iu përgjigjun thirrjes që u vinte nga tufa e vllazënvet të tyne t’ardhun s’jashtmi, e të gjitha qytetet e fiset e Shqipnis dërguen pa humbun kohë përfaqsuesit e vet në Vlonë për të kuvenduem mbi fatin e Atdheut e për të marrë masa të shpejta e energike për shpëtimin e tij.

Kështu më 28 Nanduer 1912, n’orën 4 e gjymës pas dreke, përfaqësuesit e të gjitha viseve të Shqipnis, tuj i dhànë vllaznisht dorën njeni tjetrit e tue u lidhun me besën e burravet qi me u përpjekun me gjà e me jetë për vendin e të parvet të vet, venduen të ndamunit e Shqipnis nga Turqija e, tue pasun të gjithë lotët ndër sÿ nga gëzimi e mallëngjimi që u drithte zemrën, ngritën me brohori të madhe flamurin kombtar.

Kështu pas 450 vjet robnije populli shqiptar mujti me e përshëndetun flamurin e shëjtë të vetin, flamurin e kuq e të zi, e Shqipja e Skanderbeut, qi strukun në mallet e nalta kishte rrudhun krahët e rrinte e lodhun dhe e turitun, nisi prapë të fluturojë e të mbretnojë mbi qiellin e kthiellët e të lirë të Shqipnis.

Luigj Gurakuqi

Lini një Përgjigje