Gjermania po mban frymën pezull përpara dy zgjedhjeve të reja rajonale

          Shkrimi i mëposhtëm është marrë nga shtypi i huaj, që po ndjek me një interes të paparë zgjedhjet rajonale në Gjermani. Po ua sjellim të plotë.

       « Gati katër milionë votues gjermanë po marrin pjesë sot në votimet që po organizohen në Berlin dhe në shtetin rural bregdetar të Mecklenburg-Pomerania Perëndimore (verilindje). Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) pritet të korrë përsësri fitore të konsiderueshme në të dyja këto lande, dy javë pas fitores spektakulare dhe humbjes së rëndë që i shkaktoi kristian/demokratëve në landin e Saksonisë-Anhalt, një bastion i kësaj partie anti-emigrante dhe pro-ruse në ish-Gjermaninë Lindore.

        SPD (social/demokratët) kanë qenë partia më popullore në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore që nga viti 1998.. Deri në vitin 2016, kur AfD mori pjesë në zgjedhjet rajonale për herë të parë dhe menjëherë fitoi më shumë se 20% të votave, Bashkimi Kristian Demokrat i Gjermanisë (CDU) ishte pa ndryshim partia e dytë më e madhe, e ndjekur nga Die Linke – më parë Partia e Socializmit Demokratik (PDS).

         Në vitin 2021, zgjedhjet rajonale u fituan përsëri nga Social Demokratët (39.6%). Nga ana tjetër, AfD humbi votues (16.7%), duke mbetur në vendin e dytë. SPD më pas formoi një koalicion me Die Linke (9.9%), me udhëheqësen e saj Manuela Schwesig që mbajti pozicionin e saj si ministre-presidente. Pas disa vitesh në qeverinë rajonale, CDU (13.3%) e gjeti veten në opozitë, së bashku me AfD, Aleancën 90/Të Gjelbrit (6.3%) dhe Partinë e Lirë Demokratike (FDP) (5.8%).

        Në vitet e fundit, mbështetja për AfD-në është rritur në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore. Pak më pak se një vit më parë, partia e ekstremit të djathtë arriti një shifër të paprecedentë prej 38% të votave në një sondazh, më shumë se dyfishi i rezultatit të SPD-së, e cila mori 19% të preferencave.

        Sipas sondazheve të fundit, AfD është pak përpara Social Demokratëve (37% me 35%) në zgjedhjet e së dielës. CDU (7%) është shumë prapa dhe afër pragut prej 5% të nevojshëm për përfaqësim në parlamentin rajonal.

        Një dështim i tillë për t’u kualifikuar do të ishte i pari në Gjermaninë e pasluftës dhe një poshtërim edhe për Friedrich Merz si dhe një tjetër fitore për të djathtën ekstreme e cila, duke u paraqitur si e vetmja forcë politike e vërtetë konservatore, dëshiron kreun e kancelarisë..

       Përballë një rezultati të tillë të mundshëm, megjithëse mbështetja për qeverinë aktuale rajonale SPD/Die Linke është forcuar në prag të zgjedhjeve dhe më shumë se gjysma e të anketuarve besojnë se Social Demokratët duhet të udhëheqin qeverinë e ardhshme, koalicioni do të humbiste shumicën. Megjithatë, nëse të Gjelbrit arrijnë pragun zgjedhor 5 për qind, SPD dhe e majta radikale mund të bashkojnë forcat me ta dhe të vazhdojnë të qeverisin.

         Nga ana tjetër, AfD nuk do të merrte vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme. Nga ana e saj, CDU-ja luan një rol më pak të rëndësishëm në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore sesa në Saksoni-Anhalt, ku kordoni sanitar i ngritur nga Kristian Demokratët në nivel kombëtar kundër Die Linke dhe AfD çoi në një bllokim pas zgjedhjeve të fundit rajonale.

         Por ndryshe nga degët e AfD-së në Saksoni, Saksoni-Anhalt, Turingi dhe Brandenburg, partia nuk klasifikohet si e ekstremit të djathtë nga inteligjenca gjermane në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore. Jozyrtarisht, dega e partisë dyshohet se ka prirje të ekstremit të djathtë, por shërbimeve të sigurisë u ndalohet të komentojnë mbi hetimin e tyre derisa të mund të paraqesin prova për të mbështetur këtë pretendim.

          Programi i AfD-së në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore është, për më tepër, ideologjikisht më pak radikal sesa ai i degës së Saksonisë-Anhaltit. Megjithatë, partia bën thirrje për një ngrirje mbarëkombëtare të pranimit të azilkërkuesve, dëbimin sistematik të emigrantëve ilegalë, fundin e mediave radio-televizive publike, ndërprerjen e prodhimit të energjisë nga eolienët dhe ndalimin e përdorimit të gjuhës neutral (as mashkull as femër) në administratën publike dhe arsim.

         Edhe në Berlin,  kryeqyteti I Gjermanisë, gjërat duken po aq të vështira. Partia e kancelarit Merz, nga e cila vjen edhe kryetari i bashkisë, është kokë më kokë me të majtën radikale  “Die Linke” (rreth 20% secila) dhe e ndjekur nga afër, sipas sondazheve, nga AfD (18%).

           Kushdo që ka një kartë identiteti ose pasaportë gjermane që ka banuar në shtet për më shumë se 37 ditë do të jetë në gjendje të votojë të dielën. Në një zhvillim të ri të madh, qytetarët do të jenë në gjendje të marrin pjesë në zgjedhje që nga mosha 16 vjeç.

         Landet (shtetet) kanë pushtet të konsiderueshëm në Gjermani: Ato zhvillojnë atje politikat e tyre mbi arsimin, kulturën dhe median, si dhe mbi policinë dhe mjedisin. Ato gjithashtu ndikojnë në politikën kombëtare përmes përfaqësimit të tyre në Bundesrat (Këshilli Federal) dhe kanë një rol edhe në çështjet evropiane.

        Gjermania është përballur këtë vit me një maratonë super zgjedhore (“Superwahljahr”). Pas votimeve në Baden-Württemberg (8 mars), Rheinland-Pfalz (22 mars) dhe Saksoni-Anhalt (6 shtator), qytetarët e Mecklenburg-Pomerania Perëndimore dhe Berlinit, siç thamë, po shkojnë sot përsëri në kutitë e votimit ».

          Të presim deri në ora 20.00 për të marrë vesh rezultatin e tyre. Sepse ato kanë të bëjnë si me shqiptarët që jetojnë atje, por deri diku edhe me të ardhmen e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

                                                                                                                     v.gj.

Lini një koment