Pavarësisht optimizmit të paarsyeshëm të opinionit publik mbarëshqiptar rreth vendimit të pritshëm të gjykatës së Eulexit, këto ditët e fundit pati disa shenja të dukshme se 4 udhëheqësit e UCK-së do të dënoheshin nga kjo gjykatë ndërkombëtare që vepron në emër të popullit të Kosovës.
Mjafton për këtë të ndiqnje reagimet e disa kancelarive perëndimore. Shumica prej tyre e vinin theksin te apeli dhe te qetësia e nevojshme që duhej ruajtur në Kosovë. Madje disa ambasada u bënë thirrje qytetarëve të tyre atje të tregoheshin të kujdesshëm këto ditë !
Tani duhet kuptuar diçka që është me shumë rëndësi. Politika ndërkombëtare ka ndryshuar katërcipërisht në krahasim me 25 vjet më parë. Kudo sot kemi agresione, luftëra, pushtime, bombardime, deklarata se më duhet ky vend, do ta marr këtë ishull etj etj.
Pra vendin e të drejtës ndërkombëtare dhe rolit të OKB-së në botë sot e ka zënë politika e më të fortit. Nuk ka më drejtësi për më të dobëtit.
Ndryshe tani pyetja kryesore sot mbetet : çfarë duhet të bëjë shteti i Kosovës, tash që iu dënuan krerët dhe zemra e ushtrisë së tij çlirimtare ?!
Duket se brenda vendit ka 2 rryma : njëra prej të cilave thotë le të presim apelin, vendimin e shkallës së dytë dhe përfundimtar. Rryma tjetër shprehet se Eulexi duhet dëbuar nga Kosova, se ai nuk shpreh vullnetin e popullit kosovar.
Pra kemi disa që duan ta zbusin situatën, ta zhagitin atë. Disa të tjerë kërkojnë ngritje koke dhe revoltë. Të parët kapen edhe pas Kushtetutës, që do të thotë se për zhbërjen e Eulexit u dashkan edhe votat e pakicës serbe ! Disa të tjerë thonë që ky institucion u formua me vendim të kuvendit, që do të thotë se po me një vendim të tillë Eulexi mund të zhbëhet.
Ndryshe gabimi i parë ishte lejimi i ngritjes së kësaj gjykate. Dhe duhet kujtuar se Vetvendosja luftoi hapur kundër krijimit të një institucioni të tillë që merrte kompetencat e një shteti sovran.
Prandaj sot nuk kemi pse të akuzojmë Vetvendosjen për këtë dënim. Madje për mbrojtjen e 4 të akuzuarve në Hagë shteti i Kosovës ka shpenzuar më shumë se 40 milionë euro. Pjesa kryesore e të cilëve ka vajtur në xhepat e avokatëve të huaj të zgjedhur nga vetë të akuzuarit !
Avokatët e huaj si dhe disa politikanë kosovarë tani përpiqen të mbajnë gjallë shpresën te vendimi i shkallës së dytë, pra te Apeli. Për mendimin tim gjasat që apeli t’i lirojë komandantët e UCK-së janë pothuajse zero. Qofsha i gabuar.
Ndërrimin e kursit në favor të Serbisë e kam vënë re që në fillim vitet 2 000. Pra veç pak vite pas çlirimit të Kosovës. Ato kohë punonja si korrespondent i radios gjermane « Deutsche Welle » nga Brukseli. Gjatë vitit 1999 transmetonja disa herë në ditë informacione dhe lajme nga selia e NATO-s në Bruksel rreth sulmeve të saj ndaj objektivave serbe. Gjithë bota ishte atëhere me Kosovën dhe kundër Millosheviçit!
Por serbët e kthyen pllakën. E dorëzuan nacional/komunistin Millosheviç në Hagë dhe vunë në krye ekipe qeveritare pro perëndimore. Po në atë kohë edhe në selinë e Bashkimit Europian në Bruksel filloi të vihej re një ndryshim kursi në favor të Beogradit. Deri te udhëheqës të lartë dhe të njohur të BE-së.
Beogradi po punonte me intensitet. U përhapën edhe përrallat e « Shtëpisë së verdhë » andej nga Kukësi që u hiqte organet banorëve serbë për t’i shitur në tregun e zi !
Dhe ndërkohë që Beogradi punonte, zyrtarët e lartë në Prishtinë flinin gjumë. Asnjë lloj kundërpropagande, asnjë lloj impenjimi. « Na mbron Amerika neve » – ishte përgjigja e zyrtarëve të Prishtinës, deri te masat popullore, kur i pyesnje se për se lejonin që të njollosej roli i UCK-së !
As edhe një faturë e vetme nuk iu dërgua Beogradit, Brukselit apo Uashingtonit për vrasjen e mbi 13 mijë vetave, për përdhunimin e mijëra grave, për shkatërrimin e dhjetra mijëra banesave. Që të kërkohej dëmshpërblim nga Serbia për krimet e saj në Kosovë. Veçse gjumë dhe udhëtime diplomatike me shtrëngime duarsh hipokrite !
Shqiptarët e Kosovës ishin shumë të zënë me luftën e brendshme politike ndërmjet Rugovës dhe Thaçit, se sa të merreshin me « vogëlsira » të tilla !
Kaq shpejt e harruan ata edhe “zajednicën » ?! Pra dhënien e një autonomie të gjërë 10 komunave serbe në Kosovë, të cilat në rast të vënies në jetë të saj, as nuk do ta njhnin më autoritetin e Prishtinës ! E pra të gjitha këto ishin fakte që dëshmonin se “era” kishte ndërruar kah.
Dhe ja si erdhi dita. Sot gjykohet jo vetëm UCK-ja, por edhe pavarësia dhe sovraniteti i vetë shtetit dardan. Dhe kjo është pa asnjë dyshim një fitore e madhe për Beogradin. I cili asnjë ditë nuk ka hequr dorë nga synimi i tij që të shtjerë përsëri në dorë Kosovën, ose të paktën gjysmën e saj, zonat më të mira.
A nuk po i rimerr Izraeli tokat e “tij” 2 000 vjet pasi është larguar që andej ?! A nuk po i rrëmben me forcë Rusia disa krahina të Ukrainës?! Kjo është bota sot. Bota e më të fortit!
Atëhere çfarë duhet të bëjë shteti i Kosovës tani?! Pyetje shumë e vështirë dhe pa përgjigje konkrete. Askush nuk mund të jape një përgjigje shterruese, të ftohtë dhe racionale. As lutjet për drejtësi, as trokitjet derë më derë nuk kanë shumë dobi sot. Por as lënia në fatin e tyre e 4 heronjve të Dardanisë nuk është zgjidhje. Atëhere?!
Duhet kuptuar se Kosova është diçka shumë e vogël në politikën e të mëdhenjve të kësaj bote. Ashtu siç ishte edhe Shqipëria në traktatin e Londrës apo konferencën e Versajës. E papërfillshme.
Aq më shumë që përballë ka një kundërshtar shumë të forte si Serbia. Që varrosi me nderime të papara edhe një kriminel lufte si Ratko Mlladiç. Pa iu bërë vonë fare se çfarë do të thoshte « bota » !
Problemi është shumë më i gjërë dhe i thellë se sa vetëm lirimi i 4 komandantëve të luftës. Pasi në thelb bëhet fjalë për më shumë se kaq. Bëhet fjalë për lirinë dhe sovranitetin e mbarë Dardanisë.
Është shumë leq kur je i vogël dhe i pafuqishëm. Serbia po armatoset dita ditës me armët më moderne. Pse i duhen gjithë ato armë ?! Përgjigja është e thjeshtë.
Prandaj ka ardhur dhe po kalon koha që partitë kryesore në Kosovë të mbledhin mëndjen dhe t’i vënë gishtin kokës. Jo çdo 6 muaj zgjedhje. Ato duhet sa më shpejt të hartojnë një strategji kombëtare për sot dhe gjithë këtë shekull.
Se e keqja nuk do ndalet me kaq. Nesër do të jetë në pyetje edhe Mitrovica e Veriut, Ujmani, Trepça etj. Pasnesër edhe tokat ku gjenden manastiret serbe !
Kjo zezonë që ngjau sot duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për zgjim. Edhe ndërmjet Tiranës, Prishtinës dhe Tetovës. Se punët nuk janë asgjëkundi mirë ndër shqiptari !
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment