Njerëzimi në rrezik! Extraterrestrët po vinë!

–Nga Viron Gjymshana-

Me siguri e keni marrë vesh. Sot, e mërkurë 18 nëntor 2026, në ora 11.16 minuta, sonda kozmike “ Voyager 1” vendosi një rekord të paimagjinueshëm në hapësirë ​:  ajo ka përshkuar tashmë largësinë e një dite drite larg nesh!

Deri më tani kemi qënë mësuar me masën e një viti drite larg, sidomos për planetet që ndodhen në sisteme të tjera diellore, por gjithmonë brenda galaktikës sonë! Por sot po flasim për vetëm për një ditë largësi drite. Pra për 1 të 365-tën e një viti drite! Siç dihet një vit drite larg, pra largësia që përshkon drita përgjatë 365 ditëve, është e barabartë me : 9 460 730 472 580 800  km ose ndryshe me 9.5000 milliardë  kilomètra!

Që do të thotë që kjo raketë kozmike, siç e quanim dikur, gjëndet tani 26 m i l i a r d ë  kilometra larg Tokës, pra me 1 të 365 e një viti drite! Këtë largësi të pa imagjinueshme  ajo e ka arritur pas afro 50 vjet lundrimi kozmik. Pra është lëshuar nga Toka, konkretisht nga baza Kanaveral në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin, dale të mendohem pak, në vitin 1977!

Dhe mos kujtoni se kjo sondë, kjo anije kozmike, e ka marrë shtruar këtë rrugëtim?! Jo. Ajo ka udhëtuar me një shpejtësi mesatare marramëndëse prej 61 000 kilometrash në orë, baraz me 1 017 km par minutë ose afërsisht me një shpejtësi prej 17 km në sekondë! 17 kilometra në sekondë! Një raketë e vërtetë kozmike. Dhe ky është vetëm fillimi i një udhëtimit të një objekti njerëzor drejt skajeve më të largëta të universit!

Sa për histori, duhet ditur se Voyager 1 u lançua më 5 shtator 1977, menjëherë pas Voyager 2, që u lëshua para saj, më 20 gusht. Voyager 2 ishte projektuar të lundronte në një plan ekliptik me planetët e sistemit tonë diellor për një periudhë më të gjatë, ndërsa anija kozmike simotër synonte skajet e jashtme.

Voyager 1 e kaloi heliosferën, kufirin e ndikimit të erës diellore, në gusht të vitit 2012. Dhe që atëhere anija e vogël kozmike ka vazhduar udhëtimin e saj nëpër hapësirën ndëryjore. Dhe megjithë largësinë e pafundme ende arrin të dërgojë sinjale në Tokë! Shihet pra se Njeriu nuk është më ashtu kot, por ka filluar të sfidojë tashmë edhe yjet dhe largësitë ndërgalaktike! Të dyja anijet kozmike, Voyager 1 dhe 2, peshojnë afërsisht 800 kg secila, me mbi 100 kg instrumente shkencore në bord.

Një “mesazh në një shishe” është quajtur lëshimi i kësaj rakete në hapësirë. Se nuk mund të dihet kurrë nëse kjo sondë do të zbulohet dhe kapet ndonjëherë nga ndonjë qënie apo civilizim inteligjent, i ndodhur diku nëpër galaksinë tonë të “Rrugës së Qumështit”!

Në të gjendet i gdhendur edhe një disk ari me diametër 30 centimetra, që përmban një mori informacionesh rreth Tokës dhe banorëve të saj, në formën e imazheve dhe tingujve. Fotografi, regjistrime të erës, bubullimave dhe tingujve të ndryshëm të kafshëve, si dhe të qarat dhe muzikën e një fëmije, nga Mozarti te Chuck Berry, duke përfshirë muzikë tradicionale edhe nga rajone të ndryshme të botës.

Disku i artë shoqërohet edhe nga një burim uraniumi-238, që shërben për të përcaktuar kohën e kaluar që nga lëshimi i saj nga planeti Tokë deri sa të bjerë në « dorën » e ndonjë qënieje inteligjenet që ta ketë kaluar epokën e gurit !

NASA, (Agjencia kombëtare amerikane e hapësirës) mendon se disku, dhe vetë sonda, madje ka gjasa të « jetojnë » edhe më gjatë se Toka dhe Dielli. Voyager 1 pritet të kalojë pranë yllit, diellit, « Gliese 445 », që gjendet në konstelacioni e Gjirafës, pas 42,000 vjetësh ! Dhe ne, njerëzit e shkretë me një jetë sa të mizës, në krahasim me atë të sistemit tonë diellor, nuk do ta dimë kurrë nëse dikush do të jetë atje apo diku tjetër në hapësirën e pafund të Universit për ta zbuluar sondën tonë!

Deri këtujemi në rregull. Po flasim për shtegtimin e Njerëzimit në kozmos. Dhe jo për të kundërtën e tij. Pra për ekstraterrestrë, jashtëtokësorë, që mund të vinë të vizitojnë planetin Tokë !

Dhe si mund ta dini NASA dhe ministria amerikane e mbrojtjes ka bërë të ditura dhe madje ka publikuar këto ditë edhe disa foto që pretendojnë për « vizita » të UFO-ve dhe jashtëtokësorëve në Tokën tonë. Si psh në bazën ushtarake ultrasekrete 51 dhe në atë në Nju Meksikë « Roswell » !  Për këto baza dhe misteret që fshihen aty kemi shkruar më parë edhe një apo dy artikuj që mund t’i gjeni në adresat virongjymshana.blogspot.com dhe virongjymshana.blog.com.

Por në këtë shkrimin e sotëm nuk e kemi fjalën për “Mars Attack” apo për “Vizitorë nga kozmosi”! Jo. E kemi fjalën për jashtëtokësorët që po krijojmë vetë. Për disa robotë apo cyborgë me forma njerëzore, që disa thonë se një ditë do të na zhdukin ne, njerëzit, nga sipërfaqja e Tokës!

Rreth këtij rreziku, të vërtetë apo imagjinar, do të mësoni më shumë në pjesën e dytë të shkrimit të ardhshëm : « Njerëzimi në rrezik ! Extraterrestrët po vinë ! ».

v.gj.

Lini një Përgjigje