Sot u mbush kupa. Madje u derdh. Siç e ka derdhur Edi Rama me kohë me shitjet e pasurive dhe trojeve kombëtare. Por kaq të rrezikshme dhe të padëgjuara ishin sot edhe thirrjet “Allahu Ekber” në mes të bulevardit të Tiranës!
Tani po hyjmë të lufta fetare! Te përpjkjet për ta ndezur atë! Kush ishin këta të çmendur që ulurinin thirrjen e terroristëve islamistë. atyre të DAESH-it,të Al Qaedës etj etj?!
Kjo ishte e tepërt dhe e padurueshme. Jemi mburrur gjithmonë me tolerancën tonë fetare ! Me frazën lapidar të Vaso Pashës : »Feja e shqiptarit është Shqiptaria » !
Dhe sot po na dalin disa trushkulur dhe hajvanë me brirë, disa pusha dhe maskarenj, që po përpiqen t’i vënë flakën kësaj tolerance dhe bashkëjetese të paparë në botë ! Veçse në qoftë se është ndonjë i futur nga qeveria apo policia !
Se gjithçka është e mundur. Ramës po i shket sot toka nën këmbë. Për fajin e tij. Prandaj ai mund t’i provojë tani të gjitha!
Ndryshe pse nuk arrestohet ai që ulurin fraza që përçajnë popullin?! Ja supozojmë se policia nuk mund ta arrestojë dot në mes të turmës ! Po pse të mos ta arrestojë natën, në shtëpinë apo hotelin ku fle ?!
Se ky ose këta zuzarë mund të kenë ardhur edhe nga Maqedonia, apo edhe nga Kosova ! Mund të na e kenë bërë « peshqesh » edhe fqinjët tanë të dashur! Ndryshe një thirrje të tillë mund ta përdorë edhe kushdo që nuk ia do të mirën vendit tonë. Që nuk do hyrjen e tij në Europë. Që do gjakderdhje ndërmjet vëllezërish !
Prandaj është me rëndësi kapitale që ky ose këta të paudhë dhe armiq të arrestohen dhe të trajtohen pa asnjë mëshirë në komisariatet e vendit. Sa që mos t’i shkojë më kurrë ndërmend të ulurijë fraza të tilla ! Në fund të fundit t’i fusin edhe një dru të paparë. Armiqtë e çdo Atdheu dhe Kombi janë ekzekutuar në të gjitha vendet dhe në të gjitha kohët.
Kjo është thirrje lufte, nuk është liri shprehjeje ! Këtë frazë e përdorin tani edhe në Francë, edhe në Gjermani, ata që thyejnë xhamat, që grabisin dyqanet, që qëllojnë policët ! Kjo është thirrja e të gjithë terroristëve islamistë të botës.
Le ta përdorin këtë shprehje ku të duan. Qoftë në Iran, në Afganistan, në Siri, Libi,Tunizi,Turqi, etj etj. Kudo në vendet myslimane. Është shprehja e tyre dhe askujt në Europë, Kinë, Brazil, SHBA etj nuk u bëhet vonë për të !
Por jo në Shqipëri. Se jemi një vend laik, me tradita dhe me kushtetutë. Me martesa të përziera. Me katër bashkësi fetare. Pa përmendur këtu ateistët dhe laikët. Duke i mbledhur të gjithë, (edhe myslimanët që vejnë kombën mbi fenë) del se ne nuk jemi fare vend mysliman.
Prandaj ata që përdorin thirrje të tilla, duhet që shteti tu tregojë vendin dhe jo të fërkojë barkun !
Prandaj ka ardhur dhe ka kaluar koha që flamingot të ndahen nga vandalët dhe islamistët në të njëjtën kohë. Protestat e para 20 ditëve në bulevardin « Dëshmorët e Kombit » në Tiranë ishin të bukura, të qytetëruara, me kulturë dhe shpresëdhënëse.
Por këto 10 ditët e fundit ato kanë degraduar dhe degjeneruar në një dhunë vandale të pabesueshme. Janë nxitur nga ata që duan të vinë përsëri në pushtet me forcë. Nga ata që duan që të derdhet gjak përsëri në bulevard ! Siç bënë kur ishin në pushtet !
Por tani këtij grupimi i qënkan bashkuar edhe islamistët. S.B.-ja, (nuk dua t’ia përmend as emrin) dikur pati deklaruar se e urrejnë – (Perëndimi dmth) – meqë është mysliman ! Është po kjo mynxyrë, ky gjarpër, që na futi edhe në Konferencën e vendeve islamike. Në një kohë kur shumica e këtyre shteteve nuk njohin as pavarësinë e Kosovës dhe mbajnë marrëdhënie të përzemërta me Serbinë !
Në rast se shteti tani nuk reagon me forcë dhe fizikisht, (dhe jo vetëm me fjalë dhe deklarata), kjo do të thotë që është ai vetë, shteti dhe qeveria, që qëndrojnë mbrapa tyre ! Ose e dyta : që ky shtet, kjo qeveri është tejet e paaftë.
Një arsye më shumë që kallami i gjatë pa kokrra të largohet sa më shpejt !
Nga Viron Gjymshana

Lini një Përgjigje