-Nga Viron Gjymshana-
Gjithmonë e më shumë këto kohët e fundit po vërehet një përpjekje e ethshme për të futur në një thes me flamingot, edhe vandalët e Berishës bashkë me islamistët.
Synimi i vetëm është për t’i bërë ata pis sa të jetë e mundur më shumë. Pore vërteta është se këto 3 grupime, megjithëse shpesh herë paraqiten si një front i përbashkët anti-Ramë, kanë veçori dhe dallime të theksuara nga njëri – tjetri.
Kështu psh flamingot, si mbrojtës të mjedisit dhe mbështetës të një « Shqipërie të Re » nuk kanë asgjë të përbashkët me islamistët, apo me « çunat e Mamurrasit » që ëndërrojnë të risjellin përsëri Berishën në pushtet.
Madje ky i fundit ka filluar të lëpijë përsëri buzët. Aq sa para 2 ditësh deklaroi se « tani na ka ardhur rradha neve » ! Pra rradha për të marrë pushtetin ! Në një kohë që flamingot, që në fillimet e tyre, kanë kërkuar futjen në burg të Ramës dhe Berishës për të këqijat që i kanë bërë këtij vendi. Si dhe për shitjen apo privatizimin e pasurive të tij mbi dhe nëntokësore !
Pra shihet qartë se ndërmjet flamingove dhe vandalëve të Berishës, apo islamistëve nuk ka asnjë pikë lidhjeje në synimet dhe qëllimet e tyre.
E vërteta është se flamingot gabuan rëndshëm kur lejuan që në gjirin e tyre të përfshiheshin lloj e lloj llumi dhe karavidhesh! Ndofta se ata ndoqën praktikën e studentëve të Beogradit apo atë të Partisë së Punës, që gjatë luftës u fsheh nën petkun e Frontit Nacional-çlirimtar deri sa mori pushtetin ! Pastaj ia tregoi ajo vendin nacionalistëve antifashistë dhe antikomunistë ! Me metodat që dinte ajo. Që i kishte kopjuar nga Tito dhe Stalini!
Kështu duket se po ngjan sot edhe me flamingot, apo me ata që fshihen pas tyre! Konkretisht me Qorin, Llapajn, Shehajn etj. Dhe ata po pranojnë në gjirin e tyre gjithfarë llumi, boll që të jetë kundër Ramës. Dhe jo domosdoshmërisht edhe kundër Berishës!
Por, siç shihet, kjo strategji ka të keqen se u jep mundësinë kundërshtarëve të tyre që t’i njollosin edhe flamingot me lloj lloj termash dhe epitetesh si islamikë, mollotovistë, vandalë etj etj.
Ndryshe mos vallë krijimi i një “fronti të bashkuar” është gabim?! Mos vallë çdo parti apo organizëm që përfshihet në këtë front duhet të dalë qartë me kërkesat e veta. SI dhe me qëndrimet e saj ndaj dhunës, djegies së institucioneve apo goditjeve me gurë ndaj policisë?!
Se siç kemi nënvizuar edhe herë të tjera, dhuna çon ujë vetëm në “mullirin” e Ramës. Aq e vërtetë është kjo saqë unë mendoj se midis atyre që djegin dhe shkatërrojnë apo gjuajnë me gurë edhe kundër policisë, mund të ketë edhe provokatorë të futur nga qeveria!
Sepse kështu ka ngjarë edhe në Paris gjatë revoltave të jelekverdhëve. Ekzistojnë prova dhe dëshmi, bashkë me videot përkatëse, që dëshmojnë futjen e policëve civilë ndërmjet protestuesve për të mbjellur kaos, për të djegur dhe shkatërruar!
Për më shumë edhe kryetari i lëvizjes “Bashkë”, që mund të përkthehet edhe si “commun”, pra bashkë = commun, – komuniste, në një emision televiziv nuk u shpreh kundër dhunës, madje u duk sikur e justifikoi atë! Si një revolucionar i vërtetë!
Dhe duket se deri sa të ndahet shapi nga sheqeri pushteti ka interes t’i fusë në një thes të gjitha rrymat dhe lëvizjet që përbëjnë sot protestën !
Por ndofta kjo rrëmujë, kjo paqartësi, ka bërë që edhe shumë kryeqytetas ta braktisin atë. Se kanë parë te ajo qëndrime ekstremiste dhe islamiste që nuk përkojnë me qytetërimin, kulturën dhe sjelljen e tyre !
Pra duhet bërë e qartë se kush është kush : « Who is Who”! Cilat janë kërkesat dhe ndalimet e çdo grupi. Dhe pastaj nuk ka asgjë të keqe që këto grupime të bëhen bashkë në një front anti-regjim dhe të kërkojnë largimin e Ramës apo futjen në burg të atij bashkë me adashin e vet: Sali Berishën.
Se po si janë bërë bashkë në një front 3 grupimet e sipërpërmendura, po ashtu janë bërë bashkë edhe qeveria me opozitën dhe disa media të blera nga ata për të mposhtur me çdo kusht frymën dhe idealet e këtyre protestave!
Pushteti dhe mbrojtësit e tij se nga na kanë gjetur disa persona nga Maqedonia apo Kosova që kanë kërkuar një manifestim mbarëkombëtar në ditën e Flamurit, për t’i akuzuar pastaj ata se duan të djegin Tiranën me gjithë Shqipërinë!
Pa dyshim se festa e lavdishme e 28 Nëntorit bën bashkë të gjithë shqiptarët kudo ku janë: qoftë në 5 shtetet e Ballkanit, qoftë në diasporë!
Dhe është shumë mirë që ata të mblidhen dhe të festojnë këtë ditë në Tiranë, qoftë me këngë dhe valle, qoftë edhe me një protestë madhështore dhe të paparë!
Por, por pa këputur asnjë lule! Pa thyer asnjë xham. Pa djegur asnjë kosh mbeturinash! Është shumë e vështirë që kjo të ngjasë. Se ka shumë forca të brendshme dhe të jashtme që duan t’i vëjnë zjarrin këtij vendi. Siç ka po ashtu edhe forca radikale komuniste, islamiste, berishiste dhe ramiste që kanë interes që 28 Nëntori të përlyhet dhe shkrumohet nga zjarri! Dhe ky është problemi!
Ndodhemi para një rreziku të madh të një përçarjeje të re politike, kombëtare dhe fetare. Siç ka ekzistuar para 100 vjetëve, kur Shqipëria sapo u bë shtet!
Se të gjithë po duken sot kaq të gatshëm të shtyjnë urat e zjarrit. Dikush për të ruajtur pushtetin, dikush për ta rimarrë atë, dikush për të na sjellë kalifatin dhe dikush tjetër marksizëm/leninizmin “fitimtar”!
Flamingot para këtyre turmave duken kaq pak! Se bënë gabimin fatal që nuk u distancuan që në fillim ndaj këtyre bishtave që u janë ngjitur.
Në një demokraci të vërtetë pranohen të gjitha pikëpamjet dhe këndvështrimet. Deri sa ti nuk ke kapur hunjtë apo kosat për ta përmbysur regjimin me dhunë! Atëhere edhe dhuna e shtetit është e justifikuar!
Më 28 Nëntor duhet të kemi një lëvizje madhështore gandiste, paqësore dhe të kulturuar. Dhe flamingot duhet të zgjedhin tashmë një përfaqësues të tyre, se janë tashmë duke u mbytur në kënetën që krijuan vetë.
Ata duhet të dalin me programin e tyre ekologjiko/politik dhe gandist. Duhet të thonë hapur se nuk kanë asnjë punë as me Qorin dhe partinë e tij, as me arrivistët kot së koti si Llapaj dhe Shehaj, as me islamistët etj etj.
Dhe se ata, si në ditët e tyre më të mira, kërkojnë zhdukjen e kësaj klase politike që ka sunduar vendin gjatë këtyre 36 viteve rrëmuje dhe rrëmeti, ndalimin e privatizimeve dhe shitjes së pronës së përbashkët publike gangsterëve vendas apo miliarderëve të huaj. Dhe ngritjen e një « Shqipërie të Re » për të gjithë shqiptarët !
Është e domosdoshme tani krijimi i një partie flamingo që mbështet ekonominë sociale të tregut, pluralizmin politik dhe që kërkon ngritjen e një « Shqipërie të re ».
Nuk duhet lejuar kurrsesi që Berisha, Rama, islamistët dhe komunistët ta mbajnë përsëri Shqipërinë peng, siç ka ngjarë që nga viti 1944 – 1990 dhe nga 1990 deri më sot!
v.gj

Lini një Përgjigje