Rama – si e keqja më e madhe e Shqipërisë sot

-Nga Viron Gjymshana-

Pa asnjë dyshim që kushdo që e lexon këtë titull menjëherë do të pyesë : – po Berisha ?! Berisha ka qënë dhe mbetet shkatërruesi total i Shqipërisë dhe ai që futi të gjitha të zezat në këtë vend si krimin, korrupsionin etj.etj. Ai që shkatërroi të gjitha fabrikat dhe uzinat e vendit, mbrojtjen dhe ushtrinë, shëndetësinë dhe arsimin.

Për gjithë të zezat që ai ka shkaktuar janë shkruajtur me qindra apo mijëra artikuj në gazeta dhe media të ndryshme. Por Berisha ngjan sot me një ujk që i kanë rënë dhëmbët. Megjithëse mbetet ende i rrezikshëm edhe sot. Se ujku mbetet ujk dhe keqbërës edhe pa të gjithë dhëmbët në gojë!

Por Rama është ndryshe. Ai ka pamjen e një xhentelmeni, të një njeriu të qytetëruar, mind-open etj etj. Në këtë perceptim atë e ka ndihmuar edhe qënia e tij si kryetar i bashkisë së Tiranës, pastrimi i llumrave që kishin lënë njerëzit e Berishës, psh në Lanën e Tiranës dhe kthimi i kryeqytetit në një metropol që pëlqehej sa nga vendasit aq dhe nga të huajtë.

Por ndërsa Berisha shkatërroi, Rama nuk është se ndërtoi ndonjë gjë të veçantë, po të harrojmë këtu lyerjen e fasadave me bojëra!

Në fakt edhe vetë Rama ngjan sikur të jetë fasadë, dukje apo flluskë sapuni që shkëlqen veçse një cast para se të plasë! Se edhe ai nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe për vendin. Madje nën sundimin e tij korrupsioni u rrit, u shtri dhe kapi majat më të larta. Sa edhe 2 bashkëpunëtorët e tij të afërt, thjesht zëvendësit e tij, i dolën të korruptuar dhe hajdutë me çizme!

E gjithë kjo ngjau se Rama as që ka dashur dhe as që është munduar të bëjë shtet. Kjo nuk ka qënë kurrë prioriteti i tij. Ai veçse e ktheu Shqipërinë në një treg të hapur për të gjithë, por pa projekte zhvillimi.

I vetmi sukses i tij ka qënë turizmi, nxjerrja në pah e pasurive të bukura natyrore të vendit tonë. Gjërat e tjera i ka lënë të rrjedhin në shtratin e tyre, pa iu kundërvënë. Diçka e tillë dëshmon se atij i ka munguar tërësisht “stofi” I burrit të shtetit.

Ndryshe mund të thuhet se atij i ka ngelur edhe koka jashtë vendit. Nuk mund të bëhen 3 javë pa vajtur ai diku! E mori drejtimin e Shqipërisë me një lehtësi që karakterizon sidomos veçse artistët apo sportistët. Si një lloj sporti apo trampoline që do ta bënte të njohur edhe në botën e jashtme.

Dhe megjithë problemet e pafundme që kishte vendi ai, refuzoi me kokëfortësi të drejtonte me dorë të fortë, të vendoste ligj dhe rregull në vend.

Edhe për administrimin e zonave të plazhit, apo lirimin e trotuareve nga kioskat, u kujtua vetëm pas më shumë se 10 viteve qeverisjeje. Dhe këtu nuk po flasim për spitalet e lëna në mëshirë të fatit, apo më mirë me thënë në dorën e mjekëve peshkaqenë!

Për arsimin, sidomos fillor apo të mesëm, as që vuri dorë fare. Por mbylli disa universitete që ishin transformuar në fabrika dipllomash me para, tip Henri Çili!

Në asnjë fushë nuk është shquar. Në rast se nuk marrim parasysh kartolinat që ai poston çdo mëngjes apo dhënien e mbi 4 milionë eurove një këngëtari kontravers si Kaney West!

Politika e tij e jashtme edhe më keq akoma. U kthye thjesht në një lëpitkë e fuqive të mëdha. U bë “vëllam” me Vuçiçin dhe hasëm me Kurtin. Se ky i fundit ndjek një politikë nacionaliste, duke vënë interesat e vendit dhe popullit të tij, para atyre të vendeve të huaja. E papranueshme kjo për Ramën!

Edhe Erdoganin, mik i tij dikur, e preu në besë kur vajti dhe u lidh me izraelitët. Kështu ka vepruar edhe me të gjithë ish-miqtë e tij brenda vendit. Saqë mund të thuash se sot nuk ka më asnjë mik!

Por kjo aq i bën. Miqtë ai i kërkon në sferat e larta të politikës ndërkombëtare. Te Macron, te Meloni etj etj. Edhe me Aleks Soros, që dikur e kishte mik, duket se i ka prishur marrëdhëniet.

Në një mënyrë po aq perfide mbajti në skenën politike të vendit, Sali Berishën, që ta përdorte si gogol për të trembur njerëzit. Nuk më doni mua?! Ja aty e keni Sali Berishën!

Askush sot nuk e di se cila është feja e tij?! Dhe nëse ka ndonjë fe apo është ateist. Se edhe fetë, nja 30-të, i përdor sipas interesave të tij politike. Njëherë u tha se u bë mysliman, pastaj kur vajti te Papa se u kthye në katolik. Megjithëse me origjinë është ortodoks. Për djalin e tij ka thënë se mund të bëhet edhe çifut po të dojë, ndërsa ai vetë thuhet se sot ka përqafuar fenë protestante!

Megjithëse është kryetar i një partie gjasme socialiste tani mban marrëdhënie vëllazërore me kryeministren e Italisë, Xhiorxhia Meloni. E cila në Europë është cilësuar si post-fashiste, ndërsa ky e quan motër.

Nuk do t’ia dijë fare as për opinionin publik vendas. Prandaj as nuk e mban të informuar për dallaveret që bën me të huajt për dhënien atyre të trojeve më të mira bregdetare ose pasurive mbi dhe nëntokësore oligarkëve vendas!

Kapet me thonj e me dhëmbë pas pushtetit duke injoruar gabimet e tij trashanike, siç janë edhe vendosja në poste me rëndësi për shtetin të njerëzve të parëndësishëm, të pazotë, pa reputacion dhe të panjohur! Duke filluar nga ai i presidentit, te zëvendëskryeministrat, ministrat e hequr dhe vënë si gurë shahu etj etj.

Protestuesit që demostruan kundër tij i quajti sorra dhe korba, agjentë të lidhur me Iranin, islamistë dhe komunistë. Dorëheqjen as e shkon ndermend megjithëse gabimet e tij janë më të mëdha se mali i Tomorrit !

Megjithëse është afro 2 metra i gjatë duket se nuk ka fare as shtyllë kurrizore. Si një pehlivan i stërvitur kërceu nga e djathta ekstreme në vitin 1990 në krye të Partisë Socialiste, pas viteve  2000! Meqë atëhere e patën dëbuar për ekstremizëm nga PD-ja e sapoformuar!   

Ëndërroi dikur se do mbetej në historinë e vendit. Dhe ia arriti qëllimit. Do të mbetet në Historinë e Shqipërisë, por si Esat Pasha dhe Sali Viçidoli. Se nuk ke për çfarë të mirash ta kujtosh. Gjërat afërsisht i ka lënë ashtu siç i ka gjetur !

Është kapur pas anëtarësimit në Bashkimin Europian si i mbyturi pas flokëve të veta. Shpreson se do të jetë ai që do nënshkruajë hyrjen e Shqipërisë në BE, megjithëse me detyrimin e 15 viteve në provë ! Dhe me pasiguritë e ekzistencës së BE-së pas fitoreve të tashme dhe të pritshme të partive nacionaliste anti-BE!

     Rama, pavarësisht qeverisjes së gjatë, do lëjë pak gjurmë në historinë e vendit. Se ka bërë shumë pak për të. Është treguar një showmen i zoti, por asgjë më shumë. As në ekonomi, as në arsim, as në shëndetësi, as në plotësimin e nevojave bazë të njerëzve siç janë rryma elektrike dhe ujë i pastër dhe nga ana higjenike 24 orë në 24 nuk ka lënë gjurmë. Megjithëse ka pasur shumë kohë në dispozicion.

Edhe protestat kundër tij, nuk kanë më forcën e përparshme, që kur në to u futën diversantët e Berishës. Atëhere qytetarët u larguan. Kanë ngelur vetëm militantët. Ata që ëndërrojnë se Rama do largohet dhe Berisha do rikthehet! 

Kjo lojë i ka mërzitur njerëzit. Ik njëri, hajde tjetri. Shqiptarët sot kërkojnë një qeverisje ndryshe. Më me përgjegjësi, me projekte zhvillimi, ku pasuritë publike dhe kombëtare të shërbejnë për ngritjen e mirëqënies për të gjithë. Jo vetëm për disa ish-gangsterë të kthyer në biznesmenë!

Sot Rama nuk ka çfarë të ofrojë më. As ku të shkojë. I përdori dhe i provoi të gjitha. Do të ishte mirë për të gjithë tani, që ai t’i kthehej përgjithmonë pikturës dhe ta linte Shqipërinë rehat. Ylli i tij ka përfunduar një herë e përgjithmonë.

v.gj.

Lini një Përgjigje