Bektashizmi, si një urë lidhëse ndërmjet Krishtërimit dhe Islamit

         Mediat e huaja, gjithmonë më të mirinformuara për çka ngjet në Shqipëri, sesa mediat vendase, kanë njoftuar se muajin e ardhshëm, pra në shtator, do të vihet në jetë ideja e kryeministrit shqiptar për të krijuar “Mekën” bektashiane në Tiranë.

         Flitet për rreth 17 hektarë tokë që do krijojnë një minishtet në zemër të Shqipërisë. Dhe si çdo shtet që respekton veten e tij, edhe shteti bektashian pritet që të ketë monedhën e tij, e quajtur “bek”, pasaportat e tij dhe madje edhe flamurin e veçantë të bektashizmit.

                   Ky do të ishte një « shtet » apo një “qytet fetar” pa porte dhe aeroporte, pa radio dhe televizion, pa polici, pa ushtri, pa taksa, por do të ishte një territor ku do të shkruhej : „Qendra Botërore e Bektashizmit“ !

        Ideja e krijimit të këtij shteti bën pjesë në ato idetë e çartura të kryeministrit Rama për të rënë në sy dhe për tu dukur. Njëlloj si ajo ideja tjetër e tij për të krijuar ministren dixhitale “Diella” që do të luftonte korrupsionin !

       Në parim krijimi i këtij “shteti” në letër nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi. Ai bën pjesë në vizionin e Ramës për ta mbështetur ekonominë e Shqipërisë veçse te turizmi. Sidoqoftë një vizion i gabuar ky. Është prodhimi bujqësor, blegtoral dhe industrial ai që të nxjerr nga “balta”! Por kur i ke rrafshuar të gjitha veprat që u ndërtuan me aq gjak dhe sakrifica gjatë 45 vjetëve të sundimit komunist, do të kapesh pastaj si i mbyturi pas flokëve të veta.

       Ndryshe numri i bektashinjve në botë llogaritet sot në afro 20 milionë. Dhe me siguri këta, por edhe shumë turistë të tjerë të huaj do të kenë dëshirë ta vizitojnë këtë minishtet sa virtual aq edhe qesharak.

         Megjithatë duhet pohuar se ndërsa të huajt janë çuditur nga kjo nismë e re e qeverisë shqiptare, ngritja e këtij shteti nuk është pritur edhe aq mirë nga një pjesë e madhe e popullsisë vendase. Pasi duhet pranuar se prej sot e 100 vitesh në mes të një pjese të shqiptarëve, sidomos të atyre myslimano/sunitë  gjallon ende një inat i mbytur dhe një mëri e heshtur ndaj kësaj bashkësie fetare, siç është bektashizmi.

         Dhe kjo luftë e heshtur ka disa arsye. Së pari pasi bektashinjtë konsiderohen nga myslimanët sunitë si heretikë. Njëlloj si konsiderohen edhe jezidët, druzët, alevitët etj.

         Që kur u shpall kjo ide “bota” reagoi me habi dhe të qeshura ndaj këtij projekti, që askush nuk e mori seriozisht. Aq sa nuk ngeli media në Perëndim asokohe që nuk e trajtoi, komentoi dhe shpërndau lajmin e krijimit të një shteti të ri dhe të veçantë fetar në Tiranë!     

         Një « Vatikan mysliman » në Shqipëri, e titullonte shkrimin e saj „Le Courrier International “. Ai do të ketë një të katërtën e sipërfaqes së Vatikanit – bënte të ditur e përjavëshmja franceze.

         Ndërsa media amerikane ABC – Breaking News shkruante : Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur një plan të tij për të transformuar selinë botërore të sektit bektashi në një shtet të pavarur!

         Shqipëria ka në plan krijimin e një mikroshteti sufi në Tiranë, lajmëronte po ashtu “France 24”.

         Ky njoftim u shpërnda edhe nga media arabe në gjuhën angleze “Al Arabia”. 

         «Shqipëria gati të krijojë një minishtet mysliman bektashi, me një sipërfaqe prej 0.11 km² » shkruante atëkohë nga ana e saj « La Voix du Nord ».

         „Minoriteti shiit i bektashinjve do të ketë së shpejti kufijtë e tij legalë brenda kryeqytetit të Shqipërisë“, bënte të ditur « Le Huffington Post »

         « Një Vatikan mysliman për vëllazërinë sufite të bektashinjve » –  vinte në dukje  rrjeti televiziv « CNews »

             Ndërsa media elektronike  » 20 minutes »  nënvizonte: « alkoli i lejuar, ferexheja dhe shamia jo të detyrueshme », – ky është sekti bektashi që do ketë minishtetin e vet në Tiranë!

         « Shqipëria nxjerr në pah një islam të moderuar që do të ketë « shtetin » e tij në Tiranë, – vërente nga ana e saj media italiane « Futuro Prossimo »

         Po kështu mediat e mirënjohura „Euronews“, „Le Figaro », « La Croix » i kushtuan artikuj të veçantë këtij lajmi shpërndarë së pari nga media amerikane « New York Times », gjatë një interviste eskluzive që ajo zhvilloi atëbotë me kryeministrin Edi Rama.

