Studentët kundër vandalëve të Berishës

-Nga Viron Gjymshana-        

Ditët e fundit po bie në sy qartë se protestuesit janë ndarë tashmë në tri grupime kryesore. Të parët, që nisën edhe revoltat, dihet se ishin flamingot. Ata demonstruan përgjatë afro 4 muajve, qetësisht dhe me kulturë, për mbrojtjen e mjedisit dhe ndalimin e shitjes së Shqipërisë copa copa oligarkëve vendas dhe miliarderëve të huaj !

Manifestime që morën përmasa të papara gjatë këtyre 13 viteve të fundit. Për mesazhin e tyre qytetar dhe ekologjik ato gjetën jehonë të jashtëzakonshme edhe në mediat e huaja. Javët e para « flamingot » ia dolën të grumbullonin rreth mesazheve të tyre : « Shqipëri e Re », « Rama në burg, Berisha në burg », « Shqipëria nuk është në shitje » etj etj me dhjetra mijëra shqiptarë, të të gjitha moshave dhe profesioneve.

Por protesta u tkurr ndjeshëm kur brenda saj hynë si diversantë bandat e Berishës, vandalët dhe « çunat e Mamurrasit » me të cilët ai ëndërronte dikur se do merrte pushtetin !

Filluan përsëri mollotovët dhe gurët ndaj forcave të rendit. Ata donin luftë dhe përplasje, por ulurinin në kupë të qiellit kur policia u përgjigjej po me dhunë !

Kur në fund në këto protesta u futën edhe studentët, Berisha u çel. Kujtoi se tani vandalët dhe studentët u bënë një! Por jo ! Pikërisht sot, si dhe disa ditë më parë, edhe studentët deshën të ndaheshin dhe të distancoheshin dukshëm dhe hapur nga banditët e Berishës.

Kështu ngjau sot edhe pranë Ministrisë së Arsimit. Studentët nuk pranuan të bashkoheshin me militantët e S.B-së dhe deputetët e tij! Dhe Berisha u çmend. Doli në një konference shtypi dhe u shpreh se PD-ja do të mbrojë me çdo kusht studentët. Sikur ia kishte kërkuar njeri këtë!

Dhe është e çuditshme se sa herë që studentët apo flamingot caktojnë një vend dhe një orë për tu grumbulluar për të protestuar kundër qeverisë, atyre do tu ngjiten menjëherë edhe bishtat e Berishës!

Pse këta të fundit nuk organizojnë një mnifestim të tyre në një orë dhe në një vend të caktuar dhe të ndryshëm nga ai i studentëve apo flamingove?!

Përgjigja është e thjeshtë. Se ata nuk kanë ndjekës! Prandaj përpiqen me të gjitha mjetet të futen mes demonstruesve të tjerë për tu dukur si të fortë.

Por edhe sot përgjigja ishte e prerë dhe e saktë ! « Largohuni nga ne » – kjo ishte thirrja e studentëve drejtuar vandalëve të PD-së. Këta të fundit nuk durojnë dot shprehjen « Berisha në burg », si dhe nuk durojnë dot thirrjet për eliminimin e kësaj klase politike që ka sunduar këto 36 vjet !

Synimi i tyre nuk është vendosja e demokracisë apo lufta kundër korrupsionit, siç pretendojnë por veçse kthimi i S.B. në pushtet. Por studentët duket se nuk po mashtrohen. “Nuk duam që të na e vidhni protestën për herë të dytë, siç bëtë më 1990-tën” – ishte shqetësimi i tyre.

Dhe është po i njëjti që po përpiqet 36 vjet më pas të përsërisë skenarin e vitit 1990, kur ai si një komunist i pabesë dhe dhelpërak që ishte, u vu nuk krye të lëvizjes demokratike  të studentëve të asaj kohe. Dhe shpreson përsëri sot, kur është 82 vjeç, të luajë po të njëjtën kartë!

Por duket se studentët sot duan një herë e mirë të shkëputen nga kjo flamë që ka 36 vjet që vetëm e ka dërrmuar vendin. Veçse shkëputja nga PD-ja është dhe duhet të jetë veçse hapi i parë.

Studentët duhet të bashkohen detyrimisht me flamingot me thirrjet “Shqipëri e re” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”!

Duhet të kthehen te protestat e qytetëruara, me kulturë dhe pa dhunë. Nuk duhet kurrsesi që ata të bien në grackën e Berishës për tu konfrontuar me policinë, për të djegur dhe shkatërruar gjithçka u del përpara. Kjo është dëshira dhe politika e dyshes makabre Berisha/Rama dhe kjo sjellje u shkon për shtat vetëm atyre.

Rama e ka shumë më të vështirë të përballet me protestuesit paqësorë, se me ata që gjuajnë me gurë. Madje, madje mund të thuhet se ai do të ishte tejet i gatshëm të fuste edhe njerëzit e tij në mes të turmës për t’i nxitur të konfrontohen me forcat e rendit. Në rast se nuk e ka bërë deri më tani ! Aq shumë i shkon për shtat revolta e dhunshme !

Por ai nuk ka se çfarë t’i bëjë qytetarisë, kulturës, edukatës apo gandizmit të protestuesve. Ndryshe flamingot duhet të rikthehen detyrimisht në shesh. Me apo pa studentët. Nuk është dhuna që mund ta largojë Ramën. 

Studentët, nga ana e tyre, kanë plotësisht të drejtë të protestojnë edhe vetëm, por është diçka shumë pozitive që ata po duan të distancohen nga vandalët e Berishës. Mirë do të ishte të largoheshin edhe nga pedagogët e tyre, si Argita, Malltezi etj etj që bëjnë pjesë edhe ata në strukturat e PD-së.

Nga ana tjetër policia nuk duhet të lejojë militantët e Berishës të shkatërrojnë gjithçka. Veçse nëse e bën këtë për të njollosur të gjithë protestuesit, si psh edhe flamingot dhe studentët. Duke u thënë qytetarëve të Tiranës: E shikoni kush janë këta që duan të marrin pushtetin?!

Ndërkohë ka ardhur dhe ka kaluar koha që flamingot të kishin dalë me një lider të tyre. Që të mos jetë as Qori, as Shehaj dhe as Llapaj. Por një figure apolitike, karizmatike, me reputacion në shoqërinë shqiptare dhe që nuk është njollosur gjatë këtyre 36 viteve shkërdhatokraci!

Të tillë ka plot. Koha do t’i nxjerrë patjetër në pah. Është vetëm çështje kohe. Dhe sado paradoksale të duket manifestimet « flamingo » duhet të jenë tërësisht apartiake, pra jo në shërbim të ndonjë partie, e vogël apo e madhe qoftë ajo, e re apo e vjetër! Por në shërbim të një Shqipërie të begatë, të lirë dhe demokratike. Ku pasuritë e saj mbi dhe nëntokësore të shfytëzohen në të mirë të popullit dhe jo që të bëjnë disa oligarkë tashmë të pasur, edhe më të pasur akoma!

Me në krye me një lider të pranuar dhe të njohur nga mbarë shoqëria shqiptare flamingot duhet të këmbëngulin në largimin e Ramës që e ka derdhur kupën. Dhe ndofta, dhe pse jo, në dorëzimin e tij dhe të Berishës, para SPAK-ut ose ndonjë autoriteti tjetër të pavarur gjyqësor. Siç po veprohet këto ditë në Serbi dhe Hungari, ku po çmontohet pushteti i atyre që kanë qeverisur vendet e tyre gjatë 10 viteve dhe më shumë.

Dhe duhet pranuar se ata kanë qeverisur ku e ku më mirë se sa Rama dhe Berisha, që vetëm e kanë shitur dhe shkatërruar vendin!

Ndryshe duhet pyetur: këta dy monstra sa hidrocentrale kanë ngritur këto 36 vite, sa kombinate tekstili, sa rafineri nafte,  sa uzina superfosfati apo ureje?! Apo të prodhimit të telave të bakrit, të prodhimit të pjesëve për automjete dhe traktorë etj etj! Sa?! Sa?! Dhe sa kanë shkatërruar dhe çuar për skrap?!

Flamingot duhet të shndërrohen sot nga ky lloj zogu i bukur në një lloj tjetër. Në atë të mitologjisë së lashtë, i njohur si Feniksi. Zog që kishte aftësinë të rilindte nga hiri i tij. Edhe flamingot sot duhet të rilindin për të mirën e të gjithë shqiptarëve.

Askush, me përjashtim të disa militantëve trushkulur dhe të babëzitur për pushtet dhe para, nuk duhet të punojë për largimin e Ramës dhe zëvëndësimin e tij nga një e keqe më e madhe si S.B.-ja!

Me shpresën, se njëlloj si Feniksi, Shqipëria të mund të rilindë përsëri.

v.gj.

Lini një Përgjigje