Gabimi i parë ishte privatizimi i tokës

–Nga Viron Gjymshana-

Në listën e gjatë dhe të pafund të gabimeve që kanë ngjarë që nga viti 1990,vendin e parë e zë privatizimi i tokës. Që këtu kanë nisur të gjitha të këqijat. Sikur toka të kishte mbetur publike, siç ishte më parë, sot nuk do t’i kishim as protestat në bulevard.  Sepse gjithçka fillloi që aty.

“Asgjë që nuk është prodhuar nga dora e Njeriut nuk mund të shitet” – thuhet në librat e shenjtë. Dhe kjo është e vetëkuptueshme. A mund ta privatizosh ti pyllin, ta bësh pronë të tënden, kur nuk ke mbjellë gjatë gjithë jetës tënde as edhe një lule?!

Ndryshe kush janë këta kryeministra apo parlamentarë që në fillim privatizojnë dhe pastaj shesin si pa gjë të keqe pasuritë publike të vendit. Kështu ka ngjarë me naftën dhënë “Bankers”-it, me kromin, bakrin etj etj.

Siç kam shkruajtur edhe para pak ditëve ti mund t’ua japësh me koncesion për 10 apo 20 vjet pasuritë publike një privati. Por me kusht që privati të përfitojë dhe të marrë vetëm 10 për qind të fitimit neto. 90 përqindshi tjetër duhet të shkojë në arkën publike, në atë të shtetit, për të ndërtuar rrugë shkolla, spitale falas etj etj.

Dhe kështu ngjau që Kushner kërkoi të marrë një pjesë të Sazanit, apo të gjithin për ta kthyer në një resort për miliarderët e pasur nga e gjithë bota! Kështu ngjau që dikush bleu dikur nja tetë milionë hektarë në pyllin e Amazonës!  Kur do vijë dita që dikush ta privatizojë një ditë edhe të gjithë globin dhe ta kthejë në pronë personale?!

Kemi edhe rastin e një gangsteri dhe mafiozi shqiptar, që sa me mashtrime, aq edhe duke përdorur forcën dhe kërcënimet, thuhet se ka blerë disa mijëra hektarë andej nga Zvërneci. Dhe ka hyrë në allishverishe edhe me Jared Kushner-in për t’ia shitur atij këto toka!

Ndryshe toka, sidomos ajo bujqësore, fare mirë mund t’i jepej përgjithmonë bujkut që ai të mbjellë, të korrë dhe të vjelë aty çfarë të dojë. Me të drejtë edhe trashëgimie. Por ai nuk duhet të ketë të drejtë ta shesë këtë tokë apo t’ia japë me qira dikujt tjetër.

Siç ngjante në kohën e Zogut kur bejlerët, çifligarët, pashallarët etj etj ua jepnin tokën me qera çifçinjëve, ose siç thirreshin ndryshe : gjysmëtarëve. Që do të thotë që gjysma e prodhimit i takonte pronarit dhe gjysma tjetër atij që e punonte tokën!

Dhe sot janë pikërisht pasardhësit e bejlerëve dhe çifligarëve që e ngrenë zërin në kupë të qiellit se nuk po u kthehet prona ! Prona e grabitur, prona e vjedhur, prona e falur nga sulltani bejlerëve të tij nga Anadolli dhe Irani, për shërbimet që këta agallarë i kishin bërë atij!

Si ka mundësi që toka e gjendur aty prej miliona vjetësh të kthehet papritur në pronë personale të dikujt, qoftë ky mbret, princ, latifondist, çifligar etj etj ?!

Pa dyshim që ndonjë nga ata që po e lexojnë këtë shkrim, do hidhet përpjetë dhe do thotë : po kështu e ka e gjithë bota ! Afërsisht ashtu është. Por ne kemi pasur një histori dhe praktikë tjetër mbi pronësinë e tokës. Në fillim, andej nga vitet 1400, ajo ka qënë pronë e Muzakajve, Arianitasve, Kastriotëve, Toptanajve etj etj para se të kthehej në pronë të Ali Pashës, të Kurt Pashës, të Bushatllinjve, Toptanëve, Vrionasve etj etj.

Pra dhënia e tokës atyre që e punonin, një praktikë kjo e vendosur që gjatë revolucionit borgjez francez të vitit 1789, nuk do ishte keq të zbatohej edhe në Shqipëri.

Por si në çdo gjë edhe këtu u veprua gabim. Nuk u morën parasysh traditat dhe historia e vendit, por u veprua me sy mbyllur për tu bërë si bota !

Kur them se toka nuk duhej kurrsesi të privatizohej e kam fjalën veçse për tokën bujqësore milionavjeçare dhe jo për apartamentin, shtëpinë, fabrikën apo punishten. Ekonomia e centralizuar dhe e planifikuar socialiste dështoi me sukses të plotë! Sepse ajo mori përsipër jo vetëm të siguronte prodhimin e bukës në vend, por deri edhe të majdanozit!

Një ekonomi e përzierë, private dhe publike, është zgjidhja më e mirë. Shteti mund të ndërtojë hekurudha, edhe raketë kozmike po të dojë, rezervuare po se po, por se çfarë duhet të mbjellë dhe të korrë bujku duhet ta vendosë ekonomia e tregut, e mbështetur te fitimi personal i fermerit.

              Praktika ka dëshmuar se » dora e padukshme e tregut » i bën punët shumë më mirë se ekonomia e komanduar nga shteti. Jo vetëm në fshat, por edhe në qytet ekonomia e tregut duhet lejuar, nxitur dhe mbështetur nga shteti. Afërsisht siç po ngjet në Kinë që nga viti 1978 ! Ku prona private dhe ekonomia e tregut janë lejuar me rezultatet fantastike që dihen.

Por prona private ka nevojë edhe për një kontroll të fortë publik. Se privati, i nxitur nga etja për fitim, ta shet mishin e qenit si mish qengji ! A nuk po i shohim sot kriminelët dhe banditët shqiptarë se si po e shesin drogën anë e mbanë botës! Edhe në kohën e diktaturës së pamëshirshme u fol për një shitës që e përziente vajin e ullirit me vaj armësh që të fitonte më shumë. Mos të flasim për shitëses e bulmetit që e « mbysnin » djathin me kripë apo ato të metrazheve që të vidhnin sy për sy. Saqë duhet të porosisnje 5 cm më shumë stof që ai të shkonte « sagllam » te rrobaqepësi !

Dhe siç shkruajta edhe më sipër shitja e tokës, e bregdetit, e zonave malore turistike, ndofta nesër edhe ujit të lumit Shushicë, i nxorrën njerëzit në bulevard, për të kundërshtuar shitjen e vendit copa copa oligarkëve vendas dhe miliarderëve të huaj !

Fatkeqësisht sot vendin e tyre e kanë zënë mollotovistët e Berishës, që duke përfituar edhe nga paaftësia dhe mëndjelehtësia e pashoqe e Edi Ramës, por përpiqet të rikthehet në pushtet !

Asgjë të mirë, përparimtare dhe pozitve nuk ka mbetur sot nga protestat e dlira të flamingove në fillim të qershorit ! Sot kemi të bëjmë vetëm me banditë, rrugaçë, kapuçonë që djegin dhe shkatërrojnë vendin.

Sjellje që u shkojnë aq shumë për shtat vetë Ramës dhe Berishës. I pari për të ruajtur pushtetin, dhe i dyti për ta rimarrë atë, ose për tu rikthyer si faktor politik në jetën politike të vendit.

Ndërkohë që të dy e kanë vendin në burg. Prandaj duhej ndaluar privatizimi i tokës.

v.gj.

Lini një Përgjigje