Zgjedhjet e fundit në Gjermani treguan për një opinion publik të ndarë në tri pjesë. Por ajo që ra më shumë në sy edhe sot ishte tkurrja e dy partive kryesore që kanë qeverisur Gjermaninë gjatë këtyre 80 viteve të fundit. Përkatësisht CDU-ja legjendare, partia Kristian Demokrate e patronatit të madh dhe SPD-ja, socialdemokratët pothuajse të majtë !
Ndryshe partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë u forcuan shumë edhe gjatë ditës së sotme. Po le të ndalemi në fillim te shifrat për të pasur një tabllo më të qartë të rezultateve në dy nga landet e Gjermanisë : te ai i kryeqytetit, Berlinit, dhe landit që gjendet në veri- lindje të vendit, i Pomeranisë/Maclenburg, ish land i Republikës Demokratike Gjermane.
Atëhere në këtë moment që po shkruajmë këto rradhë, afërsisht ora 19.00, sondazhet, shpesh herë tepër të sakta, tregojnë se në Berlin « Die Linke » (E majta), e dalë nga ish partia komuniste e Gjermanisë Lindore, është sot partia e parë, dmth partia fituese e këtyre zgjedhjeve me 25.8 % të votave, më shumë se 13, 6 për qind krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Ndërsa AfD-ja me 16 përqind i ka forcuar pozitat e saj me afro 7 për qind. Edhe partia tjetër e majtë, me tendenca nacionaliste dhe antiemigracion, BSW, ka marrë 5 % të votave si hera e parë që merr pjesë në këto zgjedhjet.
Partitë e tjera të vogla si liberalët, FDP etj, kanë rënë në afro 1.5 për qind dhe nuk do të përfaqësohen më në parlamentin rajonal. Kristian demokratët me 20% sot kanë humbur 8.2 përqind në krahasim me zgjedhjet e 4 viteve më parë ! Socialdemokratët me 12% kanë humbur 6,4%. Të gjelbërit me 15 % kanë humbur 3.4 për qind të votave.
Ndryshe në landin e Maclenburg-ut partia socialdemokrate me 36.3% mbahet përgjithësisht mirë, megjithë një rënie të lehtë prej 3.3 përqind. Por ajo që të tërheq vëmendjen në këtë land të ish –Gjermanisë Lindore, është fitorja tej çdo parashikimi e partisë së ekstremit të djathtë, AfD, me 37.8, me një rritje prej 21 përqind në krahasim me zgjedhjet e kaluara, e cila e rendit atë të parën në këtë land.
Dhe për t’i rënë shkurt ish-komunistët fituan sot Berlinin dhe ekstremi i djathtë nacionalist dhe antiemigracion ka fituar në Pomerani – Maclenburg ! Njëlloj si edhe në zgjedhjet e para dy javëve në Saksoni-Anhalt, ajo që të bie në sy gjatë zgjedhjeve të sotme, është tkurrja e partisë së kancelarit Merz, që udhëheq Gjermaninë. Me tkurrje prej 8.2 përqind në të dyja landet.
Edhe gjermanët duket se nuk po i besojnë më sot globalizmit dhe liberalizmit dhe po shkojnë drejt ekstremeve. E njëjta tendencë vihet re edhe në Francë, ku partitë e qëndrës globaliste dhe liberale të presidentit Macron, janë duke u spostuar drejt vendit të tretë.
Ndërsa « lufta » zhvillohet tani ndërmjet partisë së ekstremit të djathtë të Marinë Lë Pen-it dhe asaj trockiste të Zhan Luc Melenshon-it ! Flitet se edhe në Britaninë e Madhe partia e ekstremit të djathtë e Nigel Farage është para partisë konservatore dhe asaj laburiste.
Po çfarë do të thotë kjo : E para emigrimi dhe azili janë duke marrë fund në Europë dhe e dyta partitë liberale dhe globaliste janë duke humbur terren. Por po ashtu po kemi edhe një ringjallje të partive të majta ekstreme.
Donald Trump duket se pati të drejtë kur para pak javësh u shpreh se komunizmi po ringjallet. Në këtë konkluzion ai arriti pas fitoreve të disa individëve prosocialistë si ajo e Zoran Mamdanit në Nju Jork.
Sidoqoftë bota po ndryshon me shpejtësi dhe duket se jo për mirë. Kina po mëton që së shpejti të kthehet në fuqinë e parë në botë. Në Lindjen e Mesme, Iran, Ukrainë etj konfiktet nuk po ndalen. Të shohim tani si do rrjedhin ngjarjet muajt dhe vitet në vijim.
Bashkimi Europian, ku Shqipëria mëton të anëtarësohet, a do të vazhdojë të ekzistojë dhe a do të jetë njëlloj si i tashmi në vitet e ardhshme ?! Duket se kjo është pothuajse e pamundur.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment