Siç shkruajta edhe dje, Kurti nuk ka të drejtë ta zgjedhë i vetëm edhe presidentin. Sepse ai ka fituar + – 48 përqind të votave të shqiptarëve të Kosovës, dhe jo 100 për qind të tyre! Që të kishte të drejtë të zotëronte të gjitha pushtetet !
Sepse 24 orë pas drejtuesi i LDK-së Lumri Abdixhiku u shpreh se do e linte Kurtin t’i merrte të gjitha pushtetet, duke filluar nga posti i kryeministrit, i qeverisë, i të parit të parlamentit etj dhe se do të bashkëpunonte me të vetëm në zgjedhjen e presidentit, Kurti, siç dhe pritej, filloi nga lodrat e tij.
Ai i ftoi udhëheqësit e PDK-së, LDK-së, AAK-së që të fillojnë bisedimet për zgjedhjen e presidentit të vendit! Ai bëri thirrje për nisjen e diskutimeve konkrete mes partive politike për emrin e presidentit të ardhshëm, me synimin për të shmangur një tjetër palë zgjedhjesh.
Kurti deklaroi të premten, pra sot, se partitë duhet të kalojnë nga diskutimet e përgjithshme te emrat konkretë të kandidatëve.
“Duhet të fillojmë të flasim edhe me emra, sepse po humbim shumë kohë, por më së shumti humbim duke shkuar në zgjedhje”, u shpreh ai.
Sipas Kurtit, presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë konsensuale, gjithëpërfshirëse dhe me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe te qytetarët.
Ai bëri të ditur se një natë më parë u kishte dërguar kërkesë për takim kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, me qëllim diskutimin për zgjedhjen e presidentit.
“Duam që për këtë të merremi vesh paraprakisht në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet”, tha Kurti.
Ai vlerësoi se në Kosovë ekzistojnë dhjetëra personalitete nga jeta akademike, politike dhe shoqërore, përfshirë figura që kanë kontribuar në luftë dhe në shtetndërtim, të cilët mund të konsiderohen për postin e presidentit.
Por jo. Partitë e opozitës nuk duhet të bien në këtë grackë. Kurti ka marrë aq sa meritonte. Tani zgjedhjen e presidentit ai duhet t’ia besojë opozitës. Megjithëse ajo nuk mundet ta zgjedhë pa VV-në presidentin, por se tani nevojitet që propozimi të vijë prej tyre.
Dhe lidhur me këtë çështje dhe parandjenjat e këqija që kisha, shkruajta se LDK-ja tani, vetëm ose bashkë me PDK-në dhe AAK-në, duhet t’i paraqesin Kurtit një listë me 20 emra, nga personalitetet më të njohura në Kosovë. Që ai, pra Kurti, të ketë mundësinë të zgjedhë me domosdo një prej tyre si kandidat për president. Dhe këtu mbaron « loja ». Loja me fatet e Kosovës..
Ndryshe LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja nuk duhet të zhvillojnë asnjë bisedë me Kurtin. Vetëm t’i paraqesin atij listën. Sepse synimi i Kurtit është thjesht që edhe presidenti të jetë “i tij”. Pra i propozuar dhe i zgjedhur nga ai! « Hajde të bisedojmë që të bëhet si dua unë » !
Po të tjerët, opozita në rastin konkret, mos janë gurë varri, veçse për t’i bërë hije dhe fresk atij ?!
Siç dihet për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën prej 120 mandatesh. Dhe Kurti megjithë pakicën joserbe nuk i ka kaq vende. Prandaj nëse partitë nuk arrijnë një marrëveshje, Kosova rrezikon të përballet sërish me zgjedhje të reja, duke u bërë kështu gazi i botës. Pesë lloj zgjedhjesh brenda 2 vjetëve. Veçse dikush aty kërkon që të ketë gjithçka në dorë.
Të shohim tani se si do të përfundojë kjo tragji/komedi.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment