Rasti i të dënuarës me vdekje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Christa Pike, ka rinxjerrë përsëri në skenë çështjen e dobisë apo jo të dënimit me vdekje.
Ky rast u bë edhe më flagrant pasi edhe pas 2 inxheksioneve vdekjeprurëse, Christa Pike, një grua 50 vjeçare e cila vrau dikë rreth 20 vite më parë, është sot ende gjallë. Dhe drejtësia e shtetit të Tenesit nuk po dijë si të veprojë me të. Pasi në legjislacion është theksuar se pas një dështimi të inxheksionit të parë, mund të bëhet edhe një inxheksion i dytë me dozë të shtuar helmi. Por tani gjendemi para një rasti ku ligji nuk thotë asgjë !
Sipas lajmeve më të fundit, dy inxheksionet dështuan pasi personi i ngarkuar për t’i kryer ato, një lloj infermieri, ishte kundër dënimit me vdekje për çdo person! Njëkohësisht u bë e ditur se edhe drejtori i burgut ku ndodhi ngjarja, ka dhënë dorëheqjen 2 ditë më parë ?!
Opinioni publik amerikan, por edhe ai botëror, nisur nga ky rast, po debaton tani me zjarr nëse shteti ka të drejtë t’i marrë jetën dikujt, qoftë ky edhe krimineli më i rrezikshëm, apo duhet të mjaftohet me dënimin e burgimit të përjetshëm ?!
Qëndrimet publike pro dhe kundra ndaj dënimit me vdekje janë të vjetra. Ato datojnë së paku që nga fillimi i shekullit të kaluar. Pasi ky është një problem sa etik aq dhe social.
Çuditërisht në mbrojtje të dënimit me vdekje kanë dalë edhe disa figura të shquara të botës shkencore, siç është rasti edhe i fituesit të çmimit Nobel në mjekësi, Aleksis Carrel. Autor edhe i bestsellerit me famë botërore, i botuar në vitin 1935 dhe i përkthyer në shumicën e gjuhëve të botës:”Njeriu – ky i panjohur”!
Qëndrimi i Alexis Carrel mbi kriminelët është krejtësisht eugjenik, dhe njëkohësisht brenda formës së tij më radikale dhe autoritare.
Në librin e tij, Carrel nuk thotë thjesht se kriminelët nuk duhen “mbrojtur”; por ai argumenton se shoqëria moderne shpenzon shumë para duke i mbajtur gjallë njerëzit “anormalë” dhe kriminelët. Ai propozon në mënyrë të qartë zëvendësimin e burgjeve me ndëshkime trupore për vepra të lehta penale, si psh rrahja me kamxhik dhe mbështet edhe eliminimin fizik të kriminelëve të regjur dhe të çmendurve të rrezikshëm duke përdorur”gaz të përshtatshëm”!
Ai bazohet në këtë qëndrim, siç thamë, te shkenca eugjenike, e cila ka si parim “përmirësimin” e racës njerëzore! Në fakt eugjenika konsiston në përpjekjen për të përmirësuar trashëgiminë gjenetike të një popullate njerëzore, duke promovuar riprodhimin e individëve që konsiderohen “superiorë” dhe duke eliminuar ose parandaluar riprodhimin e atyre që konsiderohen “inferiorë” ose “difektozë”!
Sot, afro 100 vjet më pas, kemi arritur pikërisht në këtë nivel përparimi. Shkenca sot ka arritur të përdorë “terapinë gjenetike” për të luftuar shumë sëmundje, duke filluar nga kanceri dhe deri te Covidi i para pak vjetëve!
Sipas nobelistit, krimi dhe sëmundjet mendore janë shenja të një degjenerimi biologjik ose të një trashëgimie familjare. Në fakt, është e provuar statistikisht se një pjesë e madhe e të dënuarve nëpër burgje vuan nga problem të theksuara mendore. Prandaj ka lindur edhe shprehja: “Nuk është gjë burgu, sa janë të burgosurit”!
Për Alexis Carrel, eliminimi i kriminelëve nuk është vetëm një masë drejtësie dhe sigurie ndaj shoqërisë, por edhe një domosdoshmëri e higjienës biologjike për të mbrojtur popullsinë. Si të thuash se kriminelët dhe banditët bëjnë pis gjithë shoqërinë ku gjallojnë.
Megjithatë sot, afro 100 vjet më pas, teoritë eugjenike të Alexis Carrel dhe vizioni i tij për trajtimin e kriminelëve, ndeshen me kundërshtime të forta dhe dënime morale.
Shkencat moderne (gjenetika, psikiatria, kriminologjia) nuk e pranon idenë se kriminaliteti është një tipar i thjeshtë gjenetik i trashëgueshëm që mund të eliminohet me anë të selaksionimit artificial. Sipas tyre sjellja kriminale varet edhe nga faktorë kompleksë socialë, psikologjikë dhe mjedisorë.
Për më shumë propozimet e Carrel mbi përdorimin e gazit për të elimin
uar kriminelët dhe të sëmurët mendorë i paraprinë zbatimit konkret të
këtyre metodave nga regjimi nazist. (ProgramiVeprimi T4 i eutanazisë për
personat me aftësi të kufizuara dhe pastaj Holokausti). Prandaj sot Alexis
Carrel nuk është edhe aq i dashur në qarqet shkencore dhe politike.
Megjithëse ai fitoi çmimi Nobel në mjekësi në vitin 1912 për përparimet e tij të mëdha në kirurgjinë vaskulare dhe transplantimet ! Duhet të kujtojmë këtu se në atë kohë Shqipëria nuk ishte bërë akoma shtet !
Dhe ndërsa kontributet e tij shkencore në fushën e mjekësisë mbeten historike, filozofia e tij sociale, eugenizmi i tij, konsiderohen sot me apo pa të drejtë, si një pararendëse dhe shembull i rrezikshëm i teprimeve totalitare gjatë të shekullit të 20-të.
Madje sot kanë lindur edhe shumë komplotistë dhe konspiracionistë, mes tyre edhe ndonjë mjek i njohur shqiptar, që kanë akuzuar psh shpikësin e Mikrosoftit, Bill Gate, se ai është përpjekur që me anë të vaksinave të tij gjenetike të pakësojë popullsinë e botës !
Kur Alexis Carrel botoi librin e tij « Njeriu, ky i panjohur » ai nuk njihej si një ekstremist. Në atë kohë, eugjenika (e themeluar në shekullin e 19-të nga Francis Galton, kushëri i Çarl Darvinit) konsiderohej nga shumë shkencëtarë si dhe nga elita politike e kohës si një shkencë moderne dhe progresive !
Në yendet perëndimore në atë kohë sundonte frika nga “dekadenca” apo “degjenerimi” biologjik i popullatave, sa për shkak sa të urbanizimit aq edhe për faj të mjekësisë (pasi ajo u lejonte lejonte edhe njerëzve të prekshëm, të dobët dhe të sëmurë nga mendja) të mbijetonin dhe të riprodhoheshin!
Kështu që edhe para se regjimi nazist ta çonte këtë logjikë deri në pikën e tmerrit, edhe demokracitë e mëdha po zbatonin disa metoda të eugjenikës. Kështu psh në Shtetet e Bashkuara pati më shumë se 60,000 sterilizime të detyruara mbi njerëz që konsideroheshin të paaftë mendërisht, kriminelë ose të margjinalizuar. Ligjet a asaj kohe gjithashtu kufizonin emigracionin e popullatave që konsideroheshin “biologjikisht inferiore”!
Në Suedi një ligj eugjenik i miratuar në vitin 1934 çoi në sterilizimin e detyruar të pothuajse 63.000 njerëzve (kryesisht gra të konsideruara “antisociale” ose me aftësi të ulëta intelektuale), praktikë që vazhdoi deri në vitin 1976!
Por nuk ishte vetëm Alexis Carrel që mbronte tezat e pastrimit të shoqërisë njerëzore dhe përmirësimit gjenetik të Njeriut. Në Francë psh edhe një laureat tjetër i çmimit Nobël në mjekësi, ishte mbështetës i fuqishëm i kësaj teorie. Kështu psh Charles Richet bënte thirrje për eliminimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara që nga lindja! Por edhe Cesare Lombroso, një shkencëtar italian ky, pohonte se kriminelët dallohen edhe nga disa tipare të fytyrës!
Për Alexis Carrel, shoqëria moderne bën një gabim fatal me demokracinë dhe barazinë. Ai beson se mbrojtja e të sëmurëve fiziollogjikë dhe mendorë si dhe kriminelëve ngadalëson madje edhe progresin njerëzor.
Ai mbronte idenë e riprodhimit vetëm të një elite, një “aristokracie biologjike”sipas tij, të përbërë nga individë të fortë, inteligjentë dhe të shëndetshëm.
Për dekada të tëra pas Luftës së Dytë Botërore, bota e përkujtonte Alexis Carrel vetëm për arritjet e tij të mëdha mjekësore (siç thamë ai shpiku teknikat e qepjes së enëve të gjakut dhe transplantimit të organeve). Dhjetëra rrugë, sheshe dhe shkolla mjekësore psh në Lion të Francës mbanin askohe emrin e tij.
Por në fillim të viteve 1990, historianët dhe lëvizjet antiraciste, i sollën përsëri në qendër të vëmendjes shkrimet eugjenike të librit të tij të vitit 1935, por kësaj rradhe në mënyrë negative. Ata pohojnë se shkrimet e tij legjitimuan teoritë që çuan çifutët në dhomat e gazit naziste dhe nxisin edhe sot racizmin.
