Zgjedhje të reja, por kur PD-ja dhe PS-ja të jenë shpallur të paligjshme

   Shumë veta si intelektualë, flamingo, vandalë etj etj janë duke kërkuar tani zgjedhje të reja, si mundësia më e mirë për të dalë nga kaosi dhe rrëmuja ku është përfshirë vendi që prej më shumë se 4 muajsh!

Bukur ! Por dihet se sot e 36 vjet shoqëria shqiptare ka pasur « të drejtë » të zgjedhë vetëm ndërmjet 2 partive që janë formuar që në vitin 1990. Jo se partitë e tjera janë ndaluar me ligj, por sepse PD-ja dhe PS-ja kanë ditur të krijojnë  një atmosferë mbytëse ndaj çdo partie të re.

E vetmja që ia doli për pak kohë ta thyente këtë monopol ishte « Lëvizja për Integrim » e krijuar dhe e udhëhequr nga Ilir Meta. Por edhe ajo nuk ia doli për shumë kohë. Sot, tani që ka edhe kryetarin e saj në paraburgim, asaj pothuajse nuk i dëgjohet më zëri !

Sali Berisha me Edi Ramën janë kujdesur posaçërisht dhe së bashku që të mos lindëte asnjë alternativë tjetër përveç tyre. Madje, për këtë qëllim, ata  krijuan edhe një lloj cirku me sharje, fyerje dhe përplasje me njëri tjetrin për ta mbajtur të fokusuar opinionin shqiptar veçse te ata.

E njëjta gjendje vijon edhe sot. Madje që nga viti 2008 Berisha dhe Rama vendosën që kryetarët e partive dhe vetëm ata të kenë të drejtë të caktojnë listën e deputetëve me lista të mbyllura ! Duke u kthyer kështu me dashje në pothuajse një lloj sulltanësh dhe tiranësh brenda partive të tyre.

Synimi i kësaj maskarade ishte jo vetëm pengimi i krijimit të partive të reja, por edhe sundimi i tyre i plotë brenda partisë. Dhe siç ndodh gjithmonë në raste të tilla, më të pavarurit, ata më me shumë reputacion në popull, më të ndershmit dhe më të aftët i larguan nga partia. Nga të dyja partitë. Që të dëgjohej vetëm zëri i tyre.

Dhe rezultati: Rama 20 vjet si kryetar i Partisë Socialiste dhe Berisha plot 30 vjet në krye të PD-së!

Atëhere si mund të mbahen zgjedhje të reja veçse me këto 2 parti?! Flamingot kanë kërkuar një Shqipëri të Re, një revolucion në krahasim me mënyrat dhe praktikat se si është qeverisur vendi gjatë këtyre 36 viteve. Atëhere ku ishim?! Asgjëkundi!

Që të ikë Rama dhe të rikthehet Berisha kjo do të ishte një çmenduri dhe një katastrofë tjetër për vendin. I cili do kthehej kështu 30 vite pas.

Që të kemi një ndryshim, një përmbysje dhe një Shqipëri të Re duhen që të dyja këto parti të shpallen të paligjshme! Për të këqijat e panumërta që i kanë shkaktuar këtij vendi dhe njerëzve.

Po kush t’i shpallë?! Këto parti kanë edhe gurin edhe arrën në dorë! Atëhere zgjedhjet e parakohëshme do të jenë vërtet të parakohëshme. Jo vetëm se opinioni publik nuk është ende i prgatitur për të votuar ndryshe nga deri më tani, por edhe sepse nuk ka alternativë në horizont!

Ata që kërkojnë zgjedhje të reja të parakohshme duket se kanë në mëndje rikthimin e Berishës në pushtet. Se nuk ka zgjidhje tjetër. Sidomos në kushtet aktuale politike në të cilat gjendet vendi.

Ja supozojmë se kërkesa e tyre u mor parasysh dhe u mbajtën zgjedhje të tjera! Po sikur ato t’i fitojë përsëri Partia Socialiste, si partia me mbështetjen më të madhe në vend, çfarë do ngjasë?! Mos do të qetësohet ndopak situata?! As në ëndërr nuk duhet të na shkojë në mëndje kjo.

Sepse Partia Demokratike, siç ka bërë gjithmonë, edhe në kohë shumë më të qeta se tani, do të ulurijë përsëri në kupë të qiellit se i vodhën votat! Dhe gurët, mollotovët, djegiet e institucioneve shtetërore do të vijojnë edhe më me forcë.

Supozojmë tani se fitoi Partia Demokratike ! Atëhere prandaj u bë gjithë ky qamet i zi?! Që të rikthehet në pushtet ai që ka vrarë, që ka hedhur në erë njerëz, që ka shkatërruar me themel vendin gjatë periudhës 1991 – 1997 dhe 2005 – 2013!

   Ja pra pse nuk duhen mbajtur zgjedhje të parakohëshme tani! Se, siç thamë edhe më lart, opinioni publik shqiptar nuk është ende i përgatitur dhe e dyta se atij i ka mbetur përsëri  “e drejta” të zgjedhë si sot e 36 vjet midis “Hoxhë Alisë dhe Ali Hoxhës”!

           Ky rrezik u duhet bërë I ditur të gjithë njerëzve. Pa u krijuar një Front i Ri Popullor apo një Parti e Djathtë Klasike është budallallëk me brirë të kërkosh zgjedhje të reja. Vetëm nëse do që flaka të përfshijë gjithëçka përsëri. Si më 1997-tën.

     Atëhere unë e ndjej se pyetja normale është : Po si i bëhet atëhere?! Dhe përgjigja është vetëm një: Të presim krijimin e forcave të reja politike të papërlyera me poshtërsitë e këtyre 36 viteve të shkuara.

Kur në një kuptim figurative: PD-ja dhe PS-ja të jenë shpallur të paligjshme nga zemra e popullit shqiptar. Vetëm atëhere mund të ketë shpresë për një “remontada” të vërtetë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një Përgjigje