Të këqinj sa të duash janë serbët. Sidomos me shqiptarët. Por ata na dhanë një shembull të vlefshëm se si rrëzohet një regjim. Edhe pa thyer një xham, edhe pa këputur një lule. Dhe pa djegur dhe vrarë si më 21 janarin e dikurshëm!
Gjithë ata që përplasen me gurë me policinë dhe kërkojnë dorëheqjen e Ramës, duhet të ndjekin shembullin e studentëve të Serbisë. Të mirë apo të këqinj ata, rruga e tyre është e vetmja e mundshme !
Flamingot e nisën shumë mirë, por më pas ranë në grackën e Berishës, në atë të djegieve dhe shkatërrimeve. Për të cilat ai mban rekordin botëror. Kështu veproi edhe në vitet 1991 – 1992 deri sa mori pushtetin !
Pyetja që shtrohet sot është : pse duhet të japë dorëheqjen Rama ?! Sa për dijeni dorëheqjen e tij e kam kërkuar që para 3 vitesh. Për tu bindur mund të lexoni shkrimin e botuar më 3 gusht 2023 me titullin : »Zhgënjimi i madh » në « virongjymshana.blog » dhe « virongjymshana.blogspot.com » ku kam kërkuar largimin e kryeministrit. Si i paaftë për të luftuar korrupsionin, madje me emërimet e tij të papeshuara e ngriti këtë dukuri në një shkallë të paparë ! E kam kërkuar si i paaftë të ndërtojë shtet. E kam kërkuar si një kryeministër i zgjedhur nga e majta, por që ka ndjekur politika ekstremisht të djathta, në mbështetje vetëm të oligarkëve vendas dhe atyre të huaj, e kam kërkuar për pazaret e tij në shitjen apo dhënien me qera të trojeve të vendit tonë me gjithë pasuritë e tij mbi dhe nëntokësore !
Por sot mendoj se ai nuk duhet të dorëhiqet. Sidomos pas hyrjes në « lojë » tani edhe të Berishës ! Sa të çohet vendi drejt të një lufte civile, apo te përsëritja e 1997-tës, e mira është që protestuesit të organizohen dhe të bëhen bashkë, duke gjetur dhe nxjerrë në pah figura të spikatura të artit, skenës, shoqërisë civile, shkencës etj etj dhe të kërkojnë zgjedhje të parakohshme.
Se njerëzit megjithatë nuk janë çmendur aq shumë sa t’i shkojnë nga pas vandalëve, “çunave të Mamurrasit » apo lumpen proletariatit, siç ëndërron Berisha !
Dhe nuk është e vërtetë thënia që Rama nuk mundet me zgjedhje! Mashtrim. Rama nuk mundet vetëm e vetëm se ka përballë monstrën dhe kanibalin më të shpifur që ka parë ky vend, Sali Berishën.
Por një koalicion figurash të shquara, të përbërë edhe nga ata që janë larguar për parime nga PS-ja dhe PD-ja, edhe nga studentët dhe flamingot e dikurshëm, e mund shumë kollaj Edi Ramën.
Uruganin popullor po u ndez nuk ka gjë ta mbajë. Ai do marrë përpara Edi Ramën, Sali Berishën dhe kompani. Kështu ka ngjarë dikur edhe në Itali me demokracinë kristiane të De Gasperit dhe Andreotit, apo me partinë socialiste të Kraksit. Ato ishin zhytur në vetëkënaqësi dhe korrupsion dhe zëmërimi popullor i mori para.
Kështu do ngjasë vitin e ardhshëm edhe në Francë me partinë e Makronit dhe pak më vonë edhe në Gjermani. Aty socialdemokratëve dhe demokristianëve po u dridhen sot leqet e këmbëve, nga furia popullore që përfaqësohet në rradhë të parë nga AfD-ja dhe partia e majtë “Die Linke”!
Pse të mos ngjasë kështu edhe në Shqipëri?! Apo se meqë Berisha nuk vjen dot me vota në pushtet, hajt ta djegim vendin që t’i bëjmë atij qejfin! Jo. A nuk është më mirë të presim edhe 2 vite e gjysëm, deri sa të vijnë zgjedhjet e reja legjislative, se sa të krijojmë një zallamahi tjetër në vend. Që do të na largonte përfundimisht nga Bashkimi Europian, madje edhe nga cilësimi se jemi një popull europian!
Pas 6 muajsh kemi zgjedhjet lolale. Pse nuk organizohen tani studentët me pedagogët e tyre si dhe flamingot për të krijuar një ose disa parti, të grumbulluara në një koalicion, që të mundin Ramën dhe Salën bashkë ?!
Se boll më me lojën 35 vjeçare ik njëri, hajde tjetri. Apo « unë jam më i mirë se Saliu ! ». Ka ardhur koha që fshesa e historisë t’i çojë te gropa e plehrave si S.B.-në, ashtu edhe E.R.-në. Bashkë me partitë e tyre të shpifura, pa asnjë lloj identiteti, ideologjie dhe dhe dinjiteti!
Fatkeqësisht duket se turma e bulevardit i ka hypur kalit mbrapsht. Me sjelljet e tyre prej ordinerësh ata nuk meritojnë asnjë lloj respekti. Krejt ndryshe nga flamingot e parë. Që nuk thyen një xham!
Protestat duhet tani të kthehen në origjinë. Aty ku ishin kur mbrojtën lejlekët, faunën dhe florën e vendit, kur denoncuan pazaret e shpifura të Ramës me Kushnerin dhe izraelitët. Kur kërkuan futjen në burg të Ramës dhe Berishës dhe ngritjen e një Shqipërie të Re.
Kjo është rruga e vetme për të rrëzuar Ramën. Gjithë të tjerat janë rrugaçëri dhe antishtet. Nuk digjet jorgani për një plesht. Nuk duhet ta djegim Shqipërinë për hatër të Berishës, apo grekut, serbit dhe dreqit me të birin!
Në rastin më të keq, duhet të presim edhe 2 vjet e gjysëm deri në zgjedhjet e reja. Por mund të përgatitesh që tani për zgjedhjet lokale! Kush të pengon ?! Dhe jo duke grumbulluar gurë dhe sulmuar ministritë! Se atëhere edhe plumbat e policisë do t’i kenë hak dhe pak.
Berisha do që të përsëritet 21 janari, që të mos ngelet ai si i vetmi në historinë e demokracisë që ka vrarë 4 veta në mes të bulevardit, se guxuan të ngriheshin kundër tij.
Por intelektualët e vendit duhet të bëjnë çmos tani ta shmangin një skenar të tillë! Ata duhet të bindin njerëzit se dhuna nuk është zgjidhje.
Dhe se vetëm mënçuria, solidariteti, dashuria për vendin mund të hapin rrugën e ndryshimit dhe përparimit.
Nga Viron Gjymshana

Lini një Përgjigje