Ka disa njerëz që sa janë të poshtër, aq janë edhe të paturp! Rekordi i këtyre qënieve quhet Sali Berisha. Me një pafytyrësi të paparë ai derdhi sot lot krokodili për 2 – 3 vetë të plagosur apo dëmtuar nga forcat e policisë.
Pa asnjë dyshim që policia duhet të tregohet më e përmbajtur. Ajo duhet të bëjë dallimin midis protestuesve paqësorë dhe vandalëve apo “çunave të Mamurrasit”!
Por që dëshpërimi dhe revoltimi të vijë nga njeriu më i urryer në vend, kjo është vërtet e padurueshme! Ishte një kohë ku PS-ja ishte në opozitë dhe organizoi një protestë kundër korrupsionit të asaj kohe.
Si “shpërblim” Garda ushtarake vrau 4 protestues në mes të bulevardit. Ndërsa protestat e flamingove, studentëve dhe vandalëve po i afrohen ditës së 140 dhe deri më tani asnjë i vrarë! Kjo është e padurueshme për Sali Berishën që po përpiqet me sa ka mundësi që të përsëritet skenari i 21 janarit!
Kështu psh selia e PD-së në Tiranë është kthyer në depo armësh nga ku furnizohen me molotovë dhe gurë mbështetësit e PD-së. E çuditshmja është se e ashtuquajtura drejtësi, me SPAK-un në krye, nuk ka kryer asnjë hetim deri më tani, rreth prejardhjes së mjeteve me të cilat po sulmohet policia!
Në një kohë që ajo nuk lë vend pa futur hundët. Madje ka arrestuar edhe një zëvendësministre për një arkë me presh ! Që ajo duhej të ndiqej për korrupsion kjo nuk do shumë mend. Po ku është SPAK-u tani kur Shqipëria po digjet ?! Kur po përdoren edhe molotovët ?!
Kjo pyetje lidhet edhe me një tjetër : Si spjegohet që ai që vrau para 15 vitesh 4 të pafajshëm nuk i ka hyrë deri më sot gjemb në këmbë.
Këtu është edhe përgjegjësie dhe faji I Edi Ramës. Që me disa llogari meskine e ka dashur Berishën “jashtë”, që ta përdorte si dordolec për të trembur njerëzit! Dhe kjo po i del tani prej hundësh.
Si pasojë ai hartoi sot edhe një ligj me 14 pika për të shtypur protestën, disa prej të cilave bien krejtësisht ndesh me të drejtat e njeiut dhe të një shoqërie demokratike.
Por kryeministri ka vepruar edhe një herë tjetër me djallëzi. Ai ka kërcënuar me gjoba stratosferike protestuesit edhe në rast se ka grumbullime paqësore. Boll që nuk i janë bindur thirrjeve të policisë për tu shpërndarë! Tani e tutje u dashka marrë leje te policia për të organizuar një manifestim paqësor ?! Si ato të flamingove dikur.
Atëhere ti kërkon leje, por policia nuk ta aprovon. Ti mblidhesh me të tjerë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe dënohesh rëndë me një gjobë të stërmadhe !
Ai ka kërcënuar me pushim nga puna tani edhe mësuesit, në rast se nxënësit e tyre i bashkohen protestës. Ai do ta konsiderojë tani një pjesëmarrje të nxënësve në protesta si të shtyrë dhe nxitur nga vetë mësuesit !
Siç thamë ai ka bërë kujdes të djegë edhe të njomin me të thatin. Dmth nga njëra anë ai flet për mbrojtjen e lirive individuale, si psh e drejta për të manifestuar, por, të mos harrojmë, me leje nga policia!
Po sikur manifestuesit të duan të protestojnë edhe kundër policisë si i bëhet ?! Por diçka shihet qartë nga këto ligjet dhe rregullat e reja që po aprovon kryeministri ! Ai ka vendosur tani të përplaset, të konfrontohet me protestuesit. Dhe duket se as që i shkon ndër mend të dorëhiqet.
Sidoqoftë e ka kot. Ylli i tij që shndërriste aq fort deri para 4 muajsh, tani është zvenitur dhe po perëndon. Dhe nuk do kthehet më kurrë siç ka qënë!
Të shohim si do vazhdojnë tubimet ditët e ardhshme! A do të ndahen dot protestuesit paqësorë dhe të kulturuar, të njohur si flamingo, nga këta protestuesit e dhunshëm të Sali Berishës!
Sepse përplasja me gurë dhe plumba gome del në favor të forcave të rendit. Dhe nuk ka asnjë shans që ky pushtet, sado i gabuar që është, të përmbyset nga dhuna.
Duhet të krijohet një alternativë politike. Siç e kam shpjeguar në afro 30 shkrimet kushtuar protestës, që mund t’I gjeni në këtë portal.
Pa alternativë politike, protestat nuk do kenë fuqi. Sigurisht që disa qindra “të përbetuar” do të vazhdojnë të dalin në shesh. Por pa e rrezikuar dot më pushtetin e Edi Ramës dhe nën buzëqeshjet tallëse edhe të banorëve të kryeqytetit.
Pa alternativë nuk ka pushtet. Pa dorëheqjen e Ramës nuk do ketë qetësi! Atëhere si do i bëhet?! Me siguri që koha do e japë një zgjidhje. Por revolucioni dhe dhuna nuk janë zgjidhje. As edhe shtypja policore. Dialog dhe ndryshim I butë pushteti. Kjo mund të jetë zgjidhja e vetme.
Nga Viron Gjymshana

Lini një Përgjigje