SPAK-ut i duhet vënë kapistër

-Nga Viron Gjymshana-

Unë jam plotësisht dakort me shumë veprime të SPAK-ut. Si psh me ndalimet, apo me kërkesat për arrestim të dy zëvendëskryeministrave të Ramës: Arben Ahmetajt dhe Belinda Ballukut.

Me guximin e tij për tu marrë me « të mëdhenjtë », siç është rasti me ish-ministrin, ish-kryeministrin, ish-kryetarin e parlamentit, Ilir Metën. Apo me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Veliajn. Dhe është e qartë se në rast se këta kanë marrë rryshfete dhe janë pasuruar në kundërshtim me ligjet,ata duhet të paguajnë. Dhe mirë bile, sa dyfishi i njerëzve të zakonshëm! Se kanë shpërdoruar dhe shkelur me këmbë besimin e njerëzve.

Por thënë këto, më duhet të pohoj se nuk jam dakort edhe me shumë veprime dhe sjellje të tjera të SPAK-ut. Dhe mbi të gjitha nuk jam fare dakort me lirinë dhe pavarësinë e tij të tepruar.

Ne shqiptarët e vjetër e kemi provuar në kurriz forcën dhe dhunën e Partisë së Punës, që nuk jepte llogari asgjëkundi. E njëjta gjë po ngjan sot edhe me SPAK-un! Edhe ai nuk jep kërrkund llogari ! Si është e mundur kjo ?! Dhe si është lejuar?!

Siç shkruajta më sipër, vetëm në diktaturë ka institucione që nuk përgjigjen para popullit, por vetëm para « udhëheqësit » të gjithëdijshëm dhe të pagabueshëm !

Por jo në demokraci ! Se ndryshe zëvendësojmë kekun me byrekun. Ku ishim? Asgjëkundi! Prandaj edhe SPAK-ut ka nevojë t’i vihen disa korniza. Psh ai nuk mund të mbajë në paraburgim kë të dojë dhe sa të dojë! Dhe po ashtu kur arreston dikë, atij duhet t’i bëhen të njohura edhe akuzat. Jo një herë arrestoje dhe pastaj mblidh dhe grumbullo faktet dhe provat !

Kështu vepronte vaktit vetëm Partia e Punës kur arrestonte dikë, dhe urdhëronte hetuesinë pastaj ta bënte « fajtorin »  të pranonte edhe ato që nuk i kishin shkuar kurrë ndër mendje as në ëndërr. Ju kujtohet Fiqirete Shehu kur fliste në gjyq kundër « armikut » Mehmet Shehu ?! Dhe plot e plot raste të tjera.

Sot që thuhet se jemi në demokraci, këto gjëra nuk duhen lejuar. Pa anjë dyshim që drejtësia në përgjithësi dhe SPAK-u në veçanti nuk ka nevojë të përgjigjet apo të japë llogari para qeverisë apo kryeministrit të saj. Në asnjë mënyrë. Por ato duhet të përgjigjen para Parlamentit, si organi më i lartë në vend, i zgjedhur nga « Sovrani » ! Dhe kjo është e domosdoshme.

Meqë ra fjala kush i ka zgjedhur prokurorët e SPAK-ut?! Nga e kanë marrë ata gjithë fuqinë e tyre?! Saqë të mos japin llogari asgjëkundi?! Si ish Partia e Punës?!

Ndryshe kur themi që SPAK duhet të përgjigjet para parlamentit, nuk e kemi fjalën që ai të përgjigjet para shumicës qeverisëse. Jo ! SPAK duhet të përgjigjet para një komisioni dypartiak ose edhe më shumë dhe vendimet për të duhet të merren së paku nga dy të tretat e parlamentit, pra nga pozita dhe opozita bashkë !

Dhe e dyta që është po aq e rëndësishme. Pse SPAK nuk heton 4 vrasjet e 21 janarit ?! Pse nuk heton krimin e Gërdecit me mbi 30 veta të hedhur në erë nga babëzia për para dhe pasuri e djalit të ish-kryeministrit ?!

Këto janë pyetje që i bën gjithkush që është i merakosur për drejtësinë dhe barazinë në vend. Pse disa të nënës dhe disa të njerkës ?! Mos vallë sepse SPAK-u është një vegël, një mashë politike në duart e Berishës ?!

Po ashtu pse SPAK-u nuk heton rreth privatizimeve, shitjes, dhënies me qera apo me koncesion të pasurive kombëtare oligarkëve vendas apo miliarderëve të huaj ?! Kur dihet se këto privatizime dhe shitje të pasurisë publike, që i takojnë një populli të tërë, përbëjnë krimin më të tmerrshëm ndaj popullit shqiptar gjatë këtyre 36 viteve?!

Si iu « fal » nafta « Bankersit » që nuk ka paguar asnjë qindarkë në arkën e shtetit ?! Kush i nënshkroi ato marrëveshje që e bëjnë këtë kompani të huaj të sillet në Shqipëri si në mallin e babës ?!

  Këto dhe shumë të tjera janë pyetje që kërkojnë përgjigje. Pra ka shumë punë për të kryer SPAK-u, po të dojë. Ndryshe ku është këtu roli i parlamentit, serioziteti i tij ?! Pa dyshim që nuk mund të flasim për seriozitet dhe rol të një parlamenti të mbushur me kllounë, pa asnjë aftësi, reputacion apo ndershmëri.

Kaq dobët sa sot për nga niveli dhe përgjegjësia, parlamenti nuk ka qënë kurrë,  as në kohën e Enverit dhe as në atë të Zogut dhe as më 1992-shin ! 140 guakë që dinë të ngrenë vetëm kartonin kur telekomandohen nga i pari i tyre ! Ky është niveli i parlamentit sot.

Të pushtuar nga dy kuçedrat, Sali dhe Ramë, aty nuk ka zëra të pavarur, nuk ka mëndje të ndritura që të kritikojnë edhe të parin  tyre kur ai vepron gabim. Ka vetëm makina shurdh-memece që luajnë rolin e buratinëve apo kukullave në një lloj teatri fëmijësh ! Të tillë i kanë dashur dhe i kanë zgjedhur ata « baballarët e kombit”,  Rama dhe Sala!

Dhe kur nuk ke një parlament si duhet nuk mund të kesh as qeveri dhe as drejtësi të hajrit. Madje as edhe shtet. Sepse një Shqipëri të tillë kanë dashur apo kanë qënë të aftë të ndërtojnë PS-ja me PD-në.

Prandaj protesta e flamingove për një “Shqipëri të Re” dhe për dënimin e Ramës dhe Salës kanë qënë 1 000 për qind të drejta dhe të nevojshme.

Sepse ngjan sikur disa ujqër kanë rënë dakort me njëri – tjetrin ta ndajnë tepsinë me mish në tre katër pjesë që të ketë për të gjithë ata. Për të tjerët nuk pyet njeri. Prandaj SPAK sillet si të dojë, Rama nuk pyet njeri dhe Sala shikon se sa tendera për kulla ka fituar familja e tij!

Siç duket ka ardhur koha për një rifillim të ri. Nga e para. Me ligje dhe rregulla të qarta, me demokraci dhe pluralizëm, me ekonomi mikste, publike, private dhe investime të huaja. Por jo me privatizime dhe shitje të pasurisë së të gjithëve disa individëve të veçantë. Me barazi dhe drejtësi nga më i fundit deri te më i pari! Me një SPAK që nuk godet vetëm nga njëra anë etj etj.

v.gj.

Lini një Përgjigje