Duhet të krijohet partia « flamingo »

-Nga Viron Gjymshana-

Dhe sa më shpejt, aq më mirë. Madje është urgjente dhe e domosdoshme. Për këtë një apo disa intelektualë të njohur dhe të respektuar duhet të paraqiten në Gjykatë për ta regjistruar këtë parti apo lëvizje, siç do quhet.

Sepse lëvizja flamingo ka qënë lëvizja më bukur, më e dlirë, më pozitive dhe atdhetare e këtyre 36 viteve të fundit. Dhe mesazhi i kësaj lëvizjeje nuk duhet lejuar të bjerë në tokë, apo të shuhet.

Aq më shumë që flamingot e vunë gishtin në plagët më të thella që i janë krijuar vendit, gjatë kësaj epoke « demokratike » ! Ndër këto plagë, më e rënda dhe më e pariparueshmja, ka qënë shitja, privatizimi apo dhënia me koncesion firmave të huaja të pasurive kombëtare të vendit. Të atyre pasurive që u takojnë të gjithë shqiptarëve. Një veprimi i tillë përbën veçse një tradhti të lartë ndaj popullit shqiptar.

Prandaj lëvizja flamingo pati plotësisht të drejtë kur kërkoi një “Shqipëri të Re”, kur kërkoi po ashtu futjen në burg të dy zezonave: Ramë dhe Sali, si « arkitektët », bashkë me Nanon, të kësaj katrahure!

“Shqipëria nuk është në shitje” ishte njëra nga parullat e tyre më të ndjera. Dhe me të vërtetë që Shqipëria nuk duhet të nxirrej në shitje, siç ka ngjarë këto 36 vjet. Kush ua dha të drejtën Ramës, Berishës, Nanos dhe Metës të nxirrnin në shitje kromin, bakrin, ujin e lumit, bragdetin, naftën e të tjera me rradhë oligarkëve vendas apo biznesmenëve të huaj?!

Regjistrimi i kësaj partie të re në Gjykatë nuk duhet të përbëjë problem. Se ajo lëvizje ishte mbarëpopullore, ishte një shpërthim i një dufi të grumbulluar ndër vite! Që mori shkas nga një sjellje e një policie private(!) në Nartë kundër një protestuesi! Ndryshe lëvizja flamingo nuk i takon sot as Qorit, as Shehajt, as Llapajt, as studentëve dhe aq më pak Berishës. Madje përzierja e këtyre të fundit në këtë lëvizje, ia hoqi asaj edhe frymën dhe shpirtin e vet paqësor dhe të kulturuar.

   Lëvizja flamingo u takon të gjithë atyre që përkrahin programin e saj. Që u shpreh aq bukur edhe në parullat që manifestuesit mbanin në dorë në fillimet e veta. Që i tmerroi mbrojtësit e këtij regjimi.

Se kjo lëvizje kapi në befasi si pozitën, ashtu edhe opozitën! Sidomos për frymën e saj të veçantë, që ishte kundër praktikave 36 vjeçare, kundër kësaj gjoje demokracie për hajdutët, kriminelët, shitësit e drogave apo ngritësit dhe shfrytëzuesit e prostitucionit, për të korruptuarit, (duke përfshirë këtu politikanët,mjekët, gjyqtarët dhe prokurorët), madje deri edhe vetë administratën shtetërore ! Me një fjalë një regjim për llumin e llumit të vendit!

« Këtë sistem kemi zgjodhëm pas 1990-tës” – justifikohen sot batakçinjtë me pushtet. Jo. Zgjodhëm një pushtet ku njeriu të ishte i lirë, ku të drejtat e tij të respektoheshin, ku të kishe mundësi të zgjidhje kë parti të donje, që të mos futeshe në burg për një fjalë goje, që të kishe të drejtën e lëvizjes, brenda dhe jashtë vendit etj. etj.

Askush nuk zgjodhi të « drejtën » e shitjes së Atdheut dhe privatizimit të pasurive të tij, të shkatërrimit total të vendit, qoftë në ekonomi, shëndetësi,arsim, mbrojtje etj etj.

Askush nuk zgjodhi në atë kohë që të mbinin « mirëbërësit »  e shoqërive piramidale si « Vefa », « Xhaferri », « Sudja » e kompani që të vidhnin paratë e shqiptarëve ! Askush nuk zgjodhi daljen e vrasësve me pagesë, të krimit të organizuar, prostitucionit, drogës etj etj.

Me një fjalë gjithçka është ndërtuar për së mbrapshti. Gjë që u mundësoi një grushti njerëzish të bëheshin milionerë duke përdorur të gjitha pislliqet dhe të tjerët «  i lejoi » t’ia mbathnin nga sytë këmbët në Perëndim. Gjithçka u u bë keq. Shumë keq!

Dhe faji për këtë është i atij që akoma ulurin sot në Kuvend kundër korrupsionit, apo keqqeverisjes së Edi Ramës ! Se ka ngelur pa para, prej 13 vitesh !

Kjo parti e re që duhet të krijohet, duhet të jetë nje parti e majtë, popullore dhe demokratike. Se boll i kemi 2 partitë e djathta PS dhe PD ! Që të mendojë dhe të punojë për të gjithë shqiptarët. Dhe jo tua lëjë vendin dhe ekonominë në dorë disa rrufjanëve që dje i quanin gangsterë dhe hajdutë dhe sot biznesmenë dhe oligarkë !

Duhet të jetë një parti njëkohësisht pro dhe kundër privatizimeve, për një ekonomi tregu sociale dhe pluralizëm politik. Por që duhet tu kthejë shqiptarëve pasuritë e vjedhura dhe të fusë në burg përjetësisht ata që e mundësuan këtë katrahurë !

Duhet lejuar prona private si motori i ekonomisë dhe si një mundësi për pasurimin e njerëzve. Nuk ka asgjë të keqe nëse dikush ka një hotel apo ka ngritur një fabrikë apo punishte për prodhim mallrash të konsumit të gjërë. Amerikanët kanë një shprehje që thotë : »Pas milionit të parë, paratë e tjera mund të bëhen edhe me punë të ndershme »!

Madje edhe shfytëzimi i pasurive kombëtare nga një firmë private duhet lejuar dhe nxitur ! Por me një ndryshim kapital me atë që është bërë deri më sot : 

Së pari pasuritë kombëtare (dhe vetëm ato) duhet të rishtetëzohen. Dhe t’i jepen dikujt për shfrytëzim në raportin 1 me 10. Çfarë do të thotë kjo?!

Ti psh ke marrë lejen për shfrytëzimin e një miniere kromi apo bakri. Pasi ke zbritur të gjitha shpenzimet që ke bërë për këtë shfrytëzim, si rrogat, blerja e makinerive, transporti etj etj, nga fitimi i përgjithëm neto ti ke të drejtë të marrësh 10 për qind të tij! Ndërsa 90 përqindëshi tjetër shkon në arkën e shtetit dhe shërben për ngritjen e mirëqënies së të gjithë shqiptarëve, apo për mbrojtjen e vendit, ndërtimin e infrastrukturës, shëndetësisë etj etj.

Sepse privatizimi i naftës, kromit dhe pasurive të tjera kombëtare ka qënë një krim monstruoz dhe i paparë ndaj popullit shqiptar. Dhe ndofta krimi më i madh i ngjarë këto 36 vjet!

Pra një parti e re, për një Shqipëri të Re! Se regjimi i këtyre 36 vjetëve doli po aq i pashpirt dhe i dëmshëm, sa qe edhe diktatura komuniste.

Çdo gjë duhet rinisur nga e para. Nga zeroja. Pavarësisht se dikujt apo disave, brenda apo dhe jashtë vendit, kjo mund tu prishë midenë. Shqipëria duhet të ribëhet shtet dhe jo të mbetet një shprehje gjeografike, një treg i hapur për të gjithë, si një bujtinë apo një restorant gjigand dhe si një vend pa zot!

Prandaj duhet të formohet partia « flamingo » që të ngërthejë brenda vetes, gjthë kërkesat që u shpallën që në fillimet e lëvizjes së saj. Një parti social/demokrate e majtë, popullore dhe demokratike. Me një ekonomi tregu mikste, private dhe publike, me pranim të investimeve të huaja në sektorin prodhues etj etj. Me pluralizëm politik dhe barazi para ligjit për të gjithë.

Ka shumë për të bërë. Por nuk ka asgjë të keqe t’ia nisësh nga sot. Me durim dhe këmbëngulje. Duke i bindur njerëzit se një Shqipëri tjetër, më e drejtë dhe më e barabartë, është e mundur. Por kjo kërkon guxim dhe përkushtim. Ndofta edhe sakrifica. Se nuk do të jetë e lehtë. Do të ketë kundër shumëçka dhe shumëkënd, duke nisur nga llumi deri te maja! Nga brenda vendit deri jashtë!

Po a mund të ekzistojë një njeri i tillë, apo një grup i tillë njerëzish, që të marrin mbi supe këtë « Mision të pamundur » ?! Kjo është çështja.

v.gj.

Lini një Përgjigje