Ja pra ashtu siç e parashikuam edhe 4 ditë më parë, Tirana po digjet. Dikur Berisha pat thënë se ishte i zoti ta merrte pushtetin me “çunat e Mamurrasit”! Dhe tani janë po ata që dikur këndonin : »Nuk jena oficera, kemi lindur gangstera » që po djegin vendin. Dhe po sillen me të vërtetë si gangstera. Kanë djegur banka, ministri, i janë sulur edhe monumentit të Skënderbeut dhe ambasadës së Vatikanit ! Ku po shkojmë kështu ?!
Po ai që është kryeministër çfarë bën ?! Do iki përsëri të hënën në Vienë ?! Se u bë një javë pa udhëtuar jashtë shtetit! Ndryshe ai tani gjendet në momentin më të vështirë që kur është bërë kryeministër, 13 vjet më parë !
Çdo gjë mund ta kishte parashikuar, por jo këtë që po ngjan sot dhe që ka ngjarë gjatë këtyre 140 ditëve ! Për të tani ka ardhur koha të mbajë një qëndrim. Boll u përdrodh. Megjithatë për mua dorëheqja e tij tani nuk është më zgjidhje. Se ajo vetëm që do i fuqizojë edhe më shumë vandalët, që do vazhdojnë djegien e vendit edhe më me forcë. Tani të paktën ai duhet të bëjë diçka : tu kundërvihet me forcë atyre që po djegin Shqipërinë. Kur nuk e tha dorëheqjen deri tani, nuk duhet ta japë më. Se do duket edhe si frikacak.
Në bulevard nuk ka më shumë se 2 000 veta. Të cilët mund të arrestohen dhe të degdisen diku pas Dajtit psh. Nën kontrollin e policisë. Se ata që qëllojnë me gurë policinë nuk meritojnë asgjë tjetër. Veçse tu shtypet koka.
Kush më ka ndjekur në këtë bllog e di që unë kam mbi 4 muaj që përkrah « flamingot » e protestës. Madje po të lexosh në këtë bllog edhe shkrimin e parafundit « 10 vjet dhe ende pa shtet » do të konstatosh se largimin e Ramës e kam kërkuar që para 3 vitesh, si i paaftë dhe i papërgjegjshëm.
Por vandalët janë diçka tjetër. Siç janë edhe islamistët. Me ta nuk dialogohet. Ata duhen shtypur. Rama të paktën ta provojë veten tani këtu. Se asgjëkundi tjetër nuk e ka ndritur.
E keqja e madhe është se Ramën sot nuk ka kush ta mbrojë. Ai i ka larguar me kohë socialistët e vërtetë, që kur filloi të pëlliste : « përtej të majtës dhe të djathtës » !
Socialistët kanë vërejtur prej kohësh dashurinë dhe dobësinë e tij për demokratët, disa prej të cilëve, i ka ngritur edhe në poste të larta. Ndërkohë që për socialistët ai ka pasur vetëm përbuzje dhe përçmim.
Rama sot nuk ka më mbështetës. Kështu ngjan kur përdridhesh sa majtas djathtas. Siç veproi edhe në politikën e jashtme. Një herë me Erdoganin dhe tani me Netanyahun !
Më 1997, kur Partia Socialiste ishte nën thundrën e Berishës, populli u ngrit dhe kapi armët kundër Berishës. Si psh në Vlorë. Ndërsa sot në Vlorë po « luftohet » veçse për të ndaluar apo shkatërruar muzeumin hebre atje! Për të cilin askush nuk kishte nevojë. Sot askush nuk do të kapë më armët për të mbrojtur Hamza Ramën!
Herët a vonë ai duhet të largohet. Dhe do të largohet me turp. Për fat të keq. Se tre mandatet e para ai nuk punoi keq. Por gjithçka vajti për dreq këtë mandatin e fundit. Kur filloi t’i duket vetja si zoti i vendit. Kur mendoji se mund të jepte ose falte pjesë të Shqipërisë oligarkëve vendas apo miliarderëve të huaj, pa pyetur kërkënd.
Tani ky zjarr nuk do fiket pa u bërë dikush kurban. Dhe ai që dikur shkruajti librin “Kurbani” duket se do do bëhet tani vetë kurban. Krejtësisht për fajin e tij.
E shkreta Shqipëri. Nuk u bë kurrë si duhet!
Nga Viron Gjymshana

Lini një Përgjigje