Të përballur me këtë zemërimin, Universiteti i Lionit dhe pothuajse të gjitha bashkitë, duke filluar nga Parisi, vendosën ta heqin emrin e tij nga rrugët dhe të të mos e nderonin më publikisht.
Sot, eugjenika e sponsorizuar nga shteti, autoritare dhe e dhunshme, konsiderohet si një krim kundër njerëzimit. Megjithatë, shkenca ngre pyetje të reja bioetike. Sepse ka një problem të madh. Shumë çifte sot po kërkojnë « fëmijë me porosi ». Afërsisht me flokë të verdhë dhe sy blu. Dhe disa institute shkencore duket se janë të prirura tua plotësojnë këto trille !
Ndryshe modifikimi gjenetik i njerëzve sot po i ringjall debatet e vjetra mbi eugenizmin. Aq më shumë se tashmë kemi disa arritje të reja në këtë “shkencë” të njohura si: revolucioni i “CRISPR-Cas9”, një teknologji e re kjo e kurorëzuar dhe e përshëndetur edhe me një çmim Nobël në kimi në vitin 2020!
E quajtur “gërshërë molekulare”, kjo teknologji lejon prerjen, kopjimin dhe madje edhe ngjitjen e fragmenteve të ADN-së me një saktësi kirurgjikale të paparë. CRISPR përbën një revolucion të vërtetë në fushën e mjekësisë, por që ngre një problem etik të paparë deri më sot në botën shkencore.
Për gjithë këto arsye komunitetet shkencore dhe mjekësore kanë hequr sot një vijë të kuqe shumë të qartë midis dy llojeve të modifikimeve gjenetike: Terapia gjenetike (e pranuar dhe e rregulluar) përfshin psh korrigjimin e një gjeni defektoz tek një person i sëmurë për ta kuruar atë. Ky modifikim thuhet se nuk ndikon te spermatozoidet ose vezët, kështu që nuk mund të trashëgohet.
Ndryshe konsiderohet i ndaluar shtimi ose përmirësimi (i ndaluar dhe i diskutueshëm deri tani) që përfshin modifikimin e ADN-së së një embrioni ose qelizave riprodhuese për të futur karakteristika që konsiderohen “superiore” (madhësia, masa muskulore, rezistenca ndaj viruseve, aftësitë njohëse, bukuria e individit etj etj). Ky modifikim trashëgues rrezikon të gdhëndet përgjithmonë në trashëgiminë gjenetike të pasardhësve.
Por edhe ky kufi tani duket se është shkelur dhe tejkaluar. Më 2018-tën psh një studiues kinez i quajtur He Jiankui shkaktoi një « tërmet » në botën shkencore kur njoftoi lindjen e 2 foshnjave të para të modifikuara gjenetikisht në histori, dy vajza binjake me nofkat : Lulu dhe Nana.
Ai kishte përdorur metodat e fundit të teknologjisë CRISPR për të modifikuar një gjen (CCR5) në embrione për t’i bërë ato, sipas tij, rezistente ndaj virusit HIV (AIDS ose SIDA).
Por dënimi i këtij akti nga mbarë komuniteti shkencor botëror qe i menjëhershëm dhe i plotë. Studiuesi u konsiderua si i papërgjegjshëm sepse teknologjia nuk ishte mjaftueshëm e sigurtë (ekziston rreziku i mutacioneve të paparashikuara diku tjetër në ADN, të quajtura efekte “jashtë objektivit”) apo dëme kolaterale, po të përdorim një term politiko ushtarak shumë në modë këto kohët e fundit.
Madje He Jiankui u dënua nga sistemi i drejtësisë kineze me 3 vjet burg për praktika të paligjshme mjekësore. Kjo ngjarje e paparë e shtyu edhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe komitetet e bioetikës në botë të shtrëngonin rregullat globale.
Ky modifikimi gjenetik na detyron tani tu të përgjigjemi edhe disa pyetjeve të mëdha filozofike. Psh thuhet dhe pranohet gjërësisht se
një fëmijë i lindur nga një embrion i modifikuar nuk ka dhënë kurrë pëlqimin, që trashëgimia e tij gjenetike të ndryshohet edhe për brezat e ardhshëm! Por a e ka dhënë ai pëlqimin e tij që të lindë – është kundërpërgjigja e eugenistëve.
Ndryshe është e pranuar dhe e provuar shkencërisht se nëse fillojmë të eliminojmë ose modifikojmë gjithçka që devijon nga një standard I përcaktuar paraprakisht a nuk rrezikojmë kështu varfërimin e diversitetit njerëzor dhe stigmatizimin e mëtejshëm të personave me aftësi të kufizuara? Ky është edhe thelbi sot ndaj kritikës eugjenike.
