Jo se Vuçiçi ishte burrë i mirë. Përkundrazi. Por ai ndiqte një politikë që i vinte shumë për mbarë Kosovës. Sepse Vuçiç ishte përveçse nacionalist, edhe antiperëndimor, siç kishte qënë dikur edhe ish shefi i tij, Millosheviçi.
Dhe kjo ishte pothuajse një “dhuratë” për Kosovën. Me politikën e tij pro ruse dhe pro kineze, Vuçiç i gjente shpesh herë të mbyllura dyert e Brukselit dhe Uashingtonit. Aq sa kohët e fundit Serbia u la jashtë edhe ndaj shumë projekteve të Bashkimit Europian. Mbyllja e kapitujve për anëtarësimin e Serbisë në BE u ngadalësua ndjeshëm, aq sa mund të thuhet se edhe u bllokua deri në një farë mase!
Bashkimi Europian llogariste Mailin e Zi dhe Shqipërinë (deri para protestave) si kandidatët më të mundshëm për të hyrë në BE deri në vitin 2030! Madje para afro 2 vjetësh Vuçiç u largua i turpëruar edhe nga Uashingtoni, pasi atje nuk e priti pothuajse askush. Dhe ai nxorri si pretekst për këtë injorim të pësuar se gjasme u sëmur!
Vuçiçi deri në një farë mase i ngjante mikut të tij hungarez, Viktor Orban. Edhe ky i fundit ishte nacionalist, pro rus dhe anti BE! Në kuptimin se ai ndiqte një politikë të pavarur nga Brukseli. Kjo ishte edhe arsyeja që Bashkimi Europian bllokoi edhe 10 miliardë eurot që i takonin Hungarisë nga « qesja e përbashkët » !
Por gjithçka ndryshoi me ardhjen në pushtet të rivalit të tij, Petër Maxhar, një proeuropian ky dhe antirus. Ai e ndryshoi menjëherë kursin e politikës së jashtme të Hungarisë, duke e kthyer busullën krejtësisht nga Brukseli si dhe në mbështetje të Ukrainës. Që pasardhësi i tij nuk e bënte! Si përfundim Hungaria i mori menjëherë 10 miliardë eurot e bllokuara!
Pse i morëm këto shembuj?! Për të treguar se ngandonjëherë të drejtohesh drejt Brukselit dhe të braktisësh Moskën të krijon përfitime të mëdha. E keqja tani është se këtë politikë properëndimore mund ta ndjekin sot edhe partitë studentore që fituan dje në Serbi!
Deri më tani edhe bisedimet Beograd – Prishtinë ishin pothuajse pezulluar. Sidomos që kur Lajçaku, diplomati sllovak, u largua nga posti i tij. Që atëhere bisedimet Beograd/ Prishtinë varen dhe kontrollohen nga dyshja « nordike” Sorensen nga Danimarka dhe estonezja Kaja Kallas, që luan rolin e ministres së jashtme të Bashkimit Europian.
Gjatë gjithë këtyre kohëve Beogradi nuk ka rreshtur një ditë të vetme së kërkuari vënien në jetë të së ashtuquajturës, Zajednicë, asocimit, bashkëformimit të komunave serbe në Kosovë në një entitet që u jep këtyre komunave pothuajse statusin e shtetit brenda shtetit, duke rrezikuar kështu edhe sovranitetin e plotë të Kosovës.
Nga ana tjetër, dhe me të drejtë, Prishtina ka kërkuar si këmbim për këtë lëshim njohjen e pavarësisë së saj nga Beogradi. Një kërkesë kjo e papranueshme nga Serbia. Prandaj edhe negociatat kanë ngecur. Por diçka e tillë, për fat të mirë, duket se nuk e ka shqetësuar edhe aq shumë shefen e politikës së jashtme të BE-së!
Tani pas zgjedhjeve të djeshme, gjithçka mund të ndryshojë. Ndofta, për sy e për faqe, ekipi i ri drejtues në Beograd mund të luajë kartën e properëndimorit dhe të bëjë sikur gjasme do të largohet nga Rusia. Siç veproi para mbi 20 vjetësh ish-kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Zoran Xhinxhiç. Prandaj sot qeveria e re serbe mund t’i thotë Brukselit : »Doni që të afrohemi me ju ?! Na jepni asosacionin e komunave serbe në Koovë «!
Nga ana e tij Bashkimi Europian mund të jetë shumë i interesuar ta afrojë Serbinë në gjirin e tij, sidomos nëse vëren se qeveria serbe e ka seriozisht ndërrimin e kursit të saj politik : nga Moska drejt Brukselit !
Me Vuçiçin në krye të Serbisë diçka e tillë nuk kishte fare gjasa të ngjante, por me këta të rinjtë nuk i dihet. Të paktën deri më tani. Se edhe brenda partive dhe grupimeve që fituan dje shumicën e vendeve në parlamentin serb ka forca ekstremiste dhe nacionaliste që janë gati të përdorin forcën për të rimarrë psh veriun e Kosovës, me Ujmanin, Trepçën etj. Siç ka edhe forca properëndimore. Kush do të fitojë ndër to ?! Kjo është ende herët të thuhet. Duhet pritur formimi i qeverisë së re të dalë nga koalicioni i forcave deri dje opozitare që do përcaktojë dhe shpallë edhe prioritetet e saj në politikën e ardhshme të Beogradit!
Ja pra: për të gjitha këto arsye humbja e Vuçiçit nuk përbën një lajm edhe aq të mirë për Kosovën!
Nga Viron Gjymshana

Lini një Përgjigje