Shqipëria është e dyta në rradhë për tu anëtarësuar së paku deri në vitin 2030 në gjirin e Bashkimit Europian. Pas Malit të Zi, por përpara Maqedonisë, Ukrainës, Moldavisë, Gjeorgjisë, Serbisë, Bosnjë Hercegovinës, Kosovës dhe Armenisë. Kështu kanë raportuar këto ditë mediat e huaja si dhe zyrtarët e lartë të BE-së, duke filluar nga komisioneria përgjegjëse për zgjerimin Marta Kos, dhe deri te kryetari i Këshillit të Ministrave të BE-së, Antonio Kosta.
Çuditërisht dhe fatkeqësisht është hera e dytë që Shqipëria është pranë anëtarësimit të plotë në familjen europiane. Hera e parë ishte, pikërisht 30 vjet më parë, në vitin 1996 !
Asokohe punonja si korrespondenti i radios gjermane « Deutsche Welle » në Bruksel, ku ndiqnja procesin e afrimit të Shqipërisë me BE-në dhe NATO-n. Edhe atëhere Shqipëria ishte, bashkë me 10 vendet e tjera të ish Europës Lindore, një hap larg anëtarësimit në Bashkimin Europian. Por vjedhja dhe manipulimi i zgjedhjeve të 26 majit 1996, e shkatërroi këtë mundësi për 30 vite me rradhë! Si të mos mjaftonte me kaq erdhi edhe viti i mbrapshtë 1997 dhe për Shqipërinë nuk po flitej më për anëtarësim në BE, por nëse do të vazhdonte të ekzistonte si shtet normal apo jo ?!
Kronologjinë e kësaj disfate, si dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në që nga viti 1996, mund ta ndiqni në librin : « Shqipëria e vitit 1997 parë nga Perëndimi », të cilin mund ta gjeni edhe në adresën « virongjymshana.blog », së bashku me afro 500 shkrime të tjera me karakter politik, ekonomik, social, fillozofik dhe fetar.
Në artikullin më poshtë mund të ndiqni kronologjinë e atyre ditëve tragjikedhe shqetësimin e Bashkimit Europian ndaj ngjarjeve tronditëse në Tiranë, që ia mbyllën derën Shqipërisë deri më sot.
Autori i kësaj katastrofe, është po i njëjti : ai quhet Sali Berisha që po i vë flakën vendit për herë të dytë tani, kur përsëri Shqipëria është më afër se kurrë anëtarësimit në familjen e madhe europiane.
Por më mirë lexoni 2 shkrimet e mëposhtme, botuar më 29 maj dhe 24 korrik 1996, për të kuptuar se si rrodhën ngjarjet asokohe !
Demokracia e tradhëtuar
Foto ku shihen njerëz të përgjakur, policë të pajisur me kaska dhe shkopinj gome që rrahin me egërsi njerëz të shtrirë përdhe, reportazhe dramatike të gazetarëve të huaj që ndiqnin zgjedhjet të shoqëruar me tituj tronditës:-kjo është tabloja e shtypit europian ndaj zhvillimeve më të fundit në Shqipëri.
“Demokracia u tradhtua në Shqipëri”,-kështu shkruan me gërma të mëdha në numrin e sotëm e përditshmja e njohur britanike “The Independent”. Me ngjarjet e fundit u zhduk çdo iluzion që mund të kishte mbetur rreth së ashtuquajturës demokraci në Shqipëri, thekson në këtë gazetë i dërguari i saj në Tiranë, Andrew Gumbel.
“Shqipëria përballë një diktature të re”,-është ky titulli i një tjetër të përditshmeje londineze me reputacion:“The Guardian”. Skenat e djeshme, shkruan në këtë gazetë Helena Smith, na sollën ndërmend ato të 6 viteve më parë, kur populli ishte ngritur për të përmbysur diktaturën staliniane.
