Dje shkruam për rëndësinë për Gjermaninë në rradhë të parë si edhe për Bashkimin Europin dhe ndofta edhe për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit, nga një fitore e mundshme e një partie fashiste, nacionaliste dhe antiemigracion, në një land (provincë) të Republikës Federale Gjermane.
Parashikimet ishin që kjo parti do të kapte rreth 41 përqind të votave të banorëve të këtij landi. Nuk do ishte pak po të kemi parasysh se kemi të bëjmë me një rajon me një popullsi të përgjithshme prej afro 2.12 milionë banorësh, me një sipërfaqe prej 20 000 kilometrash katrore dhe me 1.7 milionë pjesëmarrës në zgjedhjet e sotme, të cilat përfunduan rreth 90 minuta më parë.
Por para se të kalojmë te analiza e pasojave të kësaj fitoreje tragjike, le të ndalemi fillimisht te shifrat për të pasur një tabllo më të qartë. AfD-ja sipas exit-polleve shumë të besueshme ka marrë 44.5 përqind të votave, me një rritje prej 24 përqindësh në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
Humbësja e madhe është partia e kancelarit Merz, që udhëheq Gjermaninë, – CDU-ja. Ajo fitoi sot 18.5 përqind të votave dhe humbi po aq në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Në vend të tretë, çuditërisht, u rradhitën ish komunistët e partisë « Die Linke » me 9.3 përqind nga 11 për qind që kishin marrë në zgjedhjet e kaluara.
Është pothuajse e sigurt që rreth 2 përqind e votave të zgjedhësve të saj vajtën drejt partisë së BSW- e udhëhequr nga disidentja e « Die Linke » Sahra Wagenknecht, që mori 5 përqind të tyre ! Është me rëndësi këtu të kuptojme se ku bashkohen dhe ndahen nga njëra tjetra dy partitë e majta në Gjermani. BSW ka të njëjtin qëndrim në fushën ekonomike njëlloj si « Die Linke ». Por ajo është kategorisht kundër emigracionit të pakontrolluar. Pra ajo i afrohet shumë partisë së majtë daneze, që edhe ajo prej mbi 8 vitesh në pushtet ua ka mbyllur dyert gjithë emigantëve të huaj.
Pra kemi të bëjmë këtu me një parti ekonomikisht të majtë dhe ideologjikisht të djathtë. Pasi ajo është edhe kundër politikave të ashtuquajtura « Woke » të socialistëve liberalë europianë !
Ndryshe Partia SocialDemokrate Gjermane, SPD, fitoi po aq vota, 8.2 përqind, sa 4 vjet më parë. Aq sa kësaj rradhe edhe të « Gjelbërit » duket se e kaluan këtë parti dikur të lavdishme, që sot duket që është katandisur thjesht në një patericë të partisë së patronatit të madh në Gjermani ‘CDU’.
Por edhe kristian-demokratëve që udhëheqin Gjermaninë duket se nukpo u qesh fare nuri sot, pas humbjes së afro 19 për qind të elektoratit të saj, krahasuar me zgjedhjet e 4 viteve më parë.
Siç shihet në parlamentin e Sachse- Anhalt prej 83 vendesh do përfaqësohen 6 parti që përfshijnë një spektër të gjërë nga e djathta ekstreme te e majta radikale. AfD-ja , megjithë fitoren e saj spektakolare duket se nuk mund të qeverisë dot e vetme me 39 deputetët e saj. Megjithëse kjo nuk është fare e sigurtë në rast se llogarisim 4 përqind të votave që i fituan partitë e vogla, por që nuk hynë dot në parlament, sepse nuk e kaluan dot pragun!
Kështu mund të jenë në lojë 5 apo 6 vende të tjera në parlamentin e landit gjerman që duhet të shpërndahen midis fituesve. Prandaj nuk ka çudi që edhe me ndonjë « dezertim » nga CDU-ja për shembull, dhe AfD-ja të arrijë numrin magjik të 42 deputetëve, që do i mundësojë të qeverisë e vetme këtë rajon të Gjermanisë, që dikur ishte nën juridiksionin e ish Republikës Demokratike Gjermane, pra ish-komuniste.
Problemi tani është se çfarë qëndrimi do mbajë kjo parti në çështjet social/ekonomike! Se për ato ideologjike nuk ekziston as dyshimi më i vogël. A do të jetë një levë e kapitalit të madh gjerman dhe atij ndërkombëtar si CDU, apo do të ndjekë një linjë sa nacionaliste, aq edhe sociale?! E vutë re vetë që nuk shkruajta nacional/socialiste ?! Do të rrisë rolin primar të shtetit në ekonomi apo do ia lëjë gjithçka në dorë elitës oligarkike, siç po vepron në Shqipëri, « socialisti » Rama ?!
E keqja është se “boja e zezë e shkrimit!” mund të përhapet në të gjithë Gjermaninë. Si afro para 90 vitesh ! Aq më shumë kur thuhet se edhe në prognozat e fundit në rang kombëtar, AfD-ja del si partia e parë në vend!
Dhe në këtë rast si do i vejë halli edhe Bashkimit Europian?! Jo sot, as nesër. Por ndofta pas 1 ose 5 vitesh?! Dhe bathët nuk duken të mbara. Përkundrazi !
Por diçka duket e sigurt. Me këtë fitore të ekstremit të djathtë nacionalist, duket se politikave liberale globaliste po u vjen fundi. Para 2 vitesh në Amerikë me Trump-in, nesër me siguri në Francë me Marin Lë Pen dhe pasnesër në Gjermani!
Njerëzit në Europë janë të zëmëruar me mondialistët që kanë mbështetur gjatë gjithë këtyre 40 viteve të kaluara politika që ishin kundër kombeve dhe shteteve, që ndiqnin politikat e dyerve të shqyera në afrimin e sa më shumë emigrantëve për t’i mbajtur rrogat të ulta dhe punonjësit nën presion dhe nga politikat ekonomike: “ prodho ku të duash dhe shit ku të të pëlqejë”!
Si pasojë e të cilave u krye edhe transferimi i dhjetëra mijëra uzinave dhe fabrikave (megjithë teknologjinë dhe shpikjet e tyre tejet të çmuara) nga Perëndimi drejt Kinës. Se dihet që kapitali nuk ka Atdhe. Ose që ka vetëm paranë për Atdhe !
Nuk duhet të harrojmë po ashtu se fitorja e partive nacional/fashiste në Gjermani dhe Francë do ia mbyllë një herë e mirë derën edhe Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për të hyrë në Bashkimin Europian!
Pasi tani në pyetje nuk do jetë zgjerimi i tij, por vetë ekzistenca e BE-së!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment