Bashkimi Europian dhe vetë Gjermania po e mbajnë frymën pezull. Sepse nesër, e dielë 6 shtator, në një rajon të Gjermanisë, partia e ekstremit të djathtë « AfD », Alternativa për Gjermaninë, pritet të dalë në krye të zgjedhjeve vendore. Dhe kjo do të jetë hera e parë, që nga viti 1945, që një parti post/naziste të fitojë zgjedhjet në Gjermani!
Sepse me shumë gjasa votuesit në shtetin e ish-Gjermanisë Lindore mund t’ia japin fitoren kësaj rradhe partisë së ekstremit të djathtë. Po si është e mundur diçka e tillë. Dhe mbi të gjitha në një land, provincë, të ish-Gjermanisë Lindore komuniste ?!
I harruan ata vuajtjet dhe shtypjen që pësuan baballarët dhe gjyshërit e tyre nga sistemi nazist hitlerian dhe ai komunist stalinian?! Kjo fitore e mundshme spjegohet pjesërisht, sipas Elisabeth Kaiser, komisioneres së qeverisë federale për Gjermaninë Lindore, nga dallimet që gjallojnë ende, afro 40 vjet pas ribashkimit, ndërmjet dy Gjermanive të ndara gjatë « Luftës së Ftohtë ».
Dhe nëse AfD-ja fiton nesër shumicën absolute të vendeve në parlamentin rajonal, klasa politike gjermane dhe bashkë me të edhe BE-ja do e ndjejnë veten më të kërcënuar se kurrë më parë : Në vazhdimin e politikave të tyre!
Por ata që do vuajnë më shumë nga kjo fitore e pasardhësve ideologjikë të Hitlerit, do të jenë pa asnjë dyshim emigrantët e huaj! Të vjetrit tek ne përdornin dikur një shprehje për të treguar se disa i tërheq gjithmonë shata në një drejtim. “Shkon bari në rrënjë” – ishte shprehja që përdorej kur një dukuri përsëritej dy ose më shumë herë.
Elisabeth Kaiser vëren se identiteti politik i banorëve të ish-rajoneve komuniste të ish-Gjermanisë Lindore, mbetet megjithatë i ndarë dhe i ndryshëm nga ai i banorëve të Gjermanisë Perëndimore.
Një segment i rëndësishëm i popullsisë atje vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite i traumatizuar nga rënia ekonomike dhe privatizimet e detyruara pas ribashkimit, pohon Kaizer, para se të pranojë se ky ndryshim sistemi është shoqëruar edhe me disa përvoja negative.
Po t’u shtosh këtyre edhe eksodin masiv të popullsisë nga Lindja drejt Perëndimit të Gjermanisë tablloja bëhet më e qartë.
Landi ku mbahen zgjedhjet nesër Saksen-Anhalt ka një popullsi prej 2.12 milionë banoreësh dhe një sipërfaqe prej pak më shumë se 20 000 kilometra katrore. Pra si për nga popullsia, si nga sipërfaqja, ai duket sikur afron shumë me Shqipërinë. Por ndofta edhe nga zhgënjimi i tranzicionit që ka pllakosur si këtë land, ashtu edhe vendin tonë !
Sipas shumë specialistëve një nga shkaqet e kalimit të votave drejt ekstremit të djathtë vjen edhe nga politikat liberale të ndjekura këto 40 vitet e fundit. Megjithëse përqindja e banorëve me prejardhje emigrantësh është shumë më e ulët atje, sesa në Gjermaninë Perëndimore, kultura e kontaktit me të huajt atje është më pak e zhvilluar.
Ndërsa “gastarbajterit” nxitën “mrekullinë ekonomike” të pasluftës në Gjermaninë Perëndimore, punëtorët që erdhën në Gjermaninë Lindore nga vendet e tjera socialiste “u mbajtën kryesisht larg, fizikisht nga gjermano-lindorët”, pohon znj. Kaiser.
Kjp sjellje mund të vetëkuptohet kur dihet se gjermanolindorët ishin për nga kultura dhe mirëqënia ndër më të zhvilluarit ndër vendet e ish “Kampit Socialist”. Prandaj atje edhe sot, imigracioni shihet me dyshim, edhe pse luan një rol thelbësor në ekonomi dhe në ofrimin e shërbimeve për popullsinë: “një në pesë mjekë në Saksoni-Anhalt është emigrant ose me origjinë emigrante”, shpjegon zyrtarja e qeverisë gjermane.
Por po ashtu si dhe shumë politikanë të tjerë, edhe Elisabeth Kaiser paralajmëron kundër çdo romantizimi të së kaluarës komuniste.
«Në kohë krize, njerëzit kujtojnë aspektet pozitive të së kaluarës së tyre», vëren ajo, një ndjenjë kjo që shumëkush në Gjermani e cilëson sot si «Ostalgji»: nostalgji për të shkuarën komuniste!
Votuesit më të vjetër psh e lidhin ende regjimin komunist me sigurinë, (një tjetër temë kyçe kjo edhe e AfD-së), duke harruar shpesh se “kjo ndodhte për shkak të faktit se gjithçka atje kontrollohej dhe monitorohej nga shteti”, thekson politikania gjermane.
Parë në një perspektivë edhe gjeopolitike, AfD, partia e ekstremit të djathtë mbështet lidhje më të ngushta me Rusinë, pavarësisht pushtimit të Ukrainës dhe sulmeve në tokën gjermane që i atribuohen Moskës. Ky mesazh gjen jehonë edhe në ish Gjermaninë Lindjore. Elisabeth Kaiser shpjegon se shoqëria në Lindje karakterizohet si nga një “anti-amerikanizëm i theksuar”, por edhe nga “njëfarë frike nga rusët” dhe “ndjenja se ata nuk duhen provokuar”.
Ngritja e AfD-së është një shenjë e qartë se punët nuk po shkojnë edhe aq mirë në Gjermani. Kështu psh dy ditë më parë grupi i fuqishëm i autoveturave « Volswagen » njoftoi shkurtimin e afro 55 mijë vendeve të punës, shumica prej të cilave në Gjermani !
Dhe në kohë krizash dihet se janë gjithmonë partitë ekstremiste që rriten në shifra !
Fitorja nesër e Alternativës për Gjermaninë në këtë provincë mund të sjellë si pasojë rritjen e kësaj partie ksenofobe, raciste dhe nacionaliste në mbarë Gjermaninë në zgjedhjet e ardhshme federale. Dhe po t’i shtojmë këtij rreziku edhe atë të fitores tejet të mundshme të ‘Tubimit Kombëtar » në Francë, tablloja nuk ka si të bëhet më e zymtë për Bashkimin Europian.
Dy « lokomotivat » e BE-së në duart e partive nacionaliste, ekstremiste dhe antiemigracion në Europë ! A do të vazhdojë të ekzistojë BE-ja në rast të një skenari të tillë ogurzi ?! Kjo është pyetja.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment