Urgjentisht Vjosa Osmani si presidente

Në shkrimin e mëposhtëm,  botuar para pak minutash,  « Ky vendimi rrezikon deri edhe sovranitetin e Kosovës » jam shprehur se gjasat që 4 komandantët legjendarë të UÇK-së të lirohen në appel janë pothuajse zero. Dhe që është shumë e vështirë t’i gjesh një rrugëdalje kësaj çështjeje !

Megjithatë sa të rrish duarkryq diçka duhet të bësh. Dhe ajo « diçka » për mendimin tim është kthimi i Vjosa Osmanit në postin e presidentes së Kosovës.

Sepse Kosova ka nevojë edhe sot e kësaj dite, dhe ndofta edhe përgjithmonë, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe dihet se Vjosa Osmani kur ishte presidente e Kosovës vendosi marrëdhënie të privilegjuara me presidentin Donald Trump. Dhe ku do të kishte gjë më të mirë sesa znj Osmani  të fluturonte tani direkt për në Uashington, ku t’i lutej presidentit amerikan që ai ta shikonte çështjen e 4 komandantëve të UÇK-së ! Aq më shumë që Thaçi dhe të tjerët arrestuan nga një prokuror armik i Trump-it, një farë Xheki Smith !

Dhe Vjosa Osmanin mund ta kritikosh për çfarë të duash, por vetëm për forcimin e marrëdhënieve me Amerikën, aleatin tonë strategjik, jo !

Albin Kurti bëri gabimin e jetës së tij kur refuzoi ripërtëritjen e mandatit presidencial për Vjosa Osmanin !  Ku ta gjesh të kesh një njeri që i ka mirë marrëdhëniet me administratën amerikane. Aq më shumë që Serbia mban marrëdhënie të ngushta edhe me Rusinë dhe Kinës, që presidenti Trump nuk i ka fare me sy të mirë!

Në këto kushte askush nuk e kuptoi se pse Kurti e refuzoi Osmanin?! Me komunizëm apo islamizëm, apo edhe me “mbështetjen në forcat e veta” nuk mund ta shpëtosh Kosovën! Sidomos kur ajo ka përballë një kundërshtar kaq të fuqishëm si Serbia.

Prandaj Kurti, ashtu siç veproi në rastin e Vlora Çitakut, ku bëri prapaktheu, duhet të veprojë edhe në rastin e Osmanit. Pra duhet t’i telefonojë menjëherë Lumir Abdixhikut për t’i kumtuar se ai dhe Vetvendosja janë gati për të votuar Vjosa Osmanin si presidente! Dhe kjo duhet të ngjasë jo pas një jave apo pas një muaji. Por nesër.

Parlamenti duhet të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të kuvenduar për pasojat e vendimit të Hagës dhe njëkohësisht të zgjedhë Vjosa Osmanin si presidente të Kosovës.

Dhe kjo e fundit duhet të ndërmarrë menjëherë një tur udhëtimesh në kryeqytetet mike të Kosovës për të mbrojtur çështjen e 4 komandantëve! Duke pasur në shënjestër takimin kokë më kokë me Trump.

Presidentit amerikan me siguri do i bëhet qejfi kur të shohë Osmanin t’i lutet që ai të shprehë mbështetjen e tij për udhëheqësit e UÇK-së së lavdishme. Dhe ndofta kjo mund të jetë mënyra e vetme që ata të lirohen nga burgu ose të dënohen minimalisht!

Pra zgjidhja megjithatë gjëndet në Prishtinë. Tani që po shkruaj këto rradhë është ora 20.30 e ditës së mërkurë 16 shtator, dita kur Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg nga Gjykata e Hagës.

Prandaj nuk duhet të humbet më kohë. Caktimi i Osmanit si presidente është urgjencë kombëtare. Kurti duhet të kthjellohet dhe të heqë dorë nga marrëzitë komunisto/islamiste ! Sepse tani është në lojë shumë më tepër se fati i katër legjendave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ! Është në lojë vetë e ardhmja e Kosovës !

Gjithë bota, dhe sidomos Beogradi, duhet ta kuptojë një herë e mirë se Kosova në veçanti dhe populli shqiptar në përgjithësi, kanë sot e përgjithmonë aleat, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment