Kur situata politike në Kosovë ngjante si pa zgjidhje dhe më e zymtë se kurrë, kryetari i LDK-së, bëri një hap të rëndësishëm pas.
Pas mbledhjes së grupit parlamentar të partisë, Lumir Abdixhiku, deklaroi se partia e tij nuk do të kërkojë pjesëmarrje në qeveri, as poste ministrore, as drejtimin e Kuvendit dhe madje as Presidencën!
“Për ta çliruar procesin nga çdo alibi dhe për t’i hapur rrugë zgjidhjes në interes shtetëror, LDK-ja tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita dhe merr përsipër të kontribuojë pa asnjë përfitim politik në shmangien e krizës aktuale”, tha Abdixhiku. Ai theksoi se LDK-ja nuk kërkon asnjë ministri, duke shtuar se këto poste mund t’i mbajë Vetëvendosja.
“Ne heqim dorë nga kërkesa për kryetar të Kuvendit dhe, më e rëndësishmja, edhe nga kërkesa për ta pasur postin e presidentit”, deklaroi kreu i LDK-së.
Abdixhiku bëri të qartë se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë, por nuk do ta përdorë këtë qëndrim për të bllokuar institucionet. “Do të qëndrojmë në opozitë dhe do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet. Pavarësisht këtij qëndrimi, s’do ta shndërrojmë zhgënjimin politik në bllokadë”, u shpreh ai.
Në fund, Abdixhiku tha se LDK-ja është e gatshme të dialogojë për zgjedhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës, me synimin për të kontribuar në tejkalimin e ngërçit politik.
Duhet të pohojmë se me këtë lëvizje të paparashikuar nga askush, Abdixhiku e tregoi veten se është me të vërtetë një burrë shteti. Dhe delegatët e LDK-së vepruan mirë që e rizgjodhën atë në krye të partisë së tyre.
Me rëndësi të madhe është edhe fjalia e fundit : se ai do të bashkëpunojë me VV-në për zgjedhjen e një presidenti konsensual, dmth të përbashkët.
Ai mund të kishte vepruar edhe ndryshe : Të ia përplaste derën në fytyrë Kurtit dhe t’i thoshte : I do të gjitha pushtet për vete ?! Merri atëhere. Por Kurti nuk mund t’i merrte dot të gjitha, sidomos postin e presidentit. Dhe Kosova do bëhej kështu gazi i botës. 5 palë zgjedhje në më pak se 2 vjet! Dhe ata që pretendojnë se shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet do kënaqeshin pa masë.
Me këtë tërheqje të guximshme, Abdixhiku e hodhi topin në fushën e kundërshtarit. Kurti nuk ka si të shmanget më. Ai tani thjesht duhet t’i propozojë Abdixhikut që ky i fundit t’I paraqesë një listë me 20 kandidatura për postin e presidentit, nga të cilët ai do të zgjedhë medoemos një kandidaturë. Edhe sikur ajo të jetë përsëri Vjosa Osmani.
Ndryshe vetë Kurti nuk ka dhe nuk duhet të ketë të drejtë të propozojë edhe ai një kandidat për president. Sepse ai tani duhet t’i ndajë pushtetet ! Të gjitha postet në Kuvend dhe qeveri për VV-në, ndërsa posti i presidentit me konsensus dypalësh : VV – LDK. Kjo është më e drejta dhe më e arsyeshmja.
Dhe në rast se Kurti do të pretendojë që të ketë të drejtën edhe ai të propozojë një figurë për president, kjo do të thotë se ai është aq i dhënë marrëzisht pas pushtetit, saqë nuk meriton më asnjë votë !
Se Kurti nuk ka fituar 100 për qind të votave në Kosovë, por afro 48 përqind. Pra nuk mund të pretendojë të ketë 100 për qind të gjitha pushtetet !
Orët dhe ditët e ardhshme do të jenë shumë dramatike për të ardhmen institucionale të Kosovës. Të shohim si do « luajë » Kurti tash e në vijim. Nëse e kupton se këtu nuk bëhet fjalë për lojë, por për të ardhmen e shtetit të Kosovës, siguruar nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment