Gjithshka filloi mirë dhe bukur. Para afro 4 muajsh njerëzit u ngritën kundër shitjes apo dhënies me qera pjesë pjesë të Atdheut të tyre, shtëpisë së të gjithë shqiptarëve. Aq të fuqishme, të papritura dhe madhështore ishin këto protesta, saqë ato gjetën një jehonë të paparë edhe në mbarë botën. Të gjitha mediat shkruajtën për « revolucionin flamingo » që po zhvillohej në Shqipëri !
Sepse ky revolucion i beftë mbështetej asokohe në dy shtylla të fuqishme : në atë të ruajtjes së mjedisit dhe në atë të mbrojtjes së pasurive të tij mbi dhe nëntokësore. Kundër shitjes apo dhënies me qera të Sazanit, Zvërnecit, naftës, kromit, ujit të lumenjve dhe pse jo edhe të kafshëve dhe shpezëve të egra, pyjeve dhe plazheve të bregdetit tonë.
Qeverisja e Ramës u trondit fort nga këto manifestime sa të bujshme, aq edhe të drejta. Dhe u përpoq me të gjitha mënyrat t’i shuante ato. Herë duke përdorur forcën dhe herë duke përdorur gënjeshtrat dhe dredhitë. Se gjithçka Rama po e bënte fshehtas syve të njerëzve dhe në kurriz të tyre.
Ndryshe shqiptarët gjithçka që po luhej me vendin e tyre e mësonin nga mediat e huaja, se qeveria punonte në heshtje dhe prapa shpinës të tyre. Njerëzit nuk po kuptonin po ashtu se përse disa ligje shumë të rëndësishme po ndryshoheshin apo po aprovoheshin me një shpejtësi të habitshme. Sidomos ato që kishin të bënin me të ashtuquajturit investitorë strategjikë!
Pastaj dolën në skenë Kastrati, Jared Kushner me gruan e tij Ivanka Trump dhe gjithçka u qartësua. Të gjitha këto marifete dukej se kishin si synim të lehtësonin dhënien me qera apo përgjithmonë të trojeve në Sazan dhe Zvërnec çiftit të famshëm amerikan!
Njerëzit u revoltuan se nuk u pyetën fare për këto plane dhe projekte. Por Ramës kishte filluar t’i dukej vetja si lider absolut dhe ndërkombëtar që nuk kishte nevojë të pyeste njeri për ato që ai mendonte se duheshin bërë.
Kështu veproi ai edhe kur aprovoi në parlament ndarjen apo bashkimin edhe të disa komunave në vend. Pa pyetur njeri. Dhe pa sqaruar nevojën dhe dobinë e këtyre ndryshimeve. Do bëhet kështu se kështu më pëlqen mua – dukej sikur thoshte ai me atë qëndrimin e tij fodull dhe përbuzës.
Por dje ngjarjet morën një kahje të keqe. Në rrugë dolën disa veta që e quanin veten studentë, por pas të cilëve fshiheshin edhe disa deputetë dhe përfaqësues të partisë demokratike. U përdorën bombat molotov, u plagosën policë, u dogjën dyer dhe dritare të institucioneve të shtetit me gjithë mobilerinë e tyre.
U plagosën dhe u arrestuan po ashtu edhe plot protestues. Gjendja u kthye papritur në tejet shpërthyese, saqë sot askush nuk e di se çfarë do sjellë e nesërmja.
Shqipëria po kalon përsëri ditë të vështira. Reputacioni i shtetit ka rënë për tokë. Drejtësia është kthyer në një shtet brenda shtetit që nuk pyet njeri. Por që vepron sipas urdhërave të Sali Berishës!
Vetë Edi Rama ka humbur çdo lloj autoriteti dhe rëndësie. Ai tani nuk di se ku e ka kokën. Në fakt koka i ka ngelur jashtë shtetit. Herë me arsye dhe herë për qejf java shtatë dhe ai tetë do të jetë në ndonjë kryeqytet të botës!
Policia si në çdo vend të globit po përpiqet të mbajë rregullin dhe të sigurojë rendin. Por pa shumë sukes. Se të ashtuquajturit studentë po tregohen si shumë agresivë. Nga ana tjetër, dhe ashtu siç e ka zakon, Rama po i shet të tijtë. Dikur policia vrau njerëz të pafajshëm në boulevard dhe Sali Berisha i mbrojti me çdo kusht.
Por Rama nuk është i tillë. Ai të shet kollaj. Siç ngjau me pezullimin e 4 policëve që duket se i kishin thyer këmbën, (me dashje apo pa dashje nuk dihet ende), një protestuesi. Nga ata që çdo ditë qëllojnë me gurë dhe vezë forcat e rendit!
Nga ana tjetër studentët kërkojnë kushte gjithmonë e më të mira jetese, punësimi dhe arsimdhënieje! Kur dihet se shkollat e larta në vend janë në fund të klasifikimit botëror për nivelin e tyre të dobët shkencor dhe arsimor! Çfarë kërkojnë atëhere studentët?! Që t’i marrin diplomat pa shkuar fare në auditore?!
Ndryshe në shoqërinë kapitaliste shteti nuk u gjen punë njerëzve, pavarësisht shkollës që kanë mbaruar. Por studentët megjithatë kanë diku të drejtë: Kur ti gjen 4 milionë euro për të paguar një këngëtar kontravers si Kanye West pse të mos krijosh kushte më të mira ngrënieje dhe fjetjeje për studentët?!
Ndërkohë vendi ka një administratë të stërmbushur me nëpunës që pothuajse nuk bëjnë asnjë punë veçse fusin duart në arkën e shtetit!
Edi Rama është treguar gjatë gjithë këtyre viteve krejtësisht i paaftë për të bërë shtet. Dhe kjo nuk po thuhet tani që kanë filluar protestat e flamingove dhe revoltat vandale të të ashtuquajturve studentë. Por me kohë. Ndryshe: a ka nevojë sot Shqipëria për gjithë këta studentë me kaq shumë pretendime, sikur të jetonin në Norvegji. Kur vendi nuk prodhon më asgjë?!
Shqipëria ka shumë probleme. Të të gjitha natyrave. Dhe Edi Rama deri më sot nuk ka arritur të zgjidhë asnjë nga ato. U dha kokë e këmbë veç pas turizmit, sikur ai do ta nxirrte vendin nga qorrsokaku ku ka përfunduar.
Në këtë blog me me shumë se 475 shkrime, duke filluar që nga viti 1988 dhe deri më sot, do të gjeni disa artikuj të shkruar para një, dy apo më shumë vjetësh, ku kërkohej dorëheqja e Ramës si i paaftë të bëjë shtet.
Dhe atëhere gjendja ishte ndryshe. Shumë më e qetë se sot. Por tani duket se kazani po derdhet ! Si më 1997, 1998, 2011, etj etj. Se shteti nuk ndërtohet duke bërë vizatime ose kosha në zyrë. As duke bredhur nëpër botë.
Shteti ka nevojë për një dorë të fortë, për strategji, besim dhe programme ndërtimi dhe rindërtimi. Dhe jo vetëm kullash, por në rradhë të parë strategji prodhimi dhe punësimi.
Që të ngrihen fabrika dhe uzina, që të përpunohen lëndët e para në vend. Që nafta, kromi, bakri të shfrytëzohen nga ndërmarrje gjysëm shtetërore dhe gjysëm private dhe fitimi të hyjë në arkën e shtetit.
Asgjë nga këto nuk ka ngjarë. Vendi vazhdon të mos prodhojë më pothuajse asgjë. Gjthçka vjen nga pagesat e emigrantëve apo nga hyrja e parave të pista. Janë ngritur, kulla, restorante dhe hotele pa fund ! Por nuk ka fabrika, nuk ka prodhim bujqësor dhe blegtoral që të plotësojë deri në një farë mase të paktën nevojat e popullsisë.
Dhe njerëzit vazhdojnë të ikin. A mund të jetosh sot me barbarët?! Me ata që kanë hapur ato restorante dhe hotele që thamë më sipër, të ngritura me para të pista dhe të komanduara nga ish droga dhe krimi i përhapur edhe në botën e huaj!
Rezultati i kësaj qeverisjeje shihet sot: ku këmbët po ngrihen t’i bihen kokës, ku nuk po e merr më vesh të pari të dytin!
Duan që të largohet Rama?! Dakord, por kush të vijë?! Ja ta zëmë se u mbajtën edhe zgjedhje të reja . Po sikur ato t’i fitojë përsëri Edi Rama me Partinë Socialiste si i bëhet ?! Se askund nuk shihet ndonjë alternativë. Ndonjë parti apo udhëheqës që ngjall shpresë. Atëhere përsëri anarshi ?! Do të rikthehet përsëri 1997-ta ?! Apo edhe më keq akoma, Sali Berisha ?!
Gjendja duhet vënë sa më shpejt nën kontroll, sa pa marë flakë përsëri i gjithë vendi. Sa pa u shkërmoqur tërësisht edhe ajo që ka ngelur nga ngrehina shtetërore. Po kush ta bëjë dhe si ?! Këtë nuk e di askush.
Kohë të vështira duket se e presin Shqipërinë. Ndofta për herë të 10 gjatë gjithë historisë së saj 114 vjeçare. Dhe në rast se në fillimet e shtetit shqiptar (1912 – 1924) këto kohë mund të konsideroheshin si normale, vështirësitë e lindjes, tani pas afro 100 vitesh shtet i konsoliduar, këto turbullira tejet të rrezikshme nuk duhej të ngjanin përsëri.
Kërkohet zgjidhje. Me urgjencë. Apo kthim në normalitet. Por ka shumë aktorë që janë të interesuar që Shqipëria të marrë zjarr dhe të digjet përsëri. Duke filluar nga forca brenda vendit dhe deri te fqinjët tanë!
Por Rama është në Bruksel ! Në një kohë që Stambolli po digjet ! Hyrja në Bashkimin Europian për shumicën e shqiptarëve nuk është më prioriteti kryesor në rendin e ditës. Por siguria në vend. Mbrojtja e Atdheut nga jashtë dhe nga brenda.
Por Rama është i fiksuar. Nuk do t’ia dijë dhe është kapur pas “mbylljes së kapitujve” siç kapet i mbyturi pas flokëve të veta!
Protesta, demonstrata, hedhje guri dhe fshehje dore nga Sali Berisha dhe fqinjët që po fërkojnë përsëri barkun. Sa do të vazhdojë kjo gjendje dhe si do i bëhet?! Situata është vërtet alarmante. Se nuk po kemi një qeveri në krye të punëve. Se ka rënë në humnerë reputacioni i saj. Se Rama vazhdon të krihet, kur vendi është në prag të një shpërthimi të ri. Që do ta ndalojë edhe për 20 vjetët e ardhshëm hyrjen në Bashkimin Europian.
I zoti do të jetë ai që mund të parashikojë dhe të thotë se si mund të dilet nga ky qerthull! Dorëheqja e Ramës a mund ta zgjidhë situatën?! Po zgjedhjet e reja ku nuk ka parti që ngjallin shpresë dhe besim ?! Anarshia është përsëri në prag të derës.
Nga Viron Gjymshana

Lini një Përgjigje