Thaçi e ka hak burgun!

           

E di shumë mirë që ky titull do të trondisë shumëkënd. Por kjo është e vërteta e hidhur të cilën do të mundohem ta spjegoj më poshtë. Si fillim le t’i marrim gjërat me rradhë dhe me gjakftohtësi

         Së pari duhet të pohojmë dhe të pranojmë se Thaçi u dënua nga gjykata që aprovoi ai vetë ! Pa dyshim që pati shumë presione për të nga bashkësia ndërkombëtare, deri edhe nga vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që fluturoi me helikopter deri në Prishtinë, për të bindur Thaçin që të pranonte ngritjen e kësaj gjykate.

          Ndryshe dhe  pa asnjë dyshim të gjitha krimet të kryera ndaj banorëve të pafajshëm, veçse për shkak të përkatësisë së tyre etnike, duhen dënuar rëndë dhe pa asnjë mëdyshje. Por « ndaj banorëve të pafajshëm » ama! Duhet ta ritheksojmë këtë.

         Nga ana tjetër a ka luftë të pastër ku nuk vriten bebe, fëmijë, pleq dhe plaka ? Për shkak psh të një bombardimi të një ndërtese ku gjendet një terrorist ?! Kështu ka ngjarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kështu po ngjan edhe sot edhe në Ukrainë, Gaza apo Iran.

         Ngritja e Gjykatës Speciale nuk ishte i vetmi gabim fatal i Thaçit, që çoi në burg edhe shokët e tij të luftës. I njëjti gabim u përsërit edhe kur Thaçi firmosi asosacionin e komunave serbe në Kosovë, i njohur si Zajednica. Kjo marrëveshje e nënshkruar më 19 prill 2013 përmbante 15 pika. Pika 1 deri në pikën 6 i dedikoheshin pikërisht krijimit të asociacionit/bashkësisë të komunave me shumicë serbe.

           Ky asosacion krijonte në fakt një Republikë të dytë serbe, kësaj rradhe jo në Bosnjë, por në Kosovë. Pasi ai gëzonte një pushtet të madh politik dhe administrativ. Pa as dyshimin më të vogël serbët e Kosovës duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që kanë qytetarët shqiptarë atje. Madje edhe të drejta shtesë si ato kulturale apo në fushën e arsimit në gjuhën e tyre e të tjera. Por që të mbeten në kornizën e Kosovës.

          Asosacioni nuk ka pse të konsiderohet ose të kthehet në një  entitet të pavarur nga Prishtina, i cili mund të mbajë edhe lidhje të veçanta dhe të drejtpërdrejta me Serbinë apo botën mbarë ! Pse asosacione të tilla nuk ekzistojnë për shqiptarët e Maqedonisë, ata të Malit të Zi apo të Luginës së Preshevës, por u dashkan krijuar veçanërisht për serbët në Kosovë?!

           Pra ky ishte gabimi i dytë i Thaçit dhe gabim i rëndë shumë. Prandaj edhe Vuçiçi para pak ditësh u ankua se Serbia po kërkon nga Kosova dhe nga bashkësia ndërkombëtare veçse vënien në jetë të Zajednicës të nënshkruar që në vitin 2013 ! Nga Thaçi, atëhere kryeministër i Kosovës dhe Ivica Daçiç kryeministër i Serbisë.

             Projekt që u nxiros dhe u sterros edhe më shumë gjatë vitit 2015 në marrëveshjen e nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës Isa Mustafa dhe kryeministri i Serbisë, Vuçiç ! Të dy nënshkruan atëhere edhe marrëveshjen shtesë (se nuk mjaftonte e para!) që përcaktonin qartë strukturën, kompetencat dhe organet e Asociacionit si Kuvendi, Presidenti, Këshilli e të tjerë!

           Megjithatë, dhe për fat të mirë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi asokohe se parimet e kësaj marrëveshjeje nuk ishin në përputhje të plotë me frymën e Kushtetutës së Kosovës në disa fusha, duke kërkuar ndryshime dhe përmirësime.

           Marrëveshje këto që Kosova dhe qeveria e saj po i vuajnë edhe sot e kësaj dite.  Këtu Albin Kurtit i duhet hequr kapelja. Ai i ka rezistuar të gjitha presioneve të atyre që nuk ia duan të mirën Kosovës. Që kanë mbrojtur deri në fund dhe me egërsi krijimin e Gjykatës Speciale dhe Zajednicën !

