Shqiptarët e moshuar, ata që e kanë pasur jetuar sado pak kohën e diktaturës, e mbajnë mend mirë skeçin me Luftar Pajon. Atij dikush i kishte vjedhur lopën (edhe në socializëm vidhej. Se disa duket se nuk jetojnë dot pa pislliqe !).
Dhe njerëzit që ai takonte në rrugë ose që i vinin në shtëpi për vizitë një e dy dhe i thoshin : « Ti e ke vetë fajin. Që nuk ishe i zoti të ruanje lopën tënde », « po litar nuk kishte që ta lidhnje ?! », « po si ore nuk more masa që ta ruanje lopën ?! ». Dhe Luftar Paja tundte kokën me dëshpërim : « po, po edhe unë kam faj ! ». Por aq shumë u rënduan këto kritika, sa i zoti i lopës nuk doroi dot më dhe shpërtheu : « Po hajduti mor aman, nuk paska faj fare ?! ».
Ja ky ishte skeçi i asaj kohe. Kështu po ngjet tani edhe me kryeministrin e Shqipërisë! Se nga i kap dora gjithmonë disa që janë ose të superkorruptuar ose të lidhur me krimin dhe i ngre në postet më të larta të qeverisë dhe shtetit.
Kështu ka ngjarë me zëvendës/kryministrin Arben Ahmetaj, me zëvendës/kryeministren tjetër Belinda Balluku dhe tani i plasi në dorë edhe skandali më i fundit, me kryetaren e Shërbimit Informativ Shtetëror, SHISH, Vlora Hyseni ! Edhe kjo po kërkohet tani nga SPAK-u. E akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe kriminelët !
Dhe këtu nuk po flasim fare për dhjetra ministra të akuzuar për rryshfete dhe përvetësime prej disa milionë eurosh. Apo për tendera për të cilët paratë janë derdhur dhe projektet nuk janë vënë kurrë në jetë !
Pyetja është : Kemi të bëjmë këtu me paaftësi apo pangopësi dhe korrupsion deri në grykë nga ana e kryeministrit ?! Në popull ai është akuzuar javët e fundit edhe si shitës i trojeve kombëtare, edhe si përkrahës i marrë i oligarkëve, për pasurimin e të cilëve ka aprovuar edhe ligje të posaçme !
Prandaj edhe bulevardi nuk është zbrazur asnjëherë nga protestuesit që prej 115 ditësh kërkojnë dorëheqjen e tij ?! Por me kë e ke ?! Ai duket se është ngjitur me tutkall pas kolltukut dhe nuk do që nuk do të shqitet që andej !
Edhe sot, si përherë kur i plasin skandale të tilla, ai vazhdoi avazin e përhershëm : »Përgjegjësia është individuale » ! Vërtet ?! Po ai që i ka caktuar aty me dorën e vet Vlora Hysenin, Belinda Ballukun, Arben Ahmetaj dhe dhjetra të tjerë, nuk paska faj fare?! Se kazani, se kupa po se po, është mbushur dhe po derdhet !
Prandaj e treguam edhe atë skeçin në fillim me Luftar Pajon: « Po hajduti nuk paska faj fare ?! ». Edhe ky kryeministër që vete dhe zgjedh njerëz më keq se vetja nuk paska faj fare ?!
Në botën e qytetëruar, siç jemi mësuar ta quajmë Perëndimin, ministra dhe kryeministra do të kishin dhënë dorëheqjen nga posti me një të dhjetën e skanadaleve që i kanë plasur në dorë Edi Ramës ! Por jo ai nuk dëgjon nga ai vesh.
Ndryshe mund të thuhet se Sali Berisha paska lindur me këmishë. E shkatërroi vendin me themel gjatë periudhës 1992 – 1997 dhe gjemb nuk i ka hyrë deri tani në këmbë. Madje u rizgjodh për herë të dytë edhe në vitin 2005, pas 8 vitesh qeverisjeje nga Fatos Nano.
Dhe gjatë këtij « nusërimi » të dytë vrau edhe njerëz në bulevard dhe disa të tjerë, biri i tij, i hodhi në erë në Gërdec ! Por fati tij ishte se Fatos Nano qëlloi aq pusht, aq i pamoral dhe aq i korruptuar saqë shqiptarët ia dhanë votat për herë të dytë Sali Berishës, pavarësisht bëmave të tij tragjike !
Dhe kështu duket se do ngjajë përsëri për herë të tretë apo të katërt. Për faj të kryetarëve socialistë që vetëm socialistë nuk janë. Prandaj Berisha mund të përfitojë përsëri që të rikthehet në pushtet!
Por jo. Ka ardhur koha që si Berisha, si Rama të shporren nga sytë e njerëzve. Kanë që në vitin 1991 që u kanë “mbirë” njerëzve në sy. Prandaj protestat duhet të vazhdojnë edhe më me shumë hov. Ato duhet t’i shpëtojnë shqiptarët nga këto 2 goxilla që ua kanë nxirë jetën dhe shkretuar vendin. Saqë i kanë detyruar të marrin arratinë sikur aty të ketë rënë murtaja!
Është në dorë të shqiptarëve që të mos gënjehen më me një thes me miell. Të mos votojnë më për PS-në dhe PD-në.Se prandaj po i lënë edhe të varfër. Që një thes me miell tu duket votuesve si një dhuratë e rënë nga qielli.
Por sot shqiptarët duhet të shohin më larg. Duhet të mendojnë për Atdheun dhe për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Përse Shqipëria dhe shqiptarët duhet të tregohen gjithnjë me gisht. Si njerëz të egër që nuk dinë të bëjnë shtet ?!
Por një pyetje tjetër mbetet gjithmonë pa përgjigje : Po ata që do vinë pas tyre a do të jenë më të mirë dhe më të ndershëm se Berisha, Nano, Meta dhe Rama ?! Apo Shqipëria është një vend i mallkuar që nuk do bëhet kurrë ?! Mos vallë e kemi të keqen në gen si popull ?! Se ka edhe disa fakte dhe prova që e dëshmojnë dhe e provojnë këtë tezën e fundit.
Nga Viron Gjymshana
#Edi Rama, #Shqipëria, #Vlora Hyseni,

Lini një koment