Gjykata e Hagës i dënoi 4 komandantët e UÇK-së njëlloj sikur ata të ishin gjeneralët nazistë të Nurembergut. Megjithëse Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi me bashkëluftëtarët e tjerë nuk e kishin sulmuar ndonjëherë Serbinë. Ata thjesht luftuan për të çliruar popullin e tyre nga pushtimi 100 vjeçar serb.
Pushtim i shoqëruar edhe me dëbime masive të shqiptarëve atje drejt Turqisë, me shtypje, përbuzje, keqtrajtim dhe varfëri. Gjatë asaj lufte çlirimtare, pati afro 13 000 mijëra shqiptarë të vrarë nga forcat serbe, mijëra femra të përdhunuara, djegie dhe shkatërrime massive të vendit etj etj. Mjafton këtu të kujtojmë masakrën ndaj familjes Jashari. Apo Raçakun. Po ashtu edhe vrasjet e shumë intelektualëve.
Ushtria serbe i trajtoi shqiptarët e Kosovës me një urrejtje shtazarake. “Si guxuan këta njerëz me bisht të ngrenë kokë kundër nesh?!” –ishte habia e tyre.
A nuk vepruan ata po në të njëjtën mënyrë edhe në Bosnjë dhe Srebrenicë?! A nuk e përcollën ata para pak ditësh me të gjitha nderimet ushtarake dhe popullore edhe “kasapin e Bosnjës”, Ratko Mlladiçin?!
Se lufta e UÇK-së nisi që një vit para se NATO të vendoste të sulmonte shënjestrat serbe në Kosovë apo edhe në Beograd! Dhe serbët u sollën me një kafshëri të paparë sidomos ndaj shqiptarëve të pambrojtur, gra, pleq, fëmijë. “Bashkim – vëllazërimi” ishte i mirë dhe i dobishëm për sa kohë që shqiptarët rrinin urtë, ndryshe…
Në këto kushte pati ndofta edhe teprime nga çlirimtarët. Por a ka vallë luftë të pastër?! Mos vallë ishte e para UÇK-ja që kreu krime të tilla?! A nuk po shohim edhe sot në Lindjen e Mesme apo në Iran të kryhen bombardime gjatë të cilave vdesin edhe plot të pafajshëm?! Apo kur bombardohet një pallat i tërë plot me njerëz sepse aty gjendet një terrorist?!
Një fjalë e urtë thotë se kur vret gjarprin duhet t’i shtypësh edhe vezët e tij. Dhe vezët e tij ishin agjentët e pafund të UDB-së në Kosovë. Saqë edhe sot e kësaj dite zbulohen ende agjentë të tjerë të Beogradit! Dhe plot të tjerë kanë ndërruar flamur!
Gjatë gjithë luftrave që ka njohur njerëzimi ka pasur gjithmonë hakmarrje ndaj bashkëpunëtorëve, spiunëve dhe tradhtarëve. Kështu ka ngjarë pas Luftës së Dytë Botërore edhe në Francë, në Hollandë dhe kudo. Ata janë kapur , pushkatuar dhe hedhur kanaleve pa asnjë mëshirë. Kështu mund të ketë ngjarë edhe në Kosovë.
Tani, pas vendimit të Gjykatës Speciale, ka zëra të “matur” që thonë se duhet të ruajmë qetësinë, të mos turbullojmë ujin, të tregohemi të civilizuar etj etj. Këto zëra vijnë po nga ata që nuk e kanë dashur kurrë UCK-në. As luftën e armatosur që u prishi terezinë. Por që nuk patën çfarë të bënin kur në luftë krahas UCK-së hyri edhe NATO. Atëhëre ata heshtën dhe ulën kokën.
Përveç agjentëve dhe të rekrutuarve nga Serbia, shumë prej tyre në atë kohë ishin ose nostalgjikë të Jugosllavisë së Titos ose përkrahës të vendosur të politikës gandiste të Ibrahim Rugovës!
Dhe dihet se ky i fundit i fitoi votat edhe pas çlirimit të Kosovës. Pavarësisht se kishte qënë hapur kundër luftës çlirimtare. Ndërsa kundërshtari i tij ideologjik, Rexhep Qosja, përkrahësi i UCK-së, mori shumë më pak mbështetje!
Ishte Rugova që një e dy thoshte se nuk duhet ta cytim Serbinë! Se lufta bëhet me institucione dhe jo me armë, dhe budallalliqe dhe poshtërsira të tjera të këtij lloji.
Aq fort i indoktrinoi Rugova shqiptarët e Kosovës, sa që kur krisi pushka në Kosovë shumica e popullsisë ndenji mënjanë. Dhe për të justifikuar këtë mungesë trimërie u përhapën edhe fjalë se UCK-ja është marksiste, enveriste etj etj. Gjithçka ishte e mirë veçse luftë të mos kishte!
Këtë qëndrim disfatist e përshkroi shumë bukur njëri nga intelektualët e rinj kosovarë të asaj kohe : kur kumtoi me dëshpërim se « 2 000 veta po luftojnë, dhe 2 milionë rrijnë dhe shikojnë! ».
Nga ky llum kanë dalë sot edhe ata dhjetra apo qindra dëshmitarë dhe kolaboracionistë që akuzuan udhëheqësit e UCK-së për « Shtëpinë e verdhë » apo për « krime » të kryera nga Thaçi me shokë ndaj shërbëtorëve të Serbisë.
Në fakt lufta kundër kundër UCK-së rifilloi e heshtur dhe në prapaskenë menjëherë pas çlirimit të vendit, duke i akuzuar luftëtarët e saj se po përfitonin nga pjesëmarrja në luftë për të zënë poste në administratë, për të marrë shtëpitë e serbëve apo për tu pasuruar.
Rugova me të vetët, të mënjanuar dhe përbuzuar nga NATO, pas deklaratave të tija në Beograd se « gjithë kjo duhet të ndalojë », (kupto sulmet dhe bombardimet e NATO-s ndaj caqeve serbe), u përpoq të hakmerrej duke e nxirë luftën e UCK-së.
Asnjë popull nuk vepron kështu me çlirimtarët e tij. Veç atyre që janë mësuar të jetojnë në skllavëri. Apo që preferojnë rehatin dhe mirëqënien e paprekur përballë sakrificave dhe luftës për liri.
Prandaj edhe nuk duhet tu mbajmë shumë mëri gjykatësve në Hagë. Po të mos ishin vetë shqiptarët që spiunuan atje, sot nuk do të ishin dënuar as Hashim Thaçi, as Jakup Krasniqi, as Kadri Veseli dhe as Rexhep Selimi.
Të keqen e kemi ende brenda nesh.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment