Islandezët dhe albanezët !

« Do hyjmë në Europë

De more de,

Lum si ti o popull

Që mezi na ke » !

Një perifrazim i shkurtër ky nga poema e Shefqet Musarajt:”Epopeja e Ballit Kombëtar ».

Dhe është e vërtetë. Politikanët shqiptarë kanë 36 vjet që u rrokanisin kokën shqiptarëve me këtë parullë ! Si mjet për të fshehur paaftësinë dhe papërgjegjësinë e tyre ndaj fateve të vendit dhe të popullit. Apo edhe për të justifikuar shkatërrimet e papara të ndodhura gjatë gjithë këtyre viteve.

Këtë parullë e përvetësoi dhe e bëri të veten edhe Rama. Edhe ai u ka premtuar shqiptarëve hyrjen në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 ! Në vend që tu premtonte më shumë uzina dhe fabrika, rritje të prodhimit të brendshëm bujqësor dhe industrial, një shëndetësi si duhet, një arsim cilësor etj etj, ai i fshiu të gjitha këto pritmëri të njerëzve me parullën magjike të integrimit në BE !

Historikisht sunduesit kanë përdorur gjithmonë marifete të tilla për t’i mbajtur popujt të nënshtruar. Kleri psh u kërkonte të varfërve të ishin të duruar dhe të mos ngrinin kokë se në botën tjetër i priste parajsa !

Komunizmi u premtoi njerëzve « lugën e florinjtë » dhe i la me tollona ! Ndërsa këta demokratët e qametit kanë zbuluar avazin e Mukës të « Hyrjes në Europë » !

Nga 1990 deri më 2030 bëhen plot 40 vjet që vazhdon kjo parullë trushpëlarëse. Dhe ende nuk është e sigurt nëse ky anëtarësim do të realizohet apo jo. Ndryshe, në se realizohet: a do jetë Shqipëria psh në një rradhë dhe do të ketë të njëjta të drejta sa Sllovenia, apo jo?!

Se burime të mirëinformuara në Bruksel bëjnë me dije se presidentja e Komisionit Europian, Ursula van der Layen, po pergatit ca paragrafë dhe klauzola të veçanta në rast të pranimit të shqiptarëve, malazezëve dhe të tjerëve në familjen europiane!

Flitet psh se vendet që do hynë tani e tutje në BE nuk do të kenë të drejtën e vetos. Kjo nuk është edhe aq e rëndë kur mendon se 30 vende nuk mund të kenë gjithmonë të njëjtin mendim apo të njëjtat interesa. Në rast se ky rregull zbatohet për të gjithë.

Por këtyre vendeve, si psh Shqipërisë, mund t’i kërkohet gjithashtu edhe hapja e qëndrave për pranimin e emigrantëve të paligjshëm që mësyjnë Europën. etj. etj. Sepse dihet se përse e ftojnë gomarin në dasëm !

Por dje një popull i vogël, pa shumë emër dhe bujë i tha “Jo” anëtarësimit në Bashkimin Europian ! Në fakt rinisjes së negociatave për këtë anëtarësim. Siç dihet është fjala për popullin islandez, që jeton në një ishull vullkanik andej nga veriu i Oqeanit Atlantik.

Por këta nordikë, afro 400 000 banorë gjithsej, kanë një nga nivelet më të larta të jetesës në botë. Prodhimi i tyre i përgjithshëm (PIB) llogaritet në 35 – 38 miliardë dollarë në vit, që do të thotë një të ardhur për frymë popullsie prej 90 000 deri 98 000 USD (dollarësh amerikanë) në vit. Ndryshe rroga mesatare aty rrotullohet rreth 3800 deri 4 000 dollarë neto për çdo banor !

Si e kanë krijuar ata këtë pasuri dhe mirëqënie ?! Duke qënë edhe më pas se gjysëm milioni njerëz ?! Thjesht dhe vetëm me punë dhe sakrifica. Aq më shumë kur natyra aty nuk është treguar edhe aq shpirtgjërë me ta.

Burimi i tyre kryesor i të ardhurave vjen nga peshkimi. Ku ata, islandezët, rrinë me javë të tëra. Në të ftohtin e Artikut !

Dhe megjithatë ata nuk pranuan të hynin në Europën e Bashkuar ! Po Shqipëria që « fle » mbi burime natyrore të shumta, si spjegohet që ka qënë dhe mbetet gjithmonë e varfër ?!

Për mua përgjigja gjendet te mentaliteti shqiptar : « Bukë thatë dhe rehat » ! Mi’hat Frashëri andej nga vitet 1930, pra afro një shekull më parë, shkruante : « Thonë që nuk ka punë ! Po si nuk ka punë kur këtu një presh kushton sa një shufër floriri ?! ».

Historikisht shqiptarët kanë qënë barinj. Pak prej tyre e kanë punuar tokën. Por po ashtu ata kanë qënë edhe asqerë dhe nizamë të mirë në shërbim të pushtuesve. Vetëm prodhimtarë nuk kanë qënë. Prandaj nuk ka pasur as edhe qytete të mëdha me zejtari të zhvilluar.

Edhe sot vazhdon e njëjta gjëndje. Një pjesë jo e vogël e shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, jetojnë me krime ose me drogë. Edhe gjithë ato restorante/hotele që janë hapur tregojnë pikërisht zakonin e të qënurit rehat. Askush nuk ngre punishte për të prodhuar diçka.

Ndofta prandaj edhe jemi më të zëshmit për të hyrë në BE! Sepse e shohim si dikur shihnim Amerikën: “hA, Mer, ik) Ndryshe  çdo popull ka në krye qeverinë që meriton. Dhe shqiptarët i kanë merituar Berishat, Nanot, Meta dhe Ramat që i kanë qeverisur këto 35 vjet.

Shtoji këtij mentaliteti edhe babëzitjen për para të drejtuesve politikë, korrupsionin e tyre, nxjerrjen në treg dhe shitjen e të gjitha pasurive publike, dhe tablloja bëhet krejtësisht e qartë. Dhe nuk po flasim për zakonin e bakshishit dhe korrupsionin e përhapur në çdo qelizë të shtetit!

A nuk do të ishte mir% që këta qeveritarët, që e kanë nisur karrierën e tyre politike që në vitin 1990, të largohen një herë e mirë nga skena?! Se fytyrat e tyre të shpifura janë bërë të padurueshme për shumicën e njerëzve?!

Sepse ndofta ka ardhur koha vërtet për një Shqipëri të Re dhe një “Revolucin” të vërtetë sa në sistemin ekonomik aq edhe në mentalitetin arkaik?! “Tani që bëmë Shqipërinë, hajde të bëjmë edhe shqiptarët” – Faik Konica. Ndryshe albanezët a nuk duhet të marrin pak shembull edhe ata nga islandezët?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment