-Nga Viron Gjymshana-
Papa Leoni XIV mbajti dje një meshë të paparë në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires, ku ishin të pranishëm mbi 2.5 milionë besimtarë. Një pjesëmarrje e tillë dëshmon më se qartë se krishtërimi gjallon ende në zemrat e shumë njerëzve sot anë e mbanë botës!
A ju kujtohet shprehja : »Në rast se ke dy këmisha, njërën jepja atij që nuk ka » ose « Më kollaj hyn gamilja në vrimën e gjilpërës se sa i pasuri në mbretërinë e Zotit » !
Këto fjalë i ka thënë njeriu më i madh ndofta i të gjitha kohëve, Jezu Krishti. Prandaj edhe fjala dhe mesazhi i tij njerëzor u përhap me aq shpejtësi ngado dhe « pushtoi » edhe një pjesë të mirë të planetit. Aq sa sot ndjekësist e tij, të quajtur të krishterë, përbëjnë pjesën më të madhe të besimtarëve në të gjithë botën.
Papa Leoni XIV gjatë meshës së mbajtur dje në Monumentin e Spanjollëve, në Buenos Aires, u bëri thirrje familjeve që ato të mos e humbasin kurrë shpresën përballë vështirësive të jetës, qofshin ato ekonomike apo edhe sociale, duke paralajmëruar se pasiguria në punë, dhuna në familje dhe varësitë e ndryshme, si psh ajo ndaj drogës apo parasë, po dëmtojnë si individët dhe po aq edhe marrëdhëniet ndërfamiljare.
Sipas Papës, familja ka qenë përherë hapësira ku janë përcjellë dhe ruajtur me kujdes besimi, virtytet njerëzore, kultura e punës, respekti për të moshuarit, mbrojtja e jetës dhe besnikëria ndaj fjalës së dhënë.
Dihet se Krishtërimi lindi si një fe e të varfërve në një botë ku ekzistonte veç skllavëria, pabarazia, dhuna, pushtimet dhe vrasjet. Krishtërimi ishte asokohe një teori tejet revolucionare për kohën. Të predikonje para më shumë se 2 000 vjetësh se njerëzit janë vëllezër me njëri tjetrin, ishte me të vërtetë një herezi e padëgjuar !
Deri atëhere ishte bërë zakon që perëndive u blatoheshin deri edhe kurbanë, dhe jo vetëm deshë dhe dhën, por edhe njerëz të gjallë. Por Krishti ishte kundër këtyre kurbanëve njerëzorë të bërë theror për njërën apo tjetrën perëndi.
Se atëhere ishte koha e politeizmit, ku nuk kishte vetëm një Zot, por disa, sipas shijes dhe mëndjes së egjiptinaëve të lashtë, romakëve, babilonasve etj etj.
Të predikonje asokohe dashurinë për njeri – tjetrin ishte më shumë se rebelim. Ishte shkelje e të gjitha traditave dhe zakoneve të kohës.
Pikërisht për këtë arsye, një nga mendimtarët dhe romancierët më të shquar të fillim shekullit të kaluar, Herbert G. Wells, autor i librave « Luftrat e botëve », « Njeriu i padukshëm », « Makina e kohës » etj etj e cilësoi Jezu Krishtin si revolucionarin e parë mbi Dhé !
Se e gjithë fjala e tij ishte një revolucion, një përmbysje në krahasim me zakonet e egra të asaj epoke të pashpirt. Kjo ishte edhe arsyeja, që në fillimet e tij, të krishterët u përndoqën me egërsinë më të madhe nga perandorët romakë.
Për këtë mjafton të lexoni librin « Quo Vadis » të shkrimtarit polak Henrik Sienkevic, botuar për herë të parë në vitin 1896. Të krishterët atëhere i hidhnin si ushqim për luanët në Koloseun e Romës. Urrejtja ndaj tyre nga ana e patricëve ishte e pafund.
Por gjithçka u prish dhe u rrënua kur Krishtërimi u kthye në një fe dhe dogmë zyrtare. Përhapja e tij ishte aq e shpejtë dhe e fuqishme saqë klasa sunduese e patricëve, skllavopronarëve të kohës, mendoi se do ishte më mirë që këtë fe ta përdorte për interesat e saj, sesa t’i kundërvihej. Aq më shumë që aty pranohej se pas kësaj jete ekzistonte edhe ajo e përjetshmja pranë Zotit!
Dhe që në atë moment Krishtërimi u kthye në fe zyrtare. Por më e tmerrshmja ishte se në emër të kësaj feje që predikonte dashurinë dhe barazinë mes njerëzve, u kryen krime nga më të padëgjuarat sa në Europë, aq edhe në kontinenentet e tjera. Si psh kryqëzatat, nata e Shën Bartolemeut, Inkuzicioni i llahtarshëm, kolonializimi dhe konvertimi me forcë i banorëve indigjenë etj etj.
Por vitet e fundit po vërehet një kthim i Krishtërimit në origjinë. Sidomos me dy papët e fundit, papë Françeskun dhe papën e tanishëm. Këta po predikojnë, ndër të tjera, edhe mbrojtjen e të varfërve dhe të dobtëve, të emigrantëve, ndarjen më të drejtë të pasurive etj etj.
Ky rrugëtim i kishës katolike, protestante dhe ortodokse, (tre degët më të përhapura të Krishtërimit) të kujtojnë pak a shumë përhapjen dhe rrënimin e komunizmit. Edhe komunizmi lindi si një ideologji e barazisë dhe mbrojtjes së më të varfërve, që shfrytëzoheshin në mënyrë të pamëshirshme në të gjithë botën nga kapitalistët e asaj kohe.
Fotot me fëmijë të mitur, duke filluar që nga 8 vjeç, që punonin në fabrika tekstilesh apo të grave të nxira nga qymyri i minierave, i gjen ende edhe sot. Dhe gjithë kjo punë, gjithë ky shfrytëzim, mezi mjaftonte që proletarët e asaj kohe, mezi ta mbushnin barkun me bukë. Libri « Zherminal » i Emil Zola-së (1840 – 1902) dëshmon më shumë se çdo gjë, shtypjen dhe shfytëzimin që një klasë ushtronte ndaj një tjetre.
Por edhe Komunizmi, njëlloj si Krishtërimi, u rrënua dhe u shkatërrua, kur u kthye në dogmë. Dogmë e cila arriti kulmin e vet makabër me krijimin e partive unike në pushtet dhe drejtuesve të tyre që mbesnin në krye të vendit, deri sa jepnin shpirt. Ngandonjëherë edhe kur u kishte ikur truri fare!
Kështu ngjau me Stalinin, Mao Ce Dunin, Titon, Enverin dhe plot të tjerë. Ata pothuajse zëvëndësuan Zotin mbi Dhé. Shtypja policore dhe barazia e varfërisë ishin karakteristikat kryesore të këtyre regjimeve të përbindshme !
Por as Krishti dhe as Marksi nuk mund të parashikonin këto devijime të mësimeve të tyre nga ata që do të vinin më pas. Që vetëm emrin mbanin si të krishterë apo komunistë, por në fakt ishin shfrytëzues, vrasës dhe tiranë.
Kështu ngjau që dy nga lëvizjet më të forta shpirtërore të Njerëzimit u shndërruan papritur në ferr për popujt që ranë nën sundimin e tyre.
Pa dyshim që krishtërimi dhe komunizmi kanë qënë në fillimet e tyre mbështetës dhe frymëzues të paparë të rilindjes së një jete më të bukur, më të dlirë, më të drejtë dhe më « njerëzore » ! Por parimet e tyre u shkelën me këmbë sa nga kleri, aq edhe nga vetë të ashtuquajturit komunistë !
Ndryshe, të dyja këto lëvizje shpirtërore kanë dashur në fillimet e tyre ta përmirësonin deri edhe racën njerëzore, edhe vetë Njeriun, duke e larguar nga ngasjet, tundimet, etja për para, pushtet etj etj.
Prandaj në Bibël gjen 10 urdhëresat ku ndër të tjera shkruhet : mos vrit, mos vidh, respekto të parët e tu etj etj, ndërsa Komunizmi kishte krijuar edhe ai 10 cilësitë e komunistit ! Por si 10 Urdhëresat, si 10 Cilësitë nuk janë vënë kurrë në jetë nga ata që hiqeshin si ndjekës të tyre.
Sot duket se po ndeshemi me një ringjallje të Krishtërimit. Kjo u dëshmua edhe në meshën e djeshme të Papë Leonit në Buenos Ajres dhe në plot të tjera gjatë pelegrinazheve psh të Papë Françeskut.
E mira do të ishte tani që të rilindte edhe një Komunizëm me fytyrë njeriu, një komunizëm i vërtetë demokratik, dhe sidomos kurrsesi jo si ai që sundoi në Shqipëri, Rusi, Kinë etj etj gjatë viteve 1945 – 1990 !
Duke studiuar normat, rregullat, predikimet, idetë dhe qëllimet e tyre, sot mund të arrish në përfundimin se Krishtërimi veçse e paska paraprirë Komunizmin në rrugën e pafundme dhe të paarritshme të Njeriut për një botë më të mirë, më të ndershme dhe më të drejtë.
v.gj.

Lini një Përgjigje