           Ndryshe si spjegohen këto 2 gafa të rënda të komandanti të UCK-së ?! Duhet ditur mirë se zgjedhja e Thaçit si komandant i UÇK-së dhe bashkëbisedues me faktorin ndërkombëtar ishte një zgjedhje e rastësishme e amerikanëve.

        Ata po kërkonin andej nga vitet 1998 – 1999 një të ri që ta nxirrnin në krye të asaj ushtrie çlirimtare që nuk kishte hierarki të qartë, por që luftonte në bazë zonash. Si ngjau psh me familjen Jashari apo me zonat ku komandonin Haradinajt etj etj.

         I zgjedhuri duhet të ishte i ri, i pashëm, të zotëronte fillesat elementare të gjuhës angleze dhe mbi të gjitha të mos kishte asnjë lidhje apo nostalgji me regjimet e shkuara komuniste si në Shqipëri, aq edhe në ish – Jugosllavi. Dhe Thaçi i plotësonte të gjitha këto kërkesa.

         Dhe menjëherë pas çlirimit të Kosovës nga çizmja serbe filluan edhe ecejaket e Thaçit në Bruksel si dhe takimet e tij të shpeshta me shefin e diplomacisë europiane të asaj kohe, Havier Solanën. Synimi i maskuar i atyre takimeve ishte të fillonin sa më shpejt bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit për çështjet e mbetura « pezull » !

        Pikërisht në atë kohë, kur punonja si korrespondet i emisionit shqip të Radios « Deutsche Welle », jam shprehur në gazetën «Epoka e Re » kundër fillimit të çdo lloj bisedimi me Serbinë, sa kohë që ajo vazhdonte të deklaronte se nuk e njihte dhe nuk e pranonte pavarësinë e Kosovës!

          Dhe pata reagime dhe kërcënime të fshehura për atë qëndrim ! Por edhe te ky problem Thaçi u tërhoq. Pra u bënë 3 gabimet fatale të tij brenda vetëm dy vitesh : 2013 – 2015 ! Dhe ja :1) Bisedimet me Serbinë. 2) Zajednica. 3) Gjykata Speciale ! A nuk janë mjaftueshëm ?!   

         Pa asnjë dyshim që dënimet ishin shumë të rënda për 4 udhëheqësit e UÇK-së dhe njerëzit kanë të drejtë të demonstrojnë sot kundër tyre. Por vendimet e mara para një muaji kishin mbi 10 vjet që silleshin rrotull. Serbia po punonte në bashkëpunim edhe me disa vende dhe personalitete që nuk e shihnin fare me sy të mirë pavarësinë e Kosovës ! Si psh Rusia, Dick Marty, Karla del Ponte etj etj.

          Sot gjendja duket se ka ndryshuar disi. Në favor të Kosovës. Diplomatja e re e Bashkimit Europian, znj. Kallas nuk duket shumë e nxituar për të rifilluar bisedimet Prishtinë – Beograd. Ndryshe nga Lajçakët pro serbë. Nga ana tjetër sot në Prishtinë  kemi edhe një kryeministër që para interesave të Kosovës duket se nuk vë asgjë. Madje ky qëndrim sa kokëfortë aq edhe nacionalist shihet se i ka ftohur edhe marrëdhëniet e BE-së me Prishtinën zyrtare.

        Sepse BE-ja dhe SHBA-j, pavarësisht të gjithave,  këmbëngulin vazhdimisht se themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe është një borxh i vjetër kontraktual (i nënshkruar) që Prishtina duhet ta zbatojë dhe përmbushë pa vonesë.

        Refuzimi i qeverisë aktuale të Kosovës për të dërguar një draft-statut për këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese të vendit, po konsiderohet nga Brukseli si shkelje e obligimeve të dialogut. Për këtë arsye, BE-ja po mban edhe sot në fuqi masa ndëshkuese (sanksione politike dhe ekonomike) ndaj Kosovës.

         Edhe sa kohë do të vazhdojnë ato?! Këtë askush nuk e di. Ndofta pritet një kohë e përshtatshme ose një lëshim tjetër nga ana e Prishtinës për ti hequr ato. Siç nuk dihet po ashtu se çfarë qëndrimi do të mbajë edhe Gjykata e Apelit ndaj 4 komandantëve të UÇK-së. Do Zoti dhe i lirojnë të gjithë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment