Privatizimi i tokës – një krim tjetër

    

Flitet se Jared Kushner ka shpenzuar 220 milionë dollarë për të blerë tokat e bujqëve në Zvërnec! Nuk e di se sa i vërtetë është ky lajm, (por ka disa që pohojnë se kjo shifër ka dalë nga vetë goja e dhëndërrit të presidentit amerikan), por diçka duket qartë. Privatizimi i tokës u jep të gjithëve mundësinë ta blejnë atë dhe të ndërtojnë aty çfarë të duan!

      Ka disa që janë shprehur se toka nuk duhet tu shitet të huajve! Por ky është një qëndrim i cekët. Ai që ka një pronë normalisht ia shet atë atij që paguan më shumë. Qoftë ky vendas apo i huaj. Dhe me ç’të drejtë ti i heq tjetrit mundësinë të fitojë më shumë para?!

     Zgjidhja e vetme do të ishte që toka të mos ishte privatizuar kurrë. Njëlloj si burimet natyrore të vendit si bakri, kromi, nafta, uji i lumit, pylli, lëndina etj etj. “Vetëm ajo që është ndërtuar nga dora e Njeriut mund të shitet dhe të blihet” – shkruhet në librat e shenjtë. Pra ti nuk ke të drejtë të shesësh atë që nuk e ke prodhuar vetë. Pra as edhe një ashkël druri të pyllit!

     Por gjithçka filloi andej nga viti 1991! Porosia ishte: privatizoni gjithçka! Dhe gjithçka u privatizua, u shit ose u dha me koncesion për 100 vjet dhe me 1 euro! Sikur të mos mjaftonte shkatërrimi total i gjithçkaje që ishte ndërtuar gjatë atyre 45 vjetëve të shkuar me aq gjak dhe skrifica ! Por duhej që edhe vetë Shqipëria të shitej e tëra !

      Dhe sot vijnë të huaj nga anë e mbanë globit dhe mund të blejnë çfarë duan nga pasuritë që u takojnë të gjithë shqiptarëve ! Sepse në fakt këto pasuri tani nuk i takojnë të gjithë shqiptarëve, por vetëm atij që është pronar i saj ! Pra kemi pronarë tokash, pronarë kromi, pronarë bakri etj etj !

       Prandaj duhet të urojmë që të vijë një kohë kur këta që kanë shitur të gjitha pasuritë e vendit, gjatë këtyre 35 vjetëve, të dalin para një gjyqi popullor ku të marrin dënimin më të rëndë si tradhtarë të Atdheut.

      Sepse ka një ndryshim të madh ndërmjet të ardhurave të bujqëve shqiptarë me ato të biznesmenëve të huaj. Afërsisht i njëjti problem po ngjan sot edhe në Barcelonë të Spanjës dhe Lisbonë të Portugalisë. Por atje, ndryshe nga sa po ngjan në Shqipëri, po blihen nga të huajt e pasur apartamente, që ata të kalojnë aty dimrin ose pushimet e verës ! Si pasojë çmimet e apartamentave atje janë rritur aq shumë saqë vendasit nuk i blejnë dot më !

         Pyetja shtrohet :si mund të privatizohet një tokë që ka dhjetëra mijëra vjet që gjendet aty. Që para Homo Sapiensit ! Dikur ato toka u pushtuan me forcën e armëve nga më të fortët e kohës, që u kthyen pastaj në dukë, kontë ose princa ! Pastaj erdhi pushtimi turk. Sulltani i shpërbleu komandantët e tij me toka dhe bujkrobër nga vendet e  pushtuara. Dhe kështu ata u bënë pashallarë, bejlerë dhe agallarë.

        Gjatë sistemit komunist nisi edhe reforma agrare: toka iu dha pa shpërblim bujqërve që e kishin punuar atë den baba den. Por edhe kjo nuk zgjati shumë. Me forcë dhe detyrim u krijuan më pas kooperativat bujqësore.

       Kur erdhi demokracia gjithë toka, por edhe uzinat, fabrikat, kombinatet, hidroçentralet, pa folur këtu për masuritë natyrore mbi dhe nëntokësore ishin të gjitha pronë shtetërore, ose siç i thonë sot pronë publike. Pra që u takon të gjithëve. Vetëm banesat e ndërtuara gjatë kohës së Zogut apo të Enver Hoxhës u privatizuan! Dhe me të drejtë.

        Nëqoftëse toka nuk do të ishte privatizuar, por do i ishte ridhënë bujkut pa pagesë dhe me të drejtë trashëgimie,  atëhere nuk do të kishim këto probleme që kemi sot!

       Ku për çdo metër katror dalin tre pronarë: ai që e ka, ai që pretendon se e ka pasur dhe ai që kërkon që ta ketë! As pasardhësit e bejlerëve dhe agallarëve nuk do të kërkonin sot tokat që Sulltani u kishte falur të parëve të tyre, për pushtimet dhe vrasjet që ata kishin kryer ndaj shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut!

        Gjithkush do punonte tokën e tij dhe do i jepte shtetit taksën që i takon mbi prodhimin ose mbi sipërfaqen e tokës së punueshme që zotëronte. Dhe asnjë i huaj nuk do vinte atëhere të blinte toka në Shqipëri!

        Se ka edhe një rast të veçantë të shitjes dhe blerjes së tokës, ndër të tjera edhe aty ku sot gjendet Izraeli dhe Palestina. Para se kolonët çifutë të vendoseshin atje, Rotçildët u blenë me mijëra hektarë tokë palestinezëve që jetonin aty, për të vendosur kolonët çifutë. Dhe kjo ngjau që para Luftës së Dytë Botërore.

       Dhe numri i çifutëve që u kthyen atëhere në izraelitë u rrit nga 3 000, sa kishin mbetur në fund të shekullit të 19, në disa dhjetëra mijëra. Numër që u shumëfishua disa herë sidomos pas ndarjes së asaj toke ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, andej nga viti 1948. Po në atë kohë që andej u dëbuan edhe rreth 700 000 banorë palestinezë, gjatë një operacioni të quajtur “Nakba”!

       Ja pra se çfarë mund të ngjasë kur toka kthehet në pronë private të dikujt apo të disave. Një shtet për së mbari duhet të ketë kontroll të plotë mbi territorin e tij, mbi tokën dhe burimet e saj natyrore.

       Ndryshe fabrika, uzina, shtëpia janë dhe mund të jenë fare mirë gjëra personale apo private.  Por jo pasuritë natyrore që Njeriu i ka gjetur aty dhe nuk i ka krijuar me dorën e tij!

       Ky ishte gabimi që u bë gjatë asaj kohe. Privatizimet e gjithçkaje. Gabime të bëra me dashje dhe jo nga padituria !

Nga Viron Gjymshana

Lini një Përgjigje