Po njëkohësisht ekziston edhe rreziku i madh që këto teknologji mund të përdoren për të shtuar pabarazitë sociale në botë duke krijuar klasa biologjike supermenësh. Në Greqi psh vdiq këto kohë një person i njohur që kërkonte të mbetej praktikisht përherë i ri!
Për këto trille, siç është edhe ajo e përjetësisë, mitologjia helene na ka dhënë edhe një shembull të vlefshëm : historinë e Eos dhe Titonit, një nga mitet më tragjike dhe poetike të mitologjisë greke mbi dashurinë dhe kufizimet e natyrës njerëzore.
Eos, perëndesha e bukur e agimit, u dashurua marrëzisht pas Titonit, një princ trojan me një bukuri që rivalizonte perënditë. Meqenëse Titoni ishte thjesht një vdekëtar, Eos e dinte se herët a vonë ai do të plakej, do të sëmurej dhe do të vdiste, ndërsa ajo do të mbetej përgjithmonë e re, e bukur dhe e pavdekshme. Për të shmangur këtë ndarje të dhimbshme, ajo u ngjit në malin Olimp dhe iu lut Zeusit, mbretit të perëndive, që t’i jepte Titonit dhuratën e jetës së përjetshme.
Dhe Zeusi ia plotësoi dëshirën. Megjithatë, Eos bëri një gabim fatal gjatë lutjes së saj: ajo kërkoi që Titoni të mos vdiste kurrë, por harroi të kërkonte për të edhe rininë e përjetshme.
Në fillim, jeta e tyre ishte e mrekullueshme. Por me kalimin e viteve, koha filloi të linte gjurmët e saj mbi Titonin. Ai nisi të plakej dalëngadalë. Flokët iu bënë të bardha, trupi iu kërrus dhe forcat i shteruan, derisa u kthye në një plak të pafuqishëm, i rrudhur dhe i harruar nga koha.
Aq sa ai nuk mund të lëvizte më dhe zëri i tij u shndërrua në një cicërimë të dobët dhe të pafundme. Eos, duke mos duruar dot ta shikonte në atë gjendje mjerimi, e mbylli në një dhomë të pallatit të saj, ku muret e tyre jehonin gjithmonë nga ankesat dhe zëri i tij i pafuqishëm!.
Sipas legjendës dhimbja e Eosit ishte aq e madhe sa ajo e shndërroi Titonin në një gjinkallë, e cila e kalon jetën duke kënduar pa pushim nëpër drurë, si një hije e zbehtë e princit që dikur ishte.
Kjo është edhe historia prekëse dhe e trishtueshme e përjetësisë dhe rinisë që venitet te çdo qënie njerëzore! Që dëshmon po ashtu se çdo përpjekje në këtë drejtim është e kotë, pavarësisht arritjeve të shkencës!
Sidoqoftë ne nuk i kemi dhënë ende përgjigje pyetjes kryesore që ngritëm në fillim të shkrimit : a duhet t’i eleminojmë kriminelët e lindur apo edhe banditët e rrezikshëm?! Apo duhet t’i mbajmë përjetësisht në burg deri sa shkenca të gjejë mundësinë ndofta të ndryshimit të geneve të tyre !
Siç e shihni ramë përsëri pa dashur në kurthin e eugenizmit. Përmirësimit të Njeriu me anë të modofikimeve gjenetike të ADN-së së tij!
Krijimi i një Njeriu të përsosur ka qënë po ashtu një synim i lashtë edhe i kulteve fetare. Por edhe komunizmi kishte ndër projektet e tij krijimin e Njeriut të Ri! Por që të gjitha këto projekte kanë dështuar. Njeriu është ky që është, i krijuar prej qindra mijëra vjetësh dhe disa instikte dhe vese te ai duket se është e pamundur të ndryshohen.
Megjithatë në disa vende të botës, dhe jo nga më të parëndësishmit, Amerikë, Kinë etj, vazhdojnë inxheksionet dhe dënimet e tjera me vdekje. Ndërsa në disa të tjera dënimi me burgim të përjetshëm, i ka zënë vendin dënimit kapital!
Atëhere në rastin konkret si duhet të sillet tani shoqëria amerikane psh me Christa Pike?! Po me ata që përdhunojnë fëmijët e vegjël apo edhe me vrasësit serialë apo ata me pagesë ?!
Ky shkrim nuk ka si synim t’i drejtojë lexuesit drejt një qëndrimi apo një tjetri në lidhje me dënimin me vdekje. Ai vetëm spjegon përplasjet dhe këndvështrimet e ndryshme ndaj kësaj çështjeje kaq të mprehtë në shoqëritë e sotme moderne. Gjithkush është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment