Rama e meriton, por ç’faj ka Shqipëria?!

Këto dy ditët e fundit Edi Rama me gjithë eunukët e tij kanë filluar ta drejtojnë gishtin drejt Sali Berishës, si shkaktari kryesor i dhunës së tmerrshme të këtyre 5 ditëve të fundit.

Dhe deri diku kanë të drejtë. Janë bandat e Berishës ato që po shkatërrojnë dhe po djegin gjithçka. Por këta të PS-së duket se janë zgjuar nga gjumi me shumë vonesë. Kanë 13 vite në pushtet dhe një qime floku nuk I kanë prekur deri më sot shkatërruesit të vendit, vrasësit të 4 vetave në boulevard dhe indirekt, si pasojë e keqqeverisjes së tij,  edhe të 4 000 të tjerëve gjatë vitit të mbrapshtë 1997!

Në një mënyrë shumë të poshtër dhe lapërdhare Rama e përdorte Berishën si gogol për të fituar zgjedhjet njëra pas tjetrës. Prandaj e donte dhe e mbante jashtë. Ngandonjëherë duke u fshehur edhe pas drejtësisë dhe SPAK-ut.

Tani po korr atë që ka mbjellë. Njerëzit e Berishës po ia thyejnë dhe djegin edhe dyert e ministrive, edhe të Gjykatën e Lartë, duke sulmuar pa pikë turpi edhe policët me plloça guri !

Çfarë të kërkosh më shumë ?! Një kaos tjetër ?! Shqipëria nuk ecën përpara se ka në krye ose kriminelë si Berisha ose pushta si Rama ! Çfarë i ka ngelur atij të bëjë tani ?!  I ka ikur fytyra, autoriteti, nderi dhe gjithçka tjetër. Pa asnjë dyshim ai ka marrë fund tani qoftë si kryeministër, qoftë si njeri.

Mund të kapet pas karriges së tij si të mbyturit e Titanikut që kapeshin pas dërrasave. Por duhet të gjejë medoemos zgjidhje. I takon atij që me paaftësinë, me papërgjegjshmërinë, me mëndjelehtësinë e tij e solli këtë gjendje.

Dje në këtë bllog kam shkruar dhe jam përpjekur ta arsyetoj se një Këshill Presidencial mund të ishte jo vetëm zgjidhja më e mirë, por edhe zgjidhja e vetme për të dalë nga ky qorrsokak.

Tani kësaj i thonë ose lëje ose mbaje. Ose lëre pushtetin ose rivendos rendin dhe ligjin! Se nuk mund të vazhdohet më kështu: hiq e mos e këput!

Çfarë pret Rama që të ngjasë akoma deri sa ai të gjejë një zgjidhje?! Reputacioni i tij ka rënë përtokë. Ai duhet të largohet, por në një mënyrë të zgjuar dhe të rregullt. Prandaj duhet të propozojë patjetër diçka. Por nuk duhet të hakmerret si çdo “shqiptar i vërtetë”! Nuk më donit mua, bujrrum ja ku e keni Berishën!

Se nuk është e sigurt se edhe me riardhjen e Berishës hap pas hapi në pushtet gjendja do të qetësohet. Një “qeveri e shpëtimit kombëtar”, një “qeveri stabiliteti”, një qeveri e përkohshme” deri në zgjedhjet e ardhshme etj etj.

Nuk ka arsye që Rama të përsërisë pa pushim që ai nuk largohet nga pushteti. Sikur t’ia ketë falur i ati. Në rast se nuk largohesh vendos atëhere ligj dhe rend ! Për këtë je zgjedhur rreth një vit e gjysëm më parë. Jo që të nxjerrësh Shqipërinë në ankand. Që t’i falësh oligarkëve vendas dhe miliarderëve të huaj pasuritë nën dhe mbitokësore të vendit.

Toka, kromi, uji i pijshëm, nafta, bakri, pyjet, lumenjtë dhe lëndinat janë pronë publike që i takojnë gjithë popullit shqiptar. Ato duhet të shfrytëzohen në të mirë të vendit dhe njerëzve, dhe jo që të pasurit të mbushin edhe më shumë xhepat. Plazhet kanë qënë gjithmonë publike. Ndërsa sot na janë kthyer në private bashkë edhe me ujin e detit që gjëndet në ballë të tyre. Kjo është e papëlqyeshme dhe e padurueshme njëkohësisht.

Rama duhet të largohet edhe për paaftësinë e tij. Për politikat e tij liberale të shitjes së pasurive kombëtare ! Pse pak janë këto bëma ?! Kjo i bën disa edhe të justifikohen tani për veprimet e tyre barbare.

Por duket se ai e ka të vështirë të largohet tani si i mundur dhe i poshtëruar. Priste të hynte ndryshe në histori. Por këtë mandatin e fundit, i 4 në rradhë, e bëri si lopa. I ra me shqelm kovës me qumësht. Se 3 mandatet e para nuk punoi keq. Por rezultati përfundimtar do i dali negativ. Njëlloj si Berishës, Nanos dhe Metës.

Prandaj “flamingot” patën shumë të drejtë që demonstruan paqësisht  përgjatë 130 ditëve duke kërkuar një Shqipëri të Re, pa këtë klasë politike që ka qeverisur këto 36 vite.

Sot vendin e atyre protestave paqësore e ka zëvëndësuar jo Revolucioni, por gurët dhe mollotovi. Si më 1991-shin është ngritur përsëri lumpen proletariat llumi i shoqërisë që do të risjellë në pushtet S.B-në.

Në fund të fundit Rama duhet të kuptojë se koha nuk punon më për të. Ai e pati shansin dhe e humbi. Sa më shumë kohë që kalon pa i dhënë një zgjidhje të plotë kësaj gjendjeje, aq më keq do të jetë për Shqipërinë dhe personalisht për Edi Ramën. Koha nuk pret më. Është çështje orësh dhe ditësh dhe jo muajsh. Zgjidhja duhet të propozohet tani.

Nga Viron Gjymshana

Lini një Përgjigje