Në qendrën e votimit me kobure në brez
“Në Shqipëri zgjedhjet ishin të rreme”,– ishte ky titulli i gazetës italiane “La Republica” e datës 30 maj. Raporti zyrtar i vëzhguesve europianë akuzon Berishën,- nënvizon Piero Benetazzo, i cili më poshtë shton se 53 vëzhguesit europianë të OSBE-së e thyen heshtjen dhe po tregojne hapur se çfarë kanë parë.
“Kur arritëm në qendrën 76 të zonës së Lushnjës, shprehet njëri nga vëzhguesit italianë, ishte ora 10 e mëngjezit, por qendra e votimit ishte mbyllur, sepse sipas thënieve të drejtuesve demokratë të gjithë kishin votuar. Por jashtë qendrës një grup njerëzish po protestonin. Atëhere e ndërruan gënjeshtrën dhe na thanë se formularët e votimit mungonin pasi ishin vjedhur dhe hajduti kishte ikur nga dritarja. Por dritarja ishte e zënë me hekura?! Atëhere drejtuesit e qendres vajtën dhe u ankuan për ne te kryetari i zonës zgjedhore. Ai na u afrua, hapi ngadalë xhaketën për të na treguar pistoletën që mbante në brez dhe pastaj na “spjegoi” se ne të huajt duhet të ia dimë për nder Berishës që po na mbron nga vërshimet e klandestinëve nga Shqipëria !
Në një tjetër të përditshme italiane “Il Sole 24 ore”, Elena Raguza tregon se çfarë ajo ka parë të dielën më 26 maj në Tiranë:”Kuti votimi që ishin mbushur që në ora 7 të mëngjesit, ende pa filluar votimet, me skeda në favor të Partisë Demokratike. Zgjedhës që hidhnin në kutitë e votimit, jo një, por dhjetëra skeda të parapërgatitura, qendra votimi të ngritura në shtëpitë e anëtarëve të partisë demokratike e të tjera. Këto ishin zgjedhjet e 26 majit në Shqipëri”…
Ndërsa gazeta më e madhe italiane,“Corriere della Sera” duke komentuar zgjedhjet e së dielës në Shqipëri shkruan me gërma të mëdha:“Në qëndrën e votimit me kobure në brez”. “Simboli i këtyre zgjedhjeve mund të konsiderohet sekretari demokrat i zonës së votimit nr 74 që sillej nëpër qendrat e votimit me kobure në brez, e mjaftueshme kjo per t’i ndërruar mëndjen kujtdo që do të vinte në dyshim ligjshmërinë e këtyre votimeve”,- vinte në dukje me qesëndi Luigji Ipolito në këtë gazetë.
Ndërsa një tjetër vëzhgues italian, Xhani Zampariolo, pohon po te “Corriere della Sera” se në disa raste pranë qendrave të votimit vëzhgonte policia, ndërsa kryetarët dhe sekretarët e Partisë Demokratike pranë komisioneve elektorale të qendrave të votimit u paraqisnin vëzhguesve të huaj anëtarë të Partisë Demokratike që hiqeshin si përfaqësues të partive të opozitës!
“Zgjedhjet në Shqipëri mund të konsiderohen çdo gjë, por vetëm zgjedhje të lira jo”,- thekson me indinjatë në të përditshmen tjetër italiane “La Stampa” njëri nga 54 vëzhguesit e OSBE-së.
Në tribunë si në ring
Ndërsa shtypi francez duket se merret më shumë me rolin dhe karakterin e Berishës gjatë këtyre zgjedhjeve:-“Berisha ngjitet në tribunë si boksieri në ring. Ai çirret, ulërin, bërtet, derisa i ngjirret zëri, ngre duart drejt qiellit dhe u drejtohet perkrahësve të tij me fjalët:”Ju dua kaq shumë të gjithëve”,- nënvizon e përditshmja franceze “Le Figaro”.
Bruksel :29/05/1996
Në vigjilje të vizitës së komisionerit Hans van den Bruk në Tiranë
Jo shumë kohë më parë, në fillim të qershorit, 2 zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian, presidenti i tij i rradhës, ministri i jashtëm italian Lamberto Dini dhe presidenti i Komisionit Europian Zhak Santer anulluan papritur vizitën e tyre të planifikuar për në Tiranë për shkak të mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet atje, Ndërkohë që vizituan Zagrebin, Sarajevën, Beogradin dhe Shkupin.
Por nesër në drejtim të Tiranës dhe Shkupit do të udhëtojë komisioneri i Bashkimit Europian, përgjegjës për zgjerimin, Hans van den Bruk. Meqë zoti Van den Bruk konsiderohet si ministri i jashtem de fakto i Bashkimit Europian, vizita e tij në Tiranë dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve atje, merr rëndësi të veçante. Pasi ky është zyrtari më i lartë dhe i pari që viziton Shqipërinë pas zhurmës së krijuar rreth votimeve të 26 majit.
Eshtë kjo vizita e dytë që zoti Van den Bruk ndërmerr në Shqipëri që pas permbysjes së diktaturës komuniste atje. Vizitën e tij të parë në këtë vend komisioneri i Bashkimit Europian e zhvilloi më 28 prill 1995.
Optimist nga ndryshimet ekonomike dhe politike që ai vuri re atje, me tu kthyer në Bruksel, zoti Van den Bruk deklaroi se edhe me Shqiperinë mund të nënshkruhej një marrëveshje asocimi, njëlloj si ato që Bashkimi Europian kishte nënshkruar deri atëhere me 10 vende të tjera të Europes Qendrore dhe Lindore.
Deklaratë që zgjoi menjëhere debate të zjarrta dhe diskutime të pafundme sa në mjediset e Bashkimit Europian, aq edhe në masmedian perëndimore. Për- krahësit e integrimit të Shqipërisë në BE u shprehën se qoftë për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike dhe strategjike, por mbi të gjitha për rolin e matur që kishte luajtur shteti shqiptar gjatë konfliktit të përgjakshem në ish-Jugosllavi, i cili deri në një farë mase pengoi perhapjen e flakëve të luftës edhe në Kosovë dhe Maqedoni, duke evituar kështu shtrirjen e konfliktit dhe transformimin e tij nga një dramë thjesht bosnjake në një dramë ballkanike, Shqipëria e meritonte dhe duhej shpërblyer me një akord asocimi.
Por kundërshtarët e kësaj ideje u shprehën se nuk mund të pranohej në gjirin e Bashkimit Europian një vend i cili sapo kishte nënshkruar anëtarësimin e tij në Konferencen e vendeve islamike dhe ku ende reminishencat e dukurive të komunizmit gjallonin deri në udhëheqjen e vendit.
Pikërisht për të nxitur nënshkrimin e një akordi asocimi me Shqipërinë si dhe për t’i dhënë një shtysë më të fuqishme marrëdhënieve shumëplanëshe ndërmjet Bashkimit Europin dhe Shqipërisë, presidenti shqiptar Sali Berisha vizitoi selinë e Bashkimit Europian në Bruksel, 6 muaj më parë, saktësisht më 12 tetor 1995.
Pak javë më pas presidenca e Bashkimit Europian deklaroi se është rënë në ujdi që me Shqipërinë të nënshkruhet një lloj akordi i veçantë, që as nuk ia mbyll derën anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por as e rradhit atë në të njëjtën shkallë me 10 vendet e tjera kandidate të Europës Lindore, i ashtuquajturi ‘accord sui generis”.
Presidenca italiane e Bashkimit Europian, që kryesoi gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti Bashkimin Europian, deklaroi disa herë me solemnitet se ky akord specifik ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të nënshkruhej.
Por mënyra se si u zhvilluan zgjedhjet e fundit në Shqipëri ia pamundësoi presidencës italiane vënien në tavolinën e Këshillit të Ministrave të BE-së të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.
Kështu që vizita e dytë e komisionerit të Bashkimit Europian në Shqipëri zhvillohet në një situatë krejt tjetër, të rënduar dhe dyshuese.
Burime të Komisionit Europian pohojnë se nga rezultatet e kësaj vizite do të varet edhe e ardhmja e marrëdhënieve ndërmjet Europës së Bashkuar dhe Shqipërisë.
Bruksel : 24/7/1996

Lini një Përgjigje