         Edhe enciklopedia digjitale « Wikipedia » i kishte kushtuar një informacion të hollësishëm kësaj nisme të paparë deri më sot. Njoftimi ishte shoqëruar edhe me foton e selisë bektashiane në Tiranë si dhe me flamurin e saj të veçantë.

         Ja se çfarë shkruan ajo : « Shteti Sovran i Rendit Bektashi është një mikroshtet evropian, tërësisht pa dalje në det në qytetin e Tiranës, kryeqyteti i Shqipërisë. E ideuar sipas modelit të Vatikanit për të qenë mbështetja territoriale e bektashinjve, një rend fetar egzoterik i sufizmit, ai do të bëhet vendi më i vogël në botë kur të shpallet autonom.

         Kompleksi i Tiranës përbën një territor bektashian që ndodhet në rrethet lindore të kryeqytetit. Fillimisht kjo sipërfaqe mbulonte 0,36 km², por ajo u pakësua me dy të tretat gjatë regjimit të diktatorit komunist shqiptar Enver Hoxha, kur aty u ndërtuan magazina. Pas rënies së komunizmit në 1991, territori i Urdhërit pësoi humbje të mëtejshme, kur ndërmarrësit privatë të pasurive të paluajtshme ngritën ndërtesa pa leje, duke cenuar më tej domenin e këtij sekti.

           Sot, kompleksi strehon selinë botërore të Urdhërit Bektashi, si dhe disa struktura fetare dhe kulturore, si mauzoleume, një bibliotekë, arkiva dhe një muze kushtuar historisë dhe traditave të Urdhërit. Lokali është gjithashtu një vend lutjeje dhe një qendër pelegrinazhi për adhuruesit bektashinj nga e gjithë bota ».

         Më pas enciklopedia botërore spjegon origjinën e këtij sekti dhe transferimin e tij që para 100 vitesh në Tiranë.

         Shumica e kundërshtarëve të kësaj ideje e kanë akuzuar dhe e akuzojnë Ramën se po krijon një shtet brenda shtetit, dhe se kjo ide vjen nga larg, nga Soros-i apo Rotchildët etj etj.

         Sipas tyre kjo lëvizje përbën edhe një goditje indirekte ndaj myslimanëve sunitë brenda dhe jashtë vendit. Sidomos atyre radikalë që i mbulojnë gratë, nuk pinë alkol, që nuk martohen me të krishterët etj etj.

      Ndryshe për bashkësinë bektashiane në Tiranë janë shkruar edhe disa libra nga autorë të huaj si dhe janë kryer edhe shumë intervista televizive. Bota vazhdon të habitet që ekzistojnë edhe myslimanë tolerantë, që këndojnë dhe kërcejnë, që nuk i mbulojnë gratë, që pinë raki etj etj.

      Prandaj sunitëve nuk u pëlqen nxjerrja në pah e sektit bektashian. Prandaj na kanë rrokanisur kokën me dekada me rradhë rreth Shqipërisë me tri fe! Ndërkohë që Shqipëria përbëhet veçse nga dy fe: të krishterët me apostull Jezu Krishtin dhe myslimanët me profetin Muhamet. Çdo njëra nga këto fe ndahet në dy degëzime: katolikë dhe ortodoksë dhe shitë me teqe dhe sunitë me xhami.

         Madje, sipas disa burimeve të mirëinformuara, feja bektashiane është përhapur në Shqipëri që para pushtimit turk. Kjo duket se  është edhe arsyeja që ky sekt zgjodhi kryeqytetin e Shqipërisë si seli të tij për mbarë botën bektashiane.

         Bektashinjtë sot janë të shpërndarë në mbi 30 shtete. Por pak e dinë që selia e tyre gjëndet në Tiranë. Njëlloj si selia e katolikëve që gjendet në Vatikan.

        Për bektashinjtë, apo alevitët, siç thirren ndryshe, u fol shumë edhe në Turqi para afro 4 vitesh, kur Kemal Kiliçdaroglu, rivali kryesor i Erdoganit për postin e presidentit të vendit,  pohoi se ai është me origjinë alevit/bektashi.”Besoj se kjo nuk përbën krim?” – pyeti ai.

         Siç dihet sekti alevi bektashi është një degëzim i shitëve, i krijuar pas ndarjes së madhe dhe të përgjakshme me sunitët arabë gjatë betejës së famshme të Qerbelasë në vitin 680 të erës sonë. Ndryshe  themeluesi i këtij riti është Haxhi Bektash Veliu,  prejardhja e të cilit shkon deri tek imami i 5-të pas profetit Muhamet.

         Respekti për Zotin dhe frika prej tij,  dashuria për mbarë njerëzimin është thelbi (quint-esenca) e alevizmit bektashian, që beson në krijimin e Njeriut nga Zoti dhe në pavdekësinë e tij. Por për të arritur këtë pavdekësi shpirti i njeriut duhet të dalë nga lëvozhga trupore nëpërmjet veprave të mira të kryera që në gjallesë, që do i mundësojnë shpirtit arritjen e të Vërtetës Hyjnore dhe shndërrimin e tij në Insami Kamil, ose Njeri i Përsosur! – besojnë bektashinjtë.

         Ky spiritualizëm ngjan shumë me atë të Nirvanas te feja budiste! Te një nga suratet e njohuara të bektashizmit  pohohet se : « Njeriu gjendet në të Vërtetën e Zotit, dhe e Vërteta e Zotit gjendet tek Njeriu » !  

         Vitet e fundit, sidomos pas përhapjes së terrorizmit islamik, nga organizatat Al Qaida dhe ISIS,  vërehet një ringjallje e interesimit të botës perëndimore ndaj këtij sekti që ndryshon kaq shumë sa nga radikalizmi sunit, por po aq edhe nga shitët konservatorë iranianë.    

       Bektashizmin ata po e konsiderojnë sot si një urë që lidh krishtërimin me botën myslimane. Ky është një myslimanizëm “cool” ka shkruajtur më parë e përjavshmja “Slate”.

             Perëndimi ka filluar vërtet të çuditet se si ekzistoka edhe një rrymë myslimane ku gratë nuk detyrohen të mbajnë ferexhe, ku ato falen së bashku me burrat, të cilët mund të pijnë edhe pije alkolike dhe të këndojnë dhe vallëzojnë, në një kohë që këto praktika janë të ndaluara në fenë sunite.

         Njëlloj si në fenë e krishterë që i falet trinitisë së shenjtë: Zotit, Krishtit dhe Shën Mërisë, edhe bektashinjtë kanë trinitinë e tyre të shenjtë e përbërë nga Allahu, Muhameti dhe pasuesi i profetit: – Aliu.

         Madje edhe organizata e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, duket se është e mrekulluar nga sekti bektashi.  Sidomos nga deklaratat e themeluesit  të saj, Haxhi Bektash Veliu.

       “Predikimet e filozofit të shekullit të 13 përmbajnë një mesazh që tetë shekuj më pas u përputhën me Deklarën Universale të të Drejtave të Njeriut aprovuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948” – vë në dukje me çudi  organizata e Kombeve të Bashkuar për arsimin, shkencën dhe kulturën. Kjo habi është shkaktuar nga pohimi i Haxhi Bektash Veliut se “nuk ekziston asnjë dallim dhe ndarje në përballjet femër/mashkull” !

         Ndërsa për botën, sidomos atë të krishterë, bektashizmi po përbën një risi dhe mrekulli, për shqiptarët ai është thjesht një nga katër besimet fetare që jetojnë në harmoni të plotë me njëri tjetrin.

         Në Shqipëri bektashinjtë përbëjnë afro 20 për qind të popullsisë së përgjithshme. Pra më shumë se edhe katolikët.  Afërsisht aq sa kanë mbetur edhe në Turqi. Njëlloj si në të kaluarën në Shqipëri, në Turqi edhe sot e kësaj dite ata nuk njihen si bashkësi fetare e veçantë dhe nuk gëzojnë asnjë mbrojtje nga shteti. Që kur më 1923 Qemal Ataturku i përndoqi, i masakroi dhe i përzuri një pjesë të madhe të tyre. Sot bektashinjtë alevitë jetojnë të shpërndarë në 30 shtete të botës me afro 20 milionë ndjekës të këtij riti të veçantë fetar.

       Siç thamë krijimi i një lloj Vatikani bektashi në zemër të Shqipërisë, nuk e dëmton vendin. Përkundrazi. Ai veçse e ndriçon dhe e ngre statusin e Shqipërisë edhe më lart në shoqëritë perëndimore dhe orientale.

        Sipas dokumentave historike urdhëri bektashi u themelua në shekullin e 13-të në Anadoll, nën Perandorinë Osmane. Në shekullin e 20-të, ai u ndalua nga Mustafa Kemal Atatürk, themeluesi dhe presidenti i parë i Republikës së Turqisë, dhe ai u zhvendos në vendin tonë, duke pasur parasysh edhe lidhjet e afërta me të.

          Edhe në trojet e tjera kombëtare, si në Kosovë dhe Maqedoni, madje deri në Novi Pazar gjallojnë sot bashkësi të shumta bektashiane.       

         Të presim dhe të shohim tani se çfarë do ngjasë në shtator. Por është e sigurt se me këtë ide Rama do bëjë për vete të huajt, por do rrisi kundërshtimin ndaj tij sidomos te sunitët myslimanë. Sikur nuk i mjaftonin protestat, por duhet të ngrinte kundër vetes edhe radikalët islamistë që 2 herë në vit na pushtojnë, edhe ata, sheshin e Gjergj Kastriotit të